KQZ nis asgjësimin e fletëve në kutitë e votimit
BLEDAR HOTI
Në momentin kur maxhoranca dhe opozita përplasen për hapjen e kutive dhe rinumërimin e votave, KQZ-ja merr vendimin për asgjësimin e fletëve të votimit. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në pikun e debatit politik mori dje vendimin për asgjësimin e fletëve të votimit për ato njësi të qeverisjes vendore ku u zhvilluan votimet e pjesshme. Mbledhja e djeshme është shoqëruar me debate ndërmjet anëtarëve të KQZ-së, të cilët janë ndarë në dy qëndrime në lidhje me domosdoshmërinë e djegies apo jo të kësaj sasie flete votimi. Në rendin e ditës ishte propozuar hapja e kutive dhe asgjësimi i kutive të votimit për zgjedhjet e zhvilluara në njësitë e qeverisjes vendore të Ballagatit, Fushë-Arrzit, Njësisë bashkiake numër 10, Fierzës, Otllakut dhe Klosit. Nënkryetarja e KQZ-së, Deshira Subashi ka kërkuar që asgjësimi i kutive të votimit të mos realizohet me udhëzimin e hartuar që nga viti 2006, por teksti të rishikohej dhe ripunohej. Nënkryetarja Subashi e ka argumentuar një fakt të tillë, për shkak se Kodi aktualisht ka ndryshuar dhe se ka të tjera afate në fuqi në krahasim me ligjin zgjedhor të vitit 2006. Anëtari i KQZ-së, Artan Lazaj, e ka cilësuar të ngutur një nismë të tillë, pasi KQZ-ja nuk ka ndonjë detyrim ligjor për të ndërmarrë vendimin për asgjësimin e kutive të votimit. Anëtarët e tjerë të së djathtës e kanë cilësuar si të drejtë ndërmarrjen e një nisme të tillë, për të realizuar asgjësimin e materialeve zgjedhore, siç e parashikon dhe Kodi Zgjedhor. Por nënkryetarja e KQZ-së, Subashi këmbënguli në ripunimin e Udhëzimit, pasi është i vitit 2006. Kërkesa e saj nuk u pranua nga ana e kreut të KQZ-së, Arben Ristani. Kjo bëri që numri dy i KQZ-së, Subashi të linte mbledhjen dhe të mos merrte pjesë më tej në shqyrtim. Vendimi në parim është votuar me katër vota pro dhe tre kundër. Ndërsa në tërësi, vendimi i KQZ-së u votua me katër votat pro të anëtarëve të djathtë, Ristani, Zguri, Shtjefni dhe Osmanaj. Kundër votuan dy anëtarët e tjerë Pandeli Varfi dhe Artan Lazaj.
Udhëzimi
Në bazën e udhëzimit të miratuar në vitin 2006, KQZ-ja duhet të ngrejë një grup të posaçëm pune, që do të merret me asgjësimin e fletëve të votimit për çdo njësi të qeverisjes vendore. Në këtë komision bëjnë pjesë: Sekretari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, që është në rolin e Kryetarit; dhe anëtarët e tjerë si drejtori i Drejtorisë së Logjistikës; Drejtori i Drejtorisë Juridike; Përgjegjësi i Zyrës së Regjistrimit të Akteve dhe Dokumentacionit dhe Inspektori i Drejtorisë së Komisioneve Zgjedhore. Në kutinë e parë të votimit gjenden dokumentacioni për arkivim që dërgohet në Arkivin Qendror të Shtetit përfshin: Librin e Protokollit; Fletore e vendimeve tip të KQV-së; Regjistër i posaçëm i zgjedhësve; lista e zgjedhësve. Në materialet që mund të ripërdoren përfshihen: Kod Zgjedhor; Kuti votimi; Tampon vule; Llampe UV; Boje matrikulluese. Ndërsa në kutinë tjetër janë materialet që do të asgjësohen fletët e votimit, së bashku me kundrafletët.
Procedura e hapjes së kutive
a. Materiali që nxirret nga kutitë e votimit dhe kutitë e materialeve zgjedhore përbëhet nga:
dokumentacioni për arkivim,
materialet që mund të ripërdoren,
materialet që do të asgjësohen.
b. Dokumentacioni për arkivim që dërgohet në Arkivin Qendror të Shtetit përfshin:
Librin e Protokollit;
Fletore e vendimeve tip të KQV-së;
Regjistër i posaçëm i zgjedhësve;
lista e zgjedhësve.
c. Në materialet që mund të ripërdoren përfshihen:
Kod Zgjedhor;
Kuti votimi;
Tampon vule;
Llampe UV;
Boje matrikulluese;
materiale të tjera.
d. Në materialet që do të asgjesohen perfshihen:
fletët e votimit;
kundërfletët e fletëve të votimit;
gjithë artikujt e tjerë të paklasifikuar.