E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kosova hyn në axhendën e Konferencës Islamike

Miratimi i një rezolute në mbështetje të Kosovës dhe dialogu diplomatik për përshpejtimin e procesit të njohjes së shtetit të pavarur të Kosovës, ishte objektivi kryesor i delegacionit të Shqipërisë gjatë punimeve të Sesionit të 36-të të Këshillit të Ministrave të Punëve të Jashtme i Organizatës së Konferencës Islamike. Shqipëria u përfaqësua në këtë sesion, e zhvilluar nga 23-25 maj 2009 në Damask të Sirisë, nga një delegacion i kryesuar prej ministrit të Punëve të Jashtme, zoti Lulzim Basha.

Në një deklaratë për shtyp, e lëshuar nga Ministria e Jashtme, mësohet se në këtë kontekst ministri Basha zhvilloi një sërë takimesh me drejtues të OKI-së dhe me një pjesë të mirë të homologëve të tij. Gjatë fjalës së mbajtur nga ministri ynë i Jashtëm në seancën plenare të Këshillit të Ministrave të Jashtëm të OKI-së, çështja e Kosovës zuri vendin themelor. Ministri Basha, mes të tjerash, theksoi se, "që nga 17 shkurti 2008, Kosova është bërë dëshmitare e zhvillimeve rrënjësore drejt progresit".

Gjatë fjalës, ministri Basha theksoi se Republika e Kosovës, deri tani, është njohur nga 60 shtete, është pranuar anëtare e FMN-së dhe është bërë pjesëtare aktive në një numër nismash të rëndësishme të bashkëpunimit rajonal. Ndërsa shtoi se së shpejti priten njohje të reja, ashtu si institucione të tjera ekonomiko-financiare, rajonale dhe ndërkombëtare priten ta pranojnë në gjirin e vet shtetin e ri të Kosovës dhe se akti i njohjes është i frymëzuar nga bindja e thellë se me Kosovën e pavarur garantohet paqja dhe stabiliteti në Kosovë e në Ballkanin Perëndimor.

Pasi falënderoi shtetet anëtare të OKI-së, që tashmë e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur, ministri Basha u bëri thirrje shteteve të tjera të ndërmarrin të njëjtin hap, pra të njohin Republikën e Kosovës, pasi, përveç se një akt solidariteti me popullin e saj, "do të jetë edhe një ndihmesë për forcimin e paqes dhe stabilitetit në rajon, çka do t‘u ofrojë të gjithë vendeve të Ballkanit perspektiva të vërteta për zhvillimin dhe begatinë e tyre të mëtejshme".

Nga deklarata e Ministrisë sonë të Jashtme mësohet se në seancën përmbyllëse të Samitit të ministrave të vendeve të Konferencës Islamike, zhvilluar dje paradite, u miratua me unanimitet të plotë, Rezoluta e iniciuar nga Shqipëria, në të cilën evidentohet qartë se që nga shpallja e pavarësisë më datë 17 shkurt 2008, Kosova ka bërë progres në ndërtimin e institucioneve demokratike, ka krijuar kuadrin e nevojshëm ligjor dhe institucional bashkëkohor, ka kontribuar në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon. Më tej, kjo rezolutë, e cila është e para e miratuar nga OKI-ja që pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, u bën thirrje vendeve anëtare të Organizatës dhe bashkësisë ndërkombëtare në përgjithësi, që të vazhdojnë të mbështesin forcimin e Kosovës dhe ekonomisë së saj.

Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme, Rezoluta ngarkon Sekretarin e Përgjithshëm të OKI-së që në sesionet e radhës të ministrave të Jashtëm të Organizatës të raportojë mbi dinamikën e zhvillimeve në Kosovë, duke e vendosur kështu Kosovën në axhendën e përhershme të Organizatës së Konferencës Islamike. Miratimi i kësaj rezolute dëshmon për një klimë krejt të re në marrëdhëniet e OKI-së me Kosovën, e cila vjen pas njohjes mjaft të rëndësishme të saj nga Arabia Saudite para disa javëve dhe njohjeve nga Bahrejni, Gana dhe Unioni i Komoreve.

Rezoluta, e votuar nga të gjitha vendet e OKI-së, edhe nga ata që nuk e kanë njohur pavarësinë, e Kosovës, demonstron se Kosova e pavarur është një realitet i pakthyeshëm dhe njohja ndërkombëtare e saj një proces i pandërprerë. Republika e Kosovës është njohur nga 60 shtete, 13 nga të cilat vende të kësaj organizate dhe të tjera pritet ta njohin së shpejti. Ajo ecën e sigurt dhe e vendosur përpara drejt konsolidimit të shtetit, zhvillimit ekonomik, anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare dhe integrimit në strukturat evropiane e euroatlantike.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›