E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çmenduria e madhe e Hugo Çavezit

Venezuela ka krijuar "zonën" e saj, unike, të orës. Të dielën, i gjithë vendi ka kthyer akrepat e orës gjysmë ore prapa, në mënyrë të përhershme. Presidenti Hugo Çavez, ka thënë më herët se ky kthim i akrepave pas do të përmirësojë performancën e vendit, ndërsa njerëzit do të kenë përpara një ditë më të gjatë. "Nuk më intereson nëse ata më quajnë të çmendur, koha e re do të hyjë në fuqi", tha ai. Por, kritikët thonë se lëvizja ishte e padobishme dhe Presidenti thjesht dëshiron të jetë në një zonë të ndryshme orare me rivalin e tij të hershëm, SHBA-në. Ora e re e çon Venezuelën katër orë e gjysmë pas orës së Grinuiçit dhe e veçon atë nga të gjithë fqinjët e vet. Lëvizja është lajmëruar fillimisht në gusht, por është shtyrë dy herë radhazi për shkak të organizmave ndërkombëtarë dhe se vetë Venezuela nuk ka qenë e gatshme të implementojë ndryshimet. Ministri i Shkencës dhe Teknologjisë, në Venezuelë, Hektor Navarro, ka përshëndetur lëvizjen. "Unë e shikoj këtë si një gjë shumë të mirë; dita është më e gjatë", tha ai. "Truri i njerëzve është i kushtëzuar nga drita e diellit", ka thënë ministri, duke siguruar se mirëqenia dhe produktiviteti i kombit do të përmirësohet falë këtij ndryshimi. Vetë Presidenti Çavez ka thënë më herët se nxënësit e shkollës, si pasojë e këtij ndryshimi, do të shkojnë në mësim me më shumë energji. "Këta fëmijë duhej të ngriheshin nga gjumi në pesë të mëngjesit dhe si rezultat mbërrinin në shkollë të rraskapitur. Përse? Për shkak të orës...". Ndryshimi i orës është në të vërtetë i fundit në një seri reformash të implementuara nga Presidenti Hugo Çavez, që deri më tani ka ndryshuar emrin e vendit, uniformat e ushtrisë, mënyrën e përshëndetjes së ushtarëve si edhe flamurin dhe Kushtetutën. Veç tyre, ai dëshironte të ndryshonte edhe sistemin politik të Venezuelës, më 2 dhjetor, kur propozoi një referendum që do të hidhte bazat e socializmit "modern" dhe do t‘i garantonte Presidentit rizgjedhje të pafundme dhe fuqi më të mëdha. Gjithsesi, dallimet e vogla në orë, nuk janë krejt të rralla. Provinca Njufaundland, në Kanada, ka një gjysmë ore diferencë me provincat e tjera të Atlantikut. Pakistani është gjysmë ore pas Indisë, ndërsa Nepali është 15 minuta para fqinjit të tij të madh jugor. Australia Perëndimore dhe Australia Jugore kanë një diferencë prej 90 minutash nga njëri cep në tjetrin. Gjithsesi, qyteti i largët i Euklas dhe zona përreth, me një numër të vogël banorësh, kanë një zonë të vetën orare. Njerëzit atje "ecin" 45 minuta para Australisë Perëndimore dhe 45 minuta pas Australisë Jugore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›