E Diel, 1 Nëntor 2026

Reportazhet e "Shqip" në Akademinë Kult

Në edicionin e pestë të Çmimeve Kult, mes 40 artistëve pjesëmarrës, në garë për 10 trofe janë të nominuar edhe Fatos Baxhaku në kategorinë "Libri artistik i vitit" për reportazhet e publikuar më parë në gazetën "Shqip", e më pas në përmbledhjen "Gur". Në këtë kategori, gazetari Fatos Baxhaku, konkurron me shkrimtarët Lindita Ahmeti për poezitë e zgjedhura "Lulja Alba", Ben Blushin me romanin "Të jetosh në ishull" dhe Ismail Kadarenë për romanin e fundit "Darka e Gabuar". Ndërkaq, një tjetër personazh i njohur jo vetëm në "Top Media", regjisori Altin Basha, kandidon në Çmimet Kult 2009 në kategorinë "Regjia e vitit". Ai konkurron me komedinë serioze "Allegreto Albania" e cila është në konkurrim me "Kulla e Fildishtë" me regji të Erion Kames, "Franku V" i Arben Kumbaros, "Për mua, Miriam dhe Sandri" me regji të Milto Kutalit. I kthyer tashmë në një traditë, Çmimet e Akademisë Kult, në këtë vit të pestë synojnë të vlerësojnë artistin më të mirë të vitit. Edicioni i pestë sjell 40 artistë në garë, të cilët konkurrojnë në 10 fushat: "Artisti Pamor i Vitit", "Instrumentisti i Vitit", "Regjisori i Vitit", "Aktori i Vitit", "Aktorja e Vitit", Filmi Artistik i Vitit", "Interpretuesi Lirik i Vitit", "Albumi Muzikor i Vitit", "Libri artistik". Për herë të parë në edicionin e sivjetmë do të jepet çmimi për "Përkthyesin e Vitit", duke vlerësuar kontribute të rëndësishme në fushën e letrave, si dhe dy çmime speciale: "Aktiviteti më i Mirë i Vitit" dhe "Personaliteti Kulturor i Vitit". Kjo traditë vjen edhe si një ndihmë dhe stimulim në mbështetje të artistëve shqiptarë, duke i vlerësuar me kupën e më të mirit gjatë një viti. Votimi për artistin më të mirë bëhet nëpërmjet internetit në website-n www.akademiakult.com dhe nëpërmjet telefonit celular në numrin 1513, me tekst: votoj (hapësirë) emrin e kandidatit të zgjedhur. Nata e spektaklit të madh të ndarjes së çmimeve do të zhvillohet më 10 qershor në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›