E Shtunë, 31 Tetor 2026

Korçë, zjarr në parkun Rinia, digjet një automjet

zjarri në parkun "Rinia"

Korçë – Një zjarr i befasishëm në orën 17:00 të ditës së martë, ka përfshirë pjesën e gjelbër të  parkut Rinia, pikërisht atë pjesë ku shtrihet pjesa e pyllëzuar e tij  Brenda një çasti të shkurtër flakët e zjarrit mundën të përpijnë drurët e pyllit dhe në të njëjtën kohë ti afrohen edhe ish-repartit ushtarak që ndodhet brenda kësaj zone, ku ndodhen një sërë ndërtesash.

Alarmi u dha nga njerëzit që gjendeshin në këtë zonë, pasi kjo është pjesa më e frekuentuar e qytetit të Korçës, ku ndodhen mjaft shkolla të mesme dhe Universiteti Fan Noli. Deri më tani nuk bëhet fjalë për të lënduar, ndërsa flitet se nga një numër i madh automjetesh që gjendeshin të parkuara aty, është dëmtuar njëra prej tyre. Gjithashtu e dëmtuar ka mbetur edhe një makinë policie. Pas dhënies së alarmit në vendin e ngjarjes mbërritën edhe zjarrfikëset, të cilat po punojnë për fikjen e zjarrit.

Për momentin nuk ka ndonjë të dhënë se si mund të jetë shkaktuar rënia e zjarrit, por mendohet se gjithçka mund të ketë ardhur si pasojë e pakujdesisë së treguar nga ana e qytetarëve, të cilët kalojnë orët e pushimit në këtë park. Gjithsesi hetimet vijojnë. /Vepror Hasani/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›