Zgjedhje të tendosura presidenciale në Shri Lankë

Dy ish-aleatë, të cilët kryesuan Shri Lankën drejtë fitores në luftën 25 vjeçare kundër kryengritësve tamilë, u përballen sot në zgjedhjet presidenciale, pas fushatës së ashpër për presidentin e parë të vendit në kohëra të paqes, në zgjedhjet e para që u zhvilluan pas gati tri dekadave.
Më shumë se 14 milionë banorë kishin të drejtë vote dhe votimi filloi nën masa të shtuara të sigurisë, pas fushatës së përgjakshme zgjedhore, gjatë së cilës u vranë pesë persona dhe u lënduan mbi 800 të tjerë, si pasojë e incidenteve të dhunshme.
Presidenti aktual, Mahinda Rajapaksa dhe gjenerali Sarath Fonseka janë rivalë në këto zgjedhje. Që të dy konsiderohen si heronj, pas fitores që shënuan forcat e qeverisë kundër kryengritësve tamilë, të cilët u mposhtën përfundimisht në maj të vitit të kaluar.
Përkundër shpërthimeve që ndodhën në qytetin verior, Jaffna, qendrën kulturore të pakicës tamile në Shri Lankë, votimi rodhi sipas planit, deklaruan vëzhguesit.
Ministri për të Drejta të Njeriut, Mahinda Samarasinghe, fajësoi opozitën për këto shpërthime.
“Ne qysh më herët jemi informuar se opozita po planifikon të krijojë një situatë të tillë, për t’i thënë bashkësisë ndërkombëtare se qeveria është duke nxitur incidente, për të frikësuar njerëzit në Jaffna”, tha Samarasinghe.