E Hënë, 2 Nëntor 2026

Korniza për një Banana-Republikë

Indiferenca me të cilën po përcillet dokumenti i ekipit negociator të Kosovës, Korniza për Mbrojtjen e të Drejtave të Komuniteteve në Kosovë, është edhe një dëshmi e topitjes, mbase edhe e shpëlarjes së trurit, që ka ndodhur për këto shtatë vite në këtë vend. Oferta që është sintetizuar në këtë dokument, e cimenton për një periudhë afatgjate një gjendje, që ka qenë rezultat i administrimit ndërkombtar civilo-ushtarak dhe i një periudhe kalimtare. Po ashtu, disa nga zgjidhjet që kanë ekzistuar lidhur me pakicat, kanë mundur të kuptohen e të pranohen në kontekstin e një shoqërie të posadalë nga lufta, por është e paimagjinueshme që ato të shndërrohen në zgjidhje edhe për një shoqëri normale dhe një shtet qytetar, çfarë synohet të krijohet pas definimit të statusit të Kosovës si shtet i pavarur. Mirëpo, ndaj zgjidhjeve që ofron ky dokument, nuk ka asnjë reagim dhe asnjë
diskutim. E tërë puna duket se i është lënë në ndërgjegje ekipit të unitetit dhe trupave të tij përfaqsuese, në mnyrë që ti lidhet kryet disi kësaj punës së statusit. Këqyrim masanej, një formulë e njohur e viteve të kaluara të politikës kosovare, është formula që e mbulon edhe këtë indiferencë.Por, kur të analizohen me vëmendje disa nga zgjidhjet që janë paraparë me
këtë dokument, është zor të mos jesh skeptik për dy gjëra, e para për standardet demokratike dhe e dyta për funksionimin e shtetit që pritet të formohet. Pse? Dokumenti shpreh pajtimin e ekipit negociator të Kosovës që njëzet vende në Kuvendin e Kosovës, i cili i ka gjithsej njëqind e njëzet ulse, me automatizëm tu takojnë komuniteteve, dhjetë serbëve e dhjetë komuniteteve të tjera. Pra, ende pa dalë në zgjedhje, komunitetet i kanë të siguruara njëzet vende në Kuvend. Në këtë mënyrë, që në start dëmtohet standari i demokracisë, sepse standardi i zgjedhjeve të lira dhe demokratike në një shtet qytetar, parakupton numërimin e votave dhe shpërndarjen e mandateve në bazë të tyre. Dhënia e mandateve jashtë standardit të votës, me kriter etnik, nënkupton dëmtimin e atyre që marirn pjesë në votime, në këtë rast dëmtimin e shumicës. Edhe me së paku dhjetë mandate që mund ti fitojnë me pjesëmarrje në zgjedhje, komunitetet, disponojnë me një të katërtën e të gjitha ulseve në Kuvend. Fuqia e kësaj vote mund të jetë paralizuese. Prandaj, diskriminimi pozitiv i komuniteteve, në këtë rast është diskriminim negativ i shumicës së popullsisë, vota e së cilës rezulton me më pak vlerë
se sa vota e pakicave.Ndërsa, në një realitet të tillë, mund të ndodhë demotivimi për pjesëmarrje
në demokraci, e kjo sjell debancimin e skenës politike, duke nxjerrë fitues edhe parti ose koalicione që realisht nuk kanë potenciale për të qeverisur vendin. Edhe më keq nga kjo që po shohim sot, sepse në kalkulimet e ardhshme, në bazë të Kornizës për Mbrojtjen e të Drejtave të Komuniteteve në Kosovë, fare lehtë mund të ndodhë që qeverinë ta drejtojë ndonjë parti a koalicion i komuniteveve, që i ka mandatet të dhuruara. Teorikisht dhe praktikisht është e mundshme, ndërkaq se a do të ndodhë vërtet, varet nga pazaret e ardhshme, që si edhe deri tash, do të sponsorizohen nga miqtë ndërkombtarë.
Funksionimi i demokracisë parlamentare me mandate të dhuruara, është i vështirë. Përvoja e këtyre viteve, kur ka ndodhur refuzimi i koalicionit serb për të marrë pjesë në punën e Kuvendit, është argument. Mirëpo, në këto
vite të administrimit ndërkombtar, pasojat nuk janë ndjerë, sepse qeverisja faktike ka qenë dhe ende është në duart e UNMIK-ut. Por, në një shtet të pavarur, ku nga puna e Kuvendit varen kualiteti i ligjeve dhe i jetës së
qytetarëve, bojkotet mund të sjellin komplikime të rënda.Dokumenti nuk e shpreh zemërgjerësinë mazohiste vetëm kur është fjala për
Kuvendin, por edhe për pjesmarrjen e garantuar në qeveri (!!!), gjë që është krejt e palogjikshme. Nëse komuniteti serb dhe komunitetet e tjera i kanë të garantuara dy poste ministrore, dhe dy poste zëvndministrash,
faktikisht i bie se kushdo që e formon qeverinë, bëhet partner i partive të
komuniteteve, sepse ato janë paraprakisht anëtare të kabinetit qeveritar! Në
këtë rast shihet puna me dy kute e komunitetit ndërkombtar. Në rastin e Maqedonisë injorohet kërkesa e një koalicioni shqiptar, BDI-PPD, për të marrë pjesë në qeveri, me motivacionin se janë fitues të zgjedhjeve në trupin elektoral shqiptar. Ndërsa në Kosovë strandardi e parasheh që edhe pa marrë fare pjesë në zgjedhje, me mandate të falura, partitë ose koalicionet e komuniteteve, domosdoshmrisht janë participuese në kabinetin qeveritar! Edhe nga praktika e qeverisë aktuale të Kosovës, mund të
formësohet një parashikim se mund të ketë bllokime të ministrive edhe në Kosovën e pavarur (si ndodh aktualisht me Ministrinë e Bujqësisë). Prandaj, minimumi që duhet bërë në Kornizë është që të parashihet marrja e mandateve të dhuruara, në rast se ndodh bojktoti për një periudhë tremujore. Nëse kjo
nuk parashihet, mund të ketë jo vetëm bllokim të punës po dhe komplikim të marrëdhnieve ndëretnike në vend.Oferta për përbërjen e Komisionit të Pavarur të Mediave është edhe më
zemërgjerë: ajo parasheh që në komisionin pesantarësh, dy antarë të jenë shqiptar, një serb, një nga komunitetet e tjera pakicë dhe një ndërkombtar. Nga kjo matematikë, nuk është zor të kuptohet se kush mund të jetë pakicë
në këtë komision! Dhe të mirret me mend se si do të hartohen e si do të zbatohen politikat e mediave në këtë vend.Përfundimisht, diskriminimi pozitiv i komuniteteve pakicë dhe diskriminim
negativ i shumicës, me anë të Kushtetutës dhe të ligjeve, nëse miratohet kjo Kornizë, është evident. Ndërsa, kjo është në kundërshtim edhe me pikën 1 të këtij dokumenti, ku thuhet se garancitë kundër diskriminimit do të jenë
pjesë e pandashme e sistemit demokratik në Kosovë. Pra, e vërteta është se me këto zgjidhje që ofrohen, promovohet diskriminimi në të dy drejtimet.E bashkuar me decentralizimin mbi baza etnike dhe me kompetencat enorme që do të kenë komunat serbe, vënia në jetë e kësaj Kornize, me këtë ofertë jashtë të gjitha standardeve demokratike, do të prodhojë çoroditje të
demokracisë dhe vështirësi në funksionimin e një qeverisjeje efikase.Por, duket se edhe për këtë rast, komuniteti ndërkombar ka një zgjidhje
praktike: do të krijoj disa faktorë të stabilitetit, të cilët do të vendosin rend e rregull, me dëgjueshmëri ekstreme ndaj tyre e me arrogancë ekstreme ndaj qytetarëve të vet. Meqë këtë punë më së miri e kryejnë politikanët dhe qeveritarët e korruptuar dhe të shantazhuar, komuniteti ndërkombtar qysh tash e ka të siguruar suksesin e vet në krijimin e një
armate politikanësh dhe qeveritarësh që do tia çojnë në vend amanetin:
krijimin e një banana- republike e cila do tu gërditet edhe idealisëtve më të mëdhenj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›