E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një jetë nën rrezik me siluret dhe armatimin e nëndetëseve

Rrëfimet e ish shefit të armëve të nënujshme të Flotës Detare

Rafet Hysi

Vijon nga numri pasardhës

Shkolla dhe jeta pas saj na mësuan që të mos i ndaheshim librit; të mësonim dhe të mësonim çdo ditë arritjet e reja në këtë fushë, qofshin tonat apo edhe të botës dhe të mundoheshim që ti aplikonin ato në praktikën tonë luftarake. Me mjaft përpjekje, ne arritëm që të kompletonim të gjithë armatimin dhe teknikën dhe me aparaturën e domosdoshme, teorike dhe praktike të të gjitha tipeve të armatimit. (Armatim silurë, mina detare, çminues të të gjitha llojeve, bombave të zakonshme reaktive, lëndëve shpërthyese, etj.). Kështu, pas një periudhe 4-vjeçare u ndërtua piramida e literaturës së plotë të shfrytëzimit, të ruajtjes dhe mirëmbajtjes dhe deri te proceset teknologjike të remomenteve dhe riparimeve; të pjesshme dhe të tërësore.

Rritja kualifikuese dhe zhvillimi ekonomik i vendit gjatë kësaj periudhe na bënë ne që të hidhnim vështrimin për më lart, që jo vetëm të ishim të aftë që të përdornim armatimin dhe teknikën ekzistuese në tokë dhe në det, por edhe të plotësimin nevojat me pjesë ndërrimi dhe me prodhim e armatim të ri. Përpjekjet e para kanë filluar që në vitin 1968, por që u konkretizuan me ngritjen e disa grupeve shkencore për studime dhe eksperimentime të armatimeve dhe të teknikës. Sa për ilustrim, vlen të përmendim notimin e mjeteve lundruese të komanduara nga aparatura që nga bregu për luftë kundër desantit detar, prodhimin dhe eksperimentimin e minave detare, çminueseve detare, prodhimin dhe eksperimentim të agregateve të silureve (aparat ngrohës, pompaçi shpërndarëse, pistona dhe fasho të motorit, bateri siluresh dhe minash dhe një mori detajesh të saj; në rreth 700-800 zëra), etj.; Prodhimin dhe eksperimentimin e aparateve të silureve nga bregu. Kur flasim për sukseset në përdorimin e armatimit të nënujshëm, nënkuptojmë një proces bashkëveprues hallkash të një zinxhiri të tërë të ruajtjes dhe mirëmbajtjes së tyre, përgatitjes në disa shkallë të njohjes së rregullësisë së shfrytëzimit dhe përdorimit luftarak. Pa njohuritë e nevojshme deri në perfeksiononim e të gjitha hallkave nuk mund të arrihej suksesi. Prandaj, edhe efektivat që punojnë në këto lloj armatimesh zgjidhen që të jenë të shkolluar dhe të shëndetshëm; ti përgjigjen vështirësive, armës, mendërisht dhe fizikisht. Çdo mungesë e njohjes ndaj proceseve dhe disiplinës teknike të çon, në fund të fundit, në dështim, sado mirë që mund të ketë vepruar kuadri komandues, kushdoqoftë, në nëndetëse, në silurues, breg dhe komandë, të çdo shkalle qoftë.

Le të ndalemi në një shembull gjatë një përgatitje silure për qitje. Sigurisht, këtu presupozojmë se kemi të bëjmë me reparte të mirëpërgatitura (oficinë siluresh, nëndetëse, kater silurus apo çdo repart tjetër përdorues silure për qitje luftarake) duhet; që ofiçina e silureve, paraprakisht, sipas një urdhri të dhënë më parë, të ketë zgjedhur për kontroll teknik sasinë e silurëve që i kërkon reparti përdorues. Përgjegjësi i Grupit të Kontrollit i raporton drejtuesit të Ofiçinës së silureve mbi gjendjen dhe të dhënat teknike të secilës silurë në veçanti. Mbi këtë bazë, oficeri drejtues përcakton përfundimisht siluret që do të jepen për përdorim anijes, duke caktuar përfundimisht skuadrën e përgatitjes për momentin kur nga ana e anijes do të paraqitet pranë kësaj ofiçine grupi i marrjes në dorëzim të silurave (silurës) që do të përdoret në det; për qitje praktike apo luftarake.
Në këtë rast, detyrat e dyanshme janë të përcaktuara saktësisht e ligjërisht. Kjo do të thotë që përgjegjësia për përgatitjen teknike kryhet sipas kërkesave strikte të vërtetuara dhe të pranuara nga të dyja palët (përgatitësi dhe marrësi në dorëzim për shfrytëzim).
E gjithë kjo bëhet me qëllimin që në rast të procesit të qitjes, silura pëson defekt, shmanget nga objekti i goditjes, mbytet në fillim të lëshimit të saj, apo gjatë rrugës për në objekt, dhe çdo defekt tjetër që ndodh regjistrohen në vetë shkruesin e silurës. Silura analizohen në praninë e të dy grupeve, rezultatet e qitjes në tërësi dhe nxirren përgjegjësitë përkatëse nëse ka të tilla, pasi, në jetën praktike, mund të ketë defekte të dyanshme; nga përdoruese dhe shfrytëzuesi.
Konkluzioni përfundimtar i nxjerrë nga grupi kompleks në skemën që shoqërojnë momentet e qitjes, - pra i gjithë ky proces dhënie-marrje, analize, qoftë për qitje të vetmuara apo qitje në grup, në shkallë anije apo njësie, duke bërë analizë të hollësishme të qitjes, kalojnë si në një formë testi për nxjerrjen e konkluzioneve të përgjithshme dhe gjykimin sa më të drejtë të punës së çdo anije apo njësie. Kjo është si një garë midis njësive që në fund të fundit përcakton se kush del më i suksesshmi.
Në mënyrë figurative, siç e thamë, është një garë, e cila përfundon me vlerësimin e koeficienteve përfundimtar. Armatimi, në mënyrë të veçantë për armët e nënujshëm që pasi lëshohen apo hidhen në det, veprojnë në mënyrë të pavarur dhe s’ka mundësi ndërhyrje korrigjuese nga ana e njeriut; ato kërkojnë njohje të thellë të teknikës dhe taktikës që të mos çojnë në defekte apo avari, që zakonisht përfundojnë me tragjedi. Për fatin tonë të mirë për një periudhë të gjatë kohe, që nga viti 1955 – 2003, nuk u vërtetua asnjëherë kjo. Kjo ndodhi falë punës së gjithë kuadrove mirëmbajtjes, përdorues, riparues dhe shfrytëzues, që bëjnë të mundur ruajtjen e gjendjes teknike në parametra normalë dhe që i rritën jetën mbi normat e përcaktuara teorike këtyre armëve dhe pajisjeve të tyre përkatëse për afro 50 vjet. Ishin detarët dhe kuadrot oficerë dhe nënoficerë të reparteve të riparimit, mirëmbajtjes dhe shfrytëzimit të silureve në breg dhe të gjithë kuadrove të tjerë përdorues në nëndetëse dhe anije mbiujëse luftarake, siç mund të përmend Astrit Nezinin, Pertrit Dukën, Argjile Broka, Koço Lubonja, Besnik Resvani, Agim Allaraj, Ethem Mahmuti, Mihail Prifti, Xhelo Banushi, Baki Huti, Riza Abedini, Qemal Islami, Ylli Lika, Lutfi Gjika, Piro Kuqi, Perikli Xhixho, Robert Bali, Rrustem Shakaj, Kristaq Hito, Gëzim Koçi dhe dhjetëra komandantë organesh, anijesh, katerash dhe silurues që u lidhën dhe vepruan me këtë lloj armatimi gjithë jetën e tyre, me përkushtim dhe devotshmëri deri në vetëmohim.
Do të sjell 2-3 shembuj në këtë shkrim për të vërtetuar atë që thashë më sipër; Kishim vendosur që krahas kontrolleve teknike periodike të lëndëve shpërthyese në silure, mina, etj., për të verifikuar gjendjen dhe gatishmërinë luftarake të këtyre lëndëve, dhe efektshmërinë e tyre në përdorimin luftarak të armës, të realizonin qitje faktike. Për këtë qëllim, u përgatit një silur dhe nëndetësja përkatëse për ta hedhur atë për të goditur një objekt të caktuar. Pasi përgatitjet përfunduan, në procesin e qitjes dhe silure u mor nga nëndetësja, në procesin e manovrimit për të dalë në sulm nga ana e komandës së anijes pati një vonesë në dhënien e komandës. Si përfundim, silura e lëshuar nuk takoi objektin dhe përfundoi në breg. Sigurisht, silura funksionoi normalisht si mekanizëm dhe ishte e gatshme për shpërthim, pavarësisht se nuk takoi objektin. Atëherë lindi problemi që kjo silurë ose të asgjësohej me mënyra të njohura nga skuadra shpërthyese, ose të çarmatosej dhe të bëheshin analiza më të detajuara. U vendos kjo e dyta. Për këtë qëllim, dy oficerë të përgatitur mirë i dolën zot kësaj detyre të vështirë. Ata ishin Koço Lubonja dhe Agim Allaraj. Ata e realizuan më së miri çarmatimin pa rrezikuar jetën e tyre. Sot ia vlen që t’i përkujtojmë me respekt dhe nderim për gjithë punën e bërë në flotë. I përafërt ka qenë edhe rasti i oficerit Thoma Rubija në bazën e Durrësit. Gjatë stërvitjes në bazë, ku në atë kohë zbatohej parulla: “Të përgatitemi si në kushte lufte, ditën dhe natën”, komandanti i kater siluruesit gjatë stërvitjes i jep komandues suluristit urdhrin “Zjarr”, silura u hodh në det dhe filloi funksionimin e saj normal, por për fatin e mirë tonin, para se të godiste ndonjë objekt që ndodhej në molin e bankinave në portin e Durrësit, helikat e silurës kapën kavot e spirancës së anijeve dhe ndërpreu ecjen e mëtejshme. Në këtë rast, oficeri silurit, Thoma Rubija, i cili e njihte edhe zanatin e polombarit, u zhyt nën ujë dhe bëri çarmatimin e silurës më sukses. Në prani të këtij veprimi ishte edhe komandanti i Flotës së asaj kohe, Abdi Mati dhe shumë shokë të tjerë, që jo vetëm bënë sigurimin e gjithë atij organizimi për të eliminuar çdo të papritur, por dhe i dhanë vlerësimin e duhur atij veprimi kurajoz dhe mjaft heroik të oficerit.

Një rast tjetër i ngjashëm ndodhi në gusht të vitit 1985 në provat eksperimentale të minës detare në det. Pasi mina u hodh në det dhe u kërkua realizimi i shpërthimit të saj, kjo e fundit nuk u realizua për shkak të defektit të mos-mbylljes së skemës elektrike. Pas konsultës së çastit, vendosëm me përgjegjësin e grupit që mina të nxirrej në breg dhe të çarmatosej për të kuptuar shkakun e mos-shpërthimit të saj si dhe eliminimin e defektit të prodhimit, nëse do të kishte të tillë. Atëherë, unë dhe përgjegjësi i grupit larguam të gjithë efektivin dhe kuadrin pjesëmarrës në provë dhe nën përgjegjësinë tonë, realizuam vetë çarmatosjen e plotë të minës. Sigurisht që u njohëm edhe me shkakun e mos-shpërthimit të minës.
Por ka shumë raste të tjera heroizmi që janë kryer në Flotë nga detarët dhe kuadrot, që si heronj të heshtur kryenin detyrat pa thënë një herë u lodhëm dhe në të shumtën e rasteve, pa u falënderuar për atë kurajo dhe devotshmëri të lartë që treguan gjatë ushtrimit të detyrës.

Kam pasur shumë raste që situatat e veprimit në stërvitjet detare të ishin jashtë normave dhe kushteve teknike për katerat silurues. Mund të përmend vetëm dy raste prej tyre: Ishim në det, në drejtimin e Karavastasë, në orët e vona të natës. Deti ishte shumë i egërsuar dhe me dallgë që arrinin deri në 7 ballësh. Ishim një skuadrilje katerash silurues me Zeqo Feçanin dhe Selam Qejvanin. Ne po diskutonin si të vepronim për të qitur me silurues; ta realizonin apo ta anulonim. Unë, për nga natyra, kam qenë i përcaktuar që për atë që vendosej njëherë duhet ta çoj deri në fund. Kështu iu thashë edhe shokëve: Kemi dalë në det për të realizuar një detyrë dhe jo për ta anuluar atë. Dhe kështu u bë. Qitja u realizua me sukses, silurat u kapën dhe u kthyen shëndosh e mirë në bazë dhe ne bashkë me to.

Vazhdon në numrin pasardhës

18 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›