E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kori në Tiranë

Kori i Filarmonisë së Kosovës pritet të mbajë një koncert në Tiranë gjatë ditës së premte dhe të mërkure.

Koncertet do të mbahen nën dirigjimin e dirigjentit të Korit, Rafet Rudi, i cili ka thënë se koncerti mbahet në kuadër të festivalit: Ditët e Muzikës shqiptare.

Koncerti i parë mbahet në sallën e Akademisë së Arteve në Tiranë dhe më datën 24 tetor në Muzeun arkeologjik në Durrës. Është ky festivali qendror në Shqipëri që mbahet për shumë vite dhe që i kushtohet krijimtarisë së kompozitorëve shqiptarë, tha Rudi për Express.

Sipas tij, në programin e këtyre dy koncerteve do të interpretohen veprat muzikore të literaturës korale të kompozitorëve kosovarë, të cilët u përkasin gjeneratave të ndryshme (Lorenc Antoni, Rexho Mulliqi, Esat Rizvanolli, Mendi Mengjiqi, Baki Jashari, Valton Beqiri dhe Rafet Rudi).

Do të realizohen për herë të parë në Tiranë edhe dy vepra të reja të autorëve nga Shqipëria, Vao Tole dhe Haig Zaharian.

Rudi ka thënë se këndimi koral a capella është kultivuar në Kosovë shumë më tepër se në Tiranë dhe në vendet përreth, andaj me interes dhe kureshtje të madhe pritet paraqitja e Korit të Filarmonisë në qarqet e muziktarëve në Tiranë. Ky ansambël ka pasur edhe disa paraqitje të shkëlqyeshme në disa vende të rajonit (në Maqedoni dhe në Kroaci).

Në këtë koncert do të paraqiten edhe disa artistë dhe solistë nga Tirana dhe Kosova, si; Alma Strazimiri, mexosopran; Rikard Larja, aktor; Loren Radovani, violinist; Misbah Kaçamaku me solistët e Korit, Sanije Matoshi, Besa Llugiqi, Riad Ymeri dhe Luan Durmishi.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›