E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryengritja e Filatit, Esat Toptani përgjakës atdhetarësh



Ibrahim D. Hoxha

Rrëzimi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit nga qeveria osmane pashmangshmërisht shtoi dhe fuqizoi ndjesitë për pavarësi kombëtare. Qëndrimin drejt atij synimi e ngacmonin nga dita në ditë veprimet “ku rafsha, mos u vrafsha” të zyrtarëve të papërgjegjshëm osmanë në vilajete, mytesarrëfllëke e kajmekamllëke. Grabitëritë e tyre po e lakuriqëzonin dhe e rripnin gjindjen aq keqas, sa në shtypin e kohës botoheshin shpesh e më shpesh shkrime të tillë: “Varfëria sa vete po shtohet, pagesat po rëndohen. Kam parë shumë fshatra ku njerëzia të këput shpirtin”. ǒishte edhe më keqja, të ardhurat shtetërore nuk përdoreshin për përmirësimin e vendit, po për mirakandjen e zyrtarëve dhe, kur nuk u mjaftonin, zhvatnin të tjera si “shtesë”. Krahas zhvatjeve shtetërore mbi kurrizin e popullatës rëndonin edhe grabitjet e njërit e të tjetrit zyrtar, të cilët kusaritë e tyre i arrinin nëpërmjet shpërdorimit të fuqisë zyrtare që zotëronin. Në vitet 1897-1902 kreu i rrjepësve të popullatës në vilajetin e Janinës ishte bërë kolonel Esad Toptani. Në çdo qendër rrethi (kajmekamllëk) rrethkomandantë xhandarmërie kishte vendosur gjakpirësit e vet. Kështu, përshembull, në Prévez, ai kishte vendosur grekun me origjinë nga Kreta, të islamizuar me emrin Mehmet-Ali bej Krìt; në Filat toger (mulazim-i evel) Sami Beun nga Berati etj. Ky-si dhe M-A b. Kriti në rrethet e Prévezës dhe të Margëllëçit- në Filat dhe rrethin e tij kishte vendosur thuajse haptazi drapërin. Kush nuk mbushte xhepat e tij dhe të Esat Toptanit shpejt u linte lamtumirën familjes e vendit dhe dërgohej për t’u rropatur e dergjur prej Anadolli e deri në Jemen. Kjo situatë gjithkujt ia kishte prurë shpirtin në majë të hundës, aq sa mjaftonte vetëm një shkëndijë e papërfillshme që të ndizte një flakë përvëluese, gjë e cila edhe ndodhi. Më 12 mars 1902 toger Sami Beu…thërriti në rrethkomandë Husni Hoxhën nga fshati Ninàt, njërin prej atdhetarëve më të njohur në rrethin e Filatit, kushëri i hoxhë Hasan-Tahsinit. Nën padijen se kishte strehuar atdhetarë kaçakë (firàrë), si kusht lëshimi, i kërkoi një sasi florinjsh. Kur e pa që s’vilte dot gjë, e qëlloi me pëllëmbë, po Husniu, si guximtar i njohur që ishte, ia ktheu po me pëllëmbë. Xhandarët e kapën dhe e mbyllën në të ndarën e paraburgosjes. Në paraditen e së nesërmes, –e enjte,13.3.1902, ditë pazari, - kur tregu po mbushej me fqinjarë të ardhur nga fshatrat përreth qytetit, s’dihet sesi apo se kush bëri të njohur ngjarjen e një dite më parë, e cila mbahej në fshehtësi të madhe. Fjala “mori dheun” si flaka në mbarë Pazarin, sepse Husni Hoxha nderohej nga shumëkush prej të aty-ndodhurit, disa nga të cilët miq “për kokë”. Selfo Mahmut Sejkua dhe Musa Hamit Demi nga Filati, anëtarë të kryesisë së ish-shoqërisë së më pastajme “Vëllezëria” në atë qytet: i pari me detyrë arkëtar dhe i dyti sekretar, më patën treguar: “Me qëllim që të shmangej gjakderdhja, atdhetarët, krerë të qytetit dhe ata të ardhur nga fshatrat tek kajmekami (nënprefekti) dërguan myftiun Mehmet ef. Nurrçen nga Spatari. Sami Beu kundërshtoi prerazi lëshimin e të burgosurit, kurse kajmekami heshti. Myftiu u kthye e u tha dërguesve se me Sami Beun s’ishte e mundur të flitej, “andaj bëni si t’ua marrë mëndja”. Me të dëgjuar këto fjalë, Muharrem Rushit Mustafài lëshoi kushtrimin dhe urdhëroi menjëherë rrethimin e nënprefekturës dhe të rrethkomandës së xhandarmërisë, të dyja në të njëjtin grup ndërtesash. Prijësit e grupeve sulmuese, Abedin sheh Hamit Kapetani nga Spatari dhe Jasin Murat Bejkua nga Koska, të shoqëruar nga afër prej “të krisurve” Fetah Meleq Sinani prej Koske dhe Murat Saqe Kapetani nga Spàtari, brenda pak minutash u lëshuan para portave të ndërtesave. J. M. Bejkua ngriti mauzerrin dhe e shkrehu mbi fletën e hyrjes kryesore, pas së cilës kishin ngritur vende luftimi disa xhandarë. Breshëritë e plumbave të palëve të përleshjes s’kishin të mbaruar. Pas 3-4 orësh Sami Beu urdhëroi çeljen e portave dhe nëpër to xhandarët dhe nëpunësit e armatosur tok me Sami Beun iu turrën rrëmbimthi rrethuesve, po të grirë nga breshëritë e pushkëve, vrapuan të ktheheshin nxitimthi pas hyrjeve nga ishin vërsulur. Mirëpo, rrethuesit iu qepën vetëtimthi këmba-këmbës dhe në disa prej hyrjeve arritën të futeshin brenda ndërtesave. Abedin Kapetani u gjend ballë përballë me Sami Beun. Sa të hapje e të mbyllje syrin, shkrehu 10-shen dhe e përplasi për tokë. Mirëpo, xhandarët e pranishëm e grinë me plumba dhe e lanë pa frymë. Kat pas kati e kthinë pas kthine kryengritësit pushtuan tërë ndërtesat. Xhandarët dhe nëpunësit që arritën t’i shpëtonin vdekjes, avulluan nëpër një shteg të fshehtë; ndër ta edhe kajmekàmi. Sami Beu, i mbetur gjysmë i vdekur, i cili u shpëtua nga myftiu. Kryengritësve që qitën kamën për t’i prerë kryet, u tha: “Ki vdiqi tani; di herë shpirti nuk isht xhaìs të mîrret, se isht gjunàh tek Allahu, xheleshânehù!“. Kryengritësit, duke besuar se ai kishte vdekur, e lanë dhe vazhduan luftimet. Pushteti në Filat dhe fshatrat e rrethit të tij u morën në dorë nga kryengritësit e drejtuar nga Muharrem Rushiti. Mjerisht, si për shkak se kryengritja shpërtheu befasisht, e pa organizuar, ashtu edhe për shkak se ende nuk ishin pjekur kushtet për një kryengritje të përgjithshme, vala e saj nuk mundi të shtrihej as në Çamërinë e tërë. Kështu, iu dha kohë dhe mundësi pushtetarëve që brenda disa ditëve ta shtypnin me zjarr e hekur revoltën. Për shtypjen e kryengritjes dhe rivendosjen e organeve të pushtetit osman, Valiu i Janinës, –gjenerali Çerkez Osman Pashài, - dërgoi një njësi ushtarake këmbësorësh dhe kalorësish, të drejtuar nga oficeri i xhandarmërisë së allajit (regjimentit) të Janinës, Ali bej Krìti. Duke sjellë ndërmend atë ngjarje, Musa H. Demi më ka treguar: “Bimbash (kryemìjës, major) Ali bej Kriti, me qëllim që të tmerronte popullatën, kalorësit i lëshoi nëpër treg në pikë të vrapit. I kam akoma në si shkëndëlidhat që dilë nga pehtónjtë mbi kalldrëm”. Ku me lajka e ku me gënjeshtra, e ku me ndjekje e kërcënime, brenda disa ditëve ai mundi të kapte tërë udhëheqësit, përfshi edhe kryesorin: Muharrem Rushìtin. Të lidhur me litarë pas kuajve, ata i shpuri në Janinë dhe i mbylli nëpër birucat e kalasë. Gjykata i dënoi me nga disa vjet burg secilin. Muharrem Rushitin me 101. Pas disa kohësh, njëri prej tabureve të shërbimit të detyruar prej çamërish dhe disa lebër nga Lazaràti, Muharremin dhe 5-6 nga të dënuarit më rëndë mundën t’i qitnin forcërisht prej burgut.

Ngjarjen e sapopërshkruar, Petrovìçi, përfaqësues i qeverisë Austro-Hungareze në Janinë, me tejshkrimin datë 16. 3.1902, ia bënte të ditur Ministrisë së Punëve të Jashtme në Vjenë, kont Goluhóvskit. Ai vërente se kryengritja në Filat shpërtheu sepse komandanti i xhandarmërisë arrestoi një nga “parësia:, Husni Hoxhën, ngaqë pushtetarëve nuk u dorëzoi dy firarë, të cilët disa kohë më parë ishin lëshuar me dorëzaninë e tij e që tani gjendeshin ende firarë. “Meqë në Filat –vijonte ai, - Husni Hoxha nderohet shumë, arrestimi i tij bëri bujë dhe shkaktoi zemërim të madh në qytetin që banohet thuajse tërësisht prej shqiptarësh çamë muhamedanë...”. Më tej, tregon se si u zhvillua kryengritja, numrin e të vrarëve dhe të plagosurve, shtypjen e kryengritjes si dhe shkaktarët e saj: “Unë e përsëris, se fajtorët kryesorë për ngjarjet e përgjakshme të këtyre ditëve në Filat janë valiu dhe komandanti i xhandarmërisë, Esad pasha Toptani“. Ky përndjekës atdhetarësh, –thekson Petrovìçi, - falë “lidhjeve të forta” që ka me Pallatin e Sulltanit, vepron në kokë të vet, pa pyetur fare valiun.
Kryengritja e 28.2 - 13.3.1902 në Filat çeli shtegun për kryengritjet e mëpastajme në krejt jugun shqiptar, të cilat përfunduan me ngritjen e flamurit dhe shpalljen e Pavarësisë Kombëtare.

Autori i shkrimit është historian dhe studiues i folklorit

18 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›