E Shtunë, 31 Tetor 2026

Koreja e Jugut Jo armiqesi me Veriun

Koreja e Jugut po përpiqet të mos shfaqë armiqësi ndaj Penianit, duke deklaruar se kthimi i stabilitetit në vendin komunist është në interes të mbarë rajonit. Presidenti Lee Myung Bak i bëri këto komente në një takim me deputetët kryesorë të Parlamentit të Seulit, bën të ditur agjencia e lajmeve “Yonhap”.
Seuli zyrtar do të dërgojë një negociator të rëndësishëm në Pekin për bisedimet mbi situatën në Korenë e Veriut pas vdekjes së liderit Kim Jong il.
Mediat shtetërore të Koresë së Veriut vazhdojnë të raportojnë për homazhe masive në nder të “liderit”, që ndërroi jetë të shtunën si pasojë e një ataku në zemër. 69-vjecari udhëhoqi Korenë e Veriut që nga vdekja e babait të tij në vitin 1994 dhe u kthye në një personalitet kult, për shkak të historive të shumta për mrekulli apo heroizma që ndodhnin rreth tij.
Ditën e enjte mediat shtetërore raportuan se mbi 5 milionë persona kishin bërë homazhet e tyre për Kim Jong il. Mediat shtetërore u kanë bërë thirrje qytetarëve koreano-veriorë që të mbeten të bashkuar nën drejtimin e trashëgimtarit të tij, të birit Kim Jong un, që është etiketuar si “trashëgimtari i madh”.
Ende nuk dihet me saktësi se çfarë do të bëhet tani, por vëzhguesit druhen se për shkak se transferimi i pushtetit nga i ati tek i biri nuk është zyrtarizuar para vdekjes së Kim, në vend mund të krijohen tensione.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›