E Diel, 1 Nëntor 2026

Kornizë ligjore me EULEX për zbatimin e mandatit të hetimeve të raportit “Marty”

27-01-2012 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha takon Kryeprokurorin e Task Force Speciale hetimore të BE-së, Clint Williams
 
Kryeministri Sali Berisha takoi dje në një takim kryeprokurorin e Task Force Speciale hetimore të BE-së, Ambasadorin Clint Williamson, i cili drejton hetimet e EULEX në lidhje me pretendimet e ngritura në raportin e Dick Martit.
Williamson e falënderoi Kryeministrin për pritjen në këtë vizitë të dytë të tij në Tiranë, e cila ka për qëllim vazhdimësinë e bashkëpunimit të vendosur gjatë vizitës së tij të mëparshme. Prokurori Williamson nënvizoi se në takimet e zhvilluara deri tani ai kishte konstatuar gatishmërinë e plotë për bashkëpunim të qeverisë shqiptare dhe e falënderoi Kryeministrin për këtë.
Në takim, bashkëbiseduesit diskutuan për nevojën e institucionalizimit të këtij bashkëpunimi. Kryeministri Berisha u shpreh plotësisht dakord me institucionalizimin e bashkëpunimit midis autoriteteve shqiptare dhe EULEX-it. Ai tregoi gatishmërinë e plotë që, sa më shpejt, të nënshkruhet një marrëveshje apo të adoptohet legjislacioni i nevojshëm për krijimin e një kornize ligjore të plotë e të qartë, e cila që do t’i sigurojë EULEX-it zbatimin e plotë të mandatit të tij në hetimin e gjithanshëm të pretendimeve të raportit të Dick Martit. Williamson e falënderoi Kryeministrin për këtë angazhim të qartë. Në përfundim të takimit u ra dakord që institucionet përkatëse të fillojnë menjëherë punën për hartimin e kësaj kornize ligjore.
Haxhinasto: Hetim akuzave të Dick Marty-t/Edhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtëm, Edmond Haxhinasto zhvilloi dje një takim me Kryeprokurorin e Task Forcës Speciale Hetimore të BE-së, Ambasadorin Clint Williamson, i mandatuar për hetimin e akuzave të ngritura në raportin e senatorit zviceran Dick Marty. Ministri Haxhinasto siguroi Williamson për mbështetjen dhe bashkëpunimin e plotë të autoriteteve shqiptare, me qëllim sigurimin e një hetimi të plotë dhe gjithëpërfshirës. Po kështu, Ministri Haxhinasto theksoi se Task Force Speciale Hetimore e BE-së ka pasur dhe do të vijojë të ketë mbështetjen maksimale të autoriteteve shqiptare si i vetmi organ zyrtar që ka juridiksionin, aftësinë dhe kapacitetet e duhura për të hetuar lidhur me çështjet e ngritura në raport. Williamson vlerësoi mbështetjen dhe gatishmërinë e ofruar nga autoritetet më të larta të vendit, në bashkëpunim me këtë organ hetimor të EULEX-it.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›