Ndihma ekonomike, përjashtohen nga skema 500 familje për periudhën janar-mars të këtij viti
Jonida Tashi
Përjashtohen nga skema e ndihmës ekonomike 500 familje, të cilat e kanë marrë këtë pagesë sociale në mënyrë abuzive. Lajmi është bërë i ditur zyrtarisht nga drejtori i përgjithshëm i Shërbimit Social Shtetëror, Mihal Naço. Ky i fundit ka deklaruar dje, se rreth 500 familje përfituese të ndihmës ekonomike në mënyrë të padrejtë janë evidentuar nga kontrollet e kryera së fundmi nga inspektorët e Shërbimit Social Shtetëror dhe zyrave rajonale, për periudhën janar-mars 2010. Sipas kreut të Shërbimit Social, këto familje, që kanë përfituar abuzivisht do të hiqen menjëherë nga skema e ndihmës ekonomike dhe pagesa e paaftësisë.
Inspektimet
Nga strukturat e inspektimit në nivel rajonal dhe qendror, deri tani janë inspektuar 120 njësi vendore, për të kontrolluar zbatueshmërinë e kritereve të dhënies së ndihmës ekonomike dhe pagesës së aftësisë së kufizuar. Naço ka sqaruar se për këtë periudhë, nga strukturat e Shërbimit Social janë propozuar për personat përgjegjës, 3 vërejtje paralajmërim për pushim nga puna, 1 largim nga puna, si dhe është vendosur një gjobë. Po ashtu, njësive vendore u është lënë për detyrë të detyrojnë përfituesit e padrejtë që të kthejnë në total ndaj shtetit 682 mijë lekë. Gjithashtu, gjatë inspektimeve të kryera është lënë për detyrë që të kontrollohen me përpikmëri dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi të gjitha familjet përfituese të ndihmës ekonomike dhe pagesës së paaftësisë, si dhe të plotësohen mangësitë e vërejtura në dokumentacionin për tokën nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe kadastra e qarkut. Po ashtu, njësive vendore u është lënë porosi që të afishohen listë-pagesat dhe të kryhet verifikimi i situatës reale social-ekonomike të familjeve përfituese të ndihmës ekonomike.
Reduktimet
Ministria e Punës ka zbardhur në shifra numrin e familjeve që do të përjashtohen nga skema e ndihmës duke filluar që nga viti 2010 deri në 2013. Për vitin 2010, Ministria e Punës ka parashikuar që numri total i përfituesve të kësaj ndihme të jetë 80 mijë familje. Një vit më pas, në 2011-n sipas parashikimit të dikasterit të Punës, do të ketë edhe më pak përfitues në këtë skemë, numri total i të cilëve do të arrijë në 74000. Më e qëndrueshme skema e ndihmës ekonomike do të jetë gjatë viteve 2012 dhe 2013, pasi për këtë hark kohor është vendosur që numri i përfituesve të jetë 70 000 përfitues për çdo vit, çka do të thotë se lëvizjet në skemë do të jenë të reduktuara. Në kah të kundërt me numrin e përfituesve të ndihmës ekonomike është parashikuar të shkoj rritja e masës së kësaj pagese sociale. Kështu, deri në vitin 2013, propozohet që masa e ndihmës ekonomike për familje të tentojë arritjen e treguesit të nivelit të varfërisë për person, por brenda një kufiri tavan që nuk e kalon nivelin e pensionit minimal në shkallë vendi. Masa mujore e ndihmës ekonomike në vlerë do të vazhdojë të llogaritet në përputhje me strukturën e familjes e diferencuar për grupet e ndryshme të anëtarëve të saj, në vartësi edhe me karakteristikat e varfërisë. Sakaq, kufiri minimal dhe maksimal i ndihmës ekonomike do të përcaktohet çdo vit me vendim të Këshillit të Ministrave, në vartësi me ritmet e rritjes së pensionit minimal në qytet në shkallë vendi, progresin ekonomik dhe burimet buxhetore. Për 2009, niveli maksimal i ndihmës ekonomike ishte 7500 lekë në muaj për familje, ndërsa niveli minimal 1000 lekë në muaj për ndihmën ekonomike e pjesshme. Në këtë periudhë, do të mbeten të pa ndryshuara pagesat për anëtarët e familjes sipas strukturës së saj. Më pas, këto pagesa do të rriten gradualisht nga viti në vit. Sipas Ministrisë së Punës, rritja e masës së mbulimit të nevojave të familjeve të varfra do të realizohet nga: rritja e fondeve buxhetore që do te transferohen në programin e ndihmës ekonomike si dhe nga ulja e numrit të familjeve përfituese nga skema si rezultat i rritjes ekonomike.
Projektet e punësimit
Të rinj kryeqytetas dolën dje në protestë para Ministrisë së Punës
Të rinj nga Tirana kanë protestuar dje para Ministrisë së Punës, duke i kërkuar drejtuesve të këtij dikasteri që projektet për punësimin e tyre të mos mbeten në letër, por të bëhen realitet. Sipas të rinjve protestues, ka pak mundësi punësimi për këtë kategori. Të rinjtë, pjesa më e madhe e të cilëve i kishin mbaruar studimet e larta, u shprehen se nuk kanë gjetur mbështetje për t’u punësuar, pavarësisht rezultateve të mira. Për këtë arsye, ata kërkojnë nga dikasteri i Punës që t’u japi më shumë shanse për të gjetur një vend pune, aq më tepër kur dihet që në vend ekzistojnë disa programe për nxitjen e punësimit të të rinjve, që për fat të keq në pjesën më të madhe të rasteve kanë zënë pluhur në sirtarët e nëpunësve të Ministrisë së Punës. Në mbyllje të protestës së djeshme, që ishte thjesht sensibilizuese, për t’i sjellë në vëmendje kreut të Ministrisë së Punës, Spiro Ksera, se duhet t’i kthejë sytë nga të rinjtë, këta të fundit kanë deklaruar se së shpejti do të ulen në një tryezë të rrumbullakët me përfaqësues të këtij dikasteri.
Sigurimet shëndetësore
Kartat e identitetit do të shërbejnë dhe si libreza shëndeti
Kartat e identitetit do të shërbejnë dhe si libreza shëndetësore, për të gjithë ata që derdhin kontribute për sigurimin e shëndetit të tyre. Por, kjo do të arrihet vetëm pasi të mbarojë procesi i dixhitalizimit të të dhënave shëndetësore nga Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor (ISKSH). Drejtoresha e ISKSH-së, Elvana Hana, u shpreh dje se në fund të këtij viti do të nisë aplikimi për procesin e dixhitalizimit. “Muajin tjetër do të tenderohet nga Banka Botërore softëare që do të jetë i vendosur në ISKSH dhe kjo do të bëjë të mundur që gjithë ata që janë kontraktorë me ne, dhënës të shërbimit, do të jenë të lidhur online dhe të dhënat do të vijnë në moment kur kryhet shitja e medikamentit, kur kryhet vizita e pacientit në qendrën shëndetësore apo ku kryhet regjistrimi i pacientit në spital”,- pohoi Hana. Sipas saj, ky sistem do të bëjë të mundur lidhjen me numrin e kartës së identitetit, duke mundësuar që një vit më vonë të përdoret karta e identitetit si librezë shëndetësore, në mënyrë që njerëzit të mos kenë nevojë të marrim libreza, por ta kenë thjesht në kartën e identitetit. Më tej, sipas drejtoreshës së ISKSH-së, procesi i dixhitalizimit do të shmangë fenomenin e abuzimit me barnat e skaduara si dhe problemin e shitjes së barnave të rimbursueshme nga depot. “E mira është që në të gjitha farmacitë të jetë e evidentuar kur barnat janë pranë kadencës, në mënyrë që ato të mos shiten tek pacienti dhe farmacisti ta kuptojë që në momentin e parë. Pra, të jetë në sistem kur një barne i është afruar skadenca dhe nuk duhet të shitet më”,- tha Hana. Projekti i dixhitalizimit është një proces i që ka nisur që në vitin 2006 dhe financohet nga Banka Botërore.
18 Mars 2010