E Diel, 1 Nëntor 2026

Koreja e Veriut kryen testin e dytë nuklear

Koreja e Veriut zhvilloi të hënën një test të dytë nuklear tepër më të fuqishëm se i mëparshmi, duke shkaktuar në mënyrë të menjëhershme gjendje alarmi në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. U kërkua që Këshilli i Sigurimit të mblidhej me urgjencë menjëherë pas aktit, ndërkohë që tregjet financiare u luhatën në masë jo domethënëse vetëm për pak kohë pas përhapjes së lajmit.

Kryeministri Gordon Braun e quajti Korenë e Veriut "rrezik për botën", ndërsa nga ana e Rusisë u bë me dije se fuqia e shpërthimit ishte e barabartë me atë të bombës amerikane të hedhur në qytetin japonez Nagasaki në fund të Luftës së Dytë Botërore. Shpërthimi i së hënës ishte rreth 20 herë më i fuqishëm nga testi i parë atomik i zhvilluar nga Koreja e Veriut, rreth dy vjet më parë, gjë që nxjerr në pah avancimet që ka arritur ky shtet në fushën e armatimit nuklear, pavarësisht përpjekjeve ndërkombëtare për t‘i dhënë fund projektit atomik të Pjong Jangut.

Testi i fundit do ta hutojë edhe më tej komunitetin ndërkombëtar, i cili për vite është përpjekur përmes një përzierje premtimesh për ndihma e kërcënimesh për sanksione ekonomike të bindë Veriun e varfëruar të heqë dorë nga ambiciet për krijimin e një arsenali nuklear. Krijon shqetësime të mëtejshme edhe për sa i përket prolifikimit nuklear në shkallë të gjerë, në kuadër të të cilit Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë akuzuar Pjong Jangun se po përpiqet t‘i shesë teknologjitë dhe njohuritë në këtë fushë shteteve armiq si Siria. Analistët vërejnë gjithashtu se testi do t‘i vlejë Koresë së Veriut për modifikimin e tonit të zërit në çdo lloj negociimi që zhvillon me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Testi i djeshëm nuklear vjen në një çast kur janë shtuar spekulimet se lideri Kim Jong Il, për shëndetin e të cilit vijnë raporte të paqarta (mendohet se pësoi një goditje të rëndë apopleksie vitin që shkoi), kërkon të forcojë edhe më tej pozitat në majë të pushtetit, në mënyrë që të sigurojë kalimin e pushtetit në duart e një prej bijve të tij.

Koreja e Veriut është aktualisht aq e izoluar, sa ekzistojnë shumë pak mundësi për të ndëshkuar ekonomikisht një qeveri, e cila prej shumë kohësh ka parapëlqyer t‘i mbajë raportet ndërkombëtare në kufijtë e armiqësisë. Liderët e vendit i justifikojnë shpenzimet e tepruara në industrinë ushtarake me armiqësinë që tregojnë ndaj vendit Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por një prioritet i tillë ka bërë që populli 23 milionësh të zhytet në varfëri të skajshme, madje ndonjëherë deri në kriza urie.

Agjencia shtetërore e lajmeve KCNA tha se Koreja e Veriut "kishte kryer një tjetër test nuklear nëntokësor më 25 maj, si pjesë e programit të përmirësimit të arsenalit nuklear, që ka qëllim garantimin e sigurisë së vendit".

Një prej asistentëve të Presidentit koreanojugor tha se Koreja e Veriut kishte njoftuar që më parë Shtetet e Bashkuara të Amerikës për testin, i cili vjen pas një tjetër testi të zhvilluar muajin e shkuar, kësaj here bëhej fjalë për një raketë me rreze të gjatë veprimi.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›