E Hënë, 2 Nëntor 2026

Të krishterët e tradhëtuar të tokës së shenjtë!

Të krishterët e harruar palestinezë
Para disa vitesh senatori Amerikan James Inhofe në një deklaratë të tij kishte pohuar: "Perëndia iu shfaq Abrahamit dhe i tha " po ta dhuroj këtë tokë, Bregun Perëndimor. Ky (konflikti palestinezo - izraelit) nuk është aspak një betejë politike, por ka të bëjë me atë se a është e njëmendtë apo jo Fjala e Perëndisë". Ndërkaq politikani tjetër nga Teksasi Dick Armey kishte qenë edhe më eksplicit "Unë ngulmoj që Izraeli ta rrëmbejë tërë Bregun Perëndimor dhe besoj se Palestinezët duhet të largohen nga atje".

Dhe kur thuhet palestinezë shumica këtu do të çojnë mendtë tek arabët myslimanë dhe Islami duke e sforcuar stereotipin se bëhet fjalë për një konflikt në njërën anë të të cilit qëndrojnë arabët myslimanë dhe në anën tjetër shteti i krijuar i Izraelit, e duke e lënë kështu mënjanë komunitetin në asgjësim të të krishterëve arabë të Tokës së Shenjtë. Shumica jashtë Lindjes së Mesme as që e dinë se ata ekzistojnë. Në praktikë, dëbimi nga shtëpitë e tyre dhe vënia e pronës së tyre në emër të Izraelitëve, i ka prekur njësoj si të krishterët ashtu edhe myslimanët arabë dhe veçanërisht të krishterët e prekur nga konflikti kanë bërë të pamundurën për ta sensibilizuar opinionin botëror se viktima të dhunës janë në të njëjtën masë edhe ata bashkë me myslimanët palestinezë. Prandaj kur Dick Armey kërkon largimin e Palestinezëve nga Toka e Shenjtë, të krishterët që jetojnë atje e dinë mirë se kjo i prek në të njëjtën masë edhe ata. Kështu që shkrimtari palestinez kristian Abe Ata, autor i 11 librave, i lindur në Betlehem, në po atë qytet ku nja dy mijë vite më parë erdhi në këtë tokë Krishti, pyetet me dëshpërim "Përse të krishterët amerikanë bëjnë sehir derisa liderët e tyre thërrasin për dëbimin e bashkëfetarëve të tyre?"
Në vitet kur u krijua shteti i Izraelit, sipas një raporti të National Catholic Reporter palestinezët e krishterë numëronin rreth 400 000 banorë, shifër kjo e cila pësoi rënie drastike të vazhdueshme gjatë viteve të konfliktit duke rënë në vetëm 60 000 sa besohet se janë momentalisht të krishterët arabë në territoret e okupuara Palestineze. Ata e shohin veten para së gjithash si arabë dhe kjo edhe ka rezultuar në një numër të madh të figurave të shquara të cilat kanë dalë nga ky komunitet dhe të cilët e kanë dhënë kontributin e tyre në përpjekjen për çlirim. Personalitete si Hanan Ashravi, Emile Habibi, Eduard Said, George Habash, Nayef Hauatmeh, Suleiman Hodali, Afif Safieh, dhe aktivistja Raymonda Tauil e cila është e ëma e gruas së presidentit të ndjerë Arafat që të gjithë ishin të krishterë dhe aktivitetet e tyre në luftën Palestineze për pavarësi kanë qenë enorme dhe të mirënjohura nga banorët Palestinezë.

Midis të dëbuarve palestinezë lidhur me luftën e vitit 1948 një numër i madh ishin të krishterë dhe sipas historianit Sami Haddad rreth 50 % të të krishterëve palestinezë të Jerusalemit Perëndimor i humbën shtëpitë e tyre si pasojë e dëbimit në kohën kur po vendoseshin themelet e shtetit hebraik. Gjithashtu rreth 30 % e tokës së rrëmbyer nga Izraeli për ndërtimin e kibucëve - ngulitjeve hebraike në tokat e okupuara ka qenë në pronësi qoftë të banorëve të krishterë ose të Kishave tradicionale kristiane palestineze dhe nuk ka pasur asnjë kompensim për marrjen e dhunshme të tyre. Shumica e të dëbuarve palestinezë kristianë gjetën strehë në kampet e refugjatëve në Gaza, Bregun Perëndimor, Siri, Jordan e Liban bashkë me bashkëkombësit tyre myslimanë e disa të tjerë u shpërngulën përgjithmonë drejt Perëndimit.
Intifada e vitit 1987, e cila më pas rezultoi në marrëveshjen paqësore Izraelito-Palestineze to Oslos, kishte në gjirin e vet një numër të konsiderueshëm të palestinezëve të krishterë. Bernard Sabella, një palestinez katolik që është anëtar i Fatahut, partisë politike të ish presidentit palestinez, dhe profesor i sociologjisë në Universitetin e Betlehemit, pohon se pjesëmarrja e të krishterëve në kryengritjet palestineze rezultoi qoftë në rënien e tyre dëshmorë, në burgosjen e tyre dhe në fshehjen e tyre të detyruar nga ndjekja e autoriteteve izraelite, dhe në përgjithësi përmbyllet në vuajtjen e njëllojtë të shtypjes sikur edhe pjesa tjetër myslimane e kombit palestinez.

Zhgënjimi nga teologjia e kristian “ sionizmit
Kristian sionizmi lindi dhe më pastaj u zhvillua deri në detaje si një besim midis disa Kishave të Krishtere, para së gjithash atyre Evangjeliste-Protestante të vendeve anglishtfolëse e sidomos Amerikës, se kthimi i hebrenjve në Tokën e Shenjtë dhe krijimi i shtetit të Izraelit më 1948 ishte përmbushje e profecive Biblike dhe se ishte një ndodhi e domosdoshme e cila pararend ardhjen e dytë të Krishtit në tokë. Shumica e të krishterëve adoptues të teologjisë së kristian sionizmit besojnë se izraelitët mbeten pjesë e popullit të zgjedhur të Perëndisë gjë që u ka dhënë këtyre imazhin e mbështetësve të Sionizmit Hebraik duke e rritur kështu hendekun e përçarjes dhe armiqësisë karshi myslimanëve. Themelues i Kristian Sionizmit modern është William Hechler (1845 - 1931) një pastor anglez me prejardhje gjermane. Kjo teologji më pastaj u popullarizua nga evangjelisti Cyrus Scofield i cili promovoi doktrinën se Jezusi nuk do të kthehej në Tokë përderisa të mos krijohej shteti i Izraelit në Palestinë dhe përderisa të mos rrënoheshin tempujt e shenjtë islamikë në Jerusalem. Në shekullin XX dhe në vazhdim kjo doktrinë u perfeksionua në aktivitetet e pastorëve më eminentë në SHBA si Franklyn Graham, Jerry Falwell, Pat Robertson, Jerry Vines disa prej tyre duke shërbyer si këshilltarë të lartë në kohëra të caktuara në administratën amerikane.
Duke pasur parasysh zhvillimin e kësaj doktrine, Kisha Palestineze u ballafaqua me një krizë të rëndësishme teologjike e cila në masë të konsiderueshme vjen nga përdorimi i Biblës si tekst themeltar i Sionzimit politik. Na'im Atek, një Palestinez i krishterë themelues i Qendrës Ekumenike Sabeel, pohon se "para krijimit të shtetit Izraelit, Dhiata e Vjetër përdorej si pjesë e Shkrimeve të Krishtere që dëshmojnë për Jezusin, mirëpo me krijimin e shtetit, hebrenjtë dhe disa të krishterë filluan ta lexojnë Dhiatën e Vjetër të shumtën si një shkrim Sionist deri në atë masë sa kjo u bë gati e neveritshme për Palestinezët e krishterë". Të krishterët palestinezë filluan ta ndjejnë veten të tradhtuar nga bashkëfetarët e tyre të cilët në vend që t'u jepnin përkrahje në përpjekjet e tyre për çlirim ata përdorën teologjinë si mbështetëse të aparatit izraelit të dhunës kundër tyre. "Konflikti aktual në Liban do ta rrisë mbështetjen për objektivat e Izraelit midis të krishterëve sionistë sepse shumica e tyre do ti interpretojnë këto ngjarje si prelud të betejës së Armagedonit dhe skenarit final të fundit të botës. Ky keqinterpretim i Biblës është një miopëri politike e cila nuk ndjen dhembje për vuajtjen e civilëve të krishterë, myslimanë apo hebrenjë" deklaron pastori Donald Wagner, themelues i Institutit për Studimin e Kristian Sionizmit. Sarah Posner, analiste dhe gazetare nga SHBA konsideron se viteve të fundit me fitoren e Republikanëve teologjia e kristian sionizmit nga kishat u ngrit në instancat më të larta të politikës amerikane duke u bërë gur themeltar i politikës së jashtme të SHBA-ve.
Kjo tollovi teologjike shpeshherë krijoi relacione krejtësisht të çuditshme midis të krishterëve palestinezë, e veçanërisht midis refugjatëve në Liban, Siri, Jordani ose në kampet brenda territoreve të okupuara, të cilët në shumë raste e gjetën veten duke simpatizuar Hamasin ose Hezbollahun të cilët përndryshe nga bashkëfetarët e tyre të krishterë në Perëndim cilësohen si terroristë islamikë.

E ardhmja e ngrysur

Palestina, toka e shenjtë nëpër të cilën kanë kaluar shumë profetë të respektuar për të tri besimet monoteiste ka një histori të gjatë të mbushur me imazhe dhe epoka nga më të ndryshmet duke filluar nga periudha magjepse e profetëve të Dhiatës së Vjetër me mësimet e tyre të cilat për shumë u shndërruan në pësime, koha e mesazhit paqësor të Krishtit dhe persekutimi i mëpastajmë i pasuesve të tij, ardhja e Islamit dhe bashkëjetesa në harmoni e të tri konfesioneve, epoka damkosëse e kryqëzatave, perandoria ëndërrimtare e Otomanëve, krijimi i dhunshëm i shtetit hebraik në tokën e palestinezëve e deri te dekadat e fundit të intifadës së pafundme dhe përpjekjeve për çlirim.
Për veprimtarin palestinezo krisitan Bernard Sabella e ardhmja e të krishterëve palestinezë në Tokën e Shenjtë duket e ngrysur. Pas shumë vitesh dëshpërim nga mosdëgjimi i zërit të tyre tek bashkëfetarët e tyre perëndimorë, vlugu i zhvendosjes së tyre nuk ka të ndalur dhe nëse vazhdon me të njëjtën tempo pas disa vitesh të krishterët në Palestinë do të jenë një kulturë, traditë dhe civilizim në zhdukje. Mirëpo specie e zhdukur do të jetë edhe humanizmi i fuqive ndërkombëtare në sytë e të cilëve një popull i tërë sakrifikohet për mirëqenien e një populli tjetër. Në ndërkohë palestinezëve, të krishterë dhe myslimanë, u ngelet të përpiqen me mish e me shpirt ta mbajnë gjallë, të paktën, shpresën e Moisiut, Jezusit e Muhamedit në këto kohëra të turbullta të padrejtësive gjigande.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›