Opozita s’ka skrupuj, rreshtohet në mbështetje të zëvendësit të Bamir Topit

Kuvendi miraton me 74 vota ngritjen e komisionit hetimor për shkarkimin e Kreshnik Spahiut
Parlamenti votoi dje me shumicë votash “pro” ngritjes së komisionit hetimor 3 javor, në kuadër të procedurës për shkarkimin e zëvendëskryetarit të KLD-së Kreshnik Spahiu. Mazhoranca përmes deputetit Viktor Gumi, relatorit të kërkesës së grupit të deputetëve demokratë, argumentoi ligjshmërinë dhe bazën kushtetuese të saj.
Sipas deputetit demokrat, kërkesa përmban shkaqet për të cilat kërkohet masa e shkarkimit dhe motivacioni përkatës.
“Komisioni i Ligjeve i ka propozuar seancës plenare që t’i përgjigjet pozitivisht kërkesës së grupit të nismëtarëve dhe të miratojë për këtë qëllim projektvendimin për ngritjen e Komisionit Hetimor dhe caktimin e objektit, përbërjes dhe afatit të komisionit për shqyrtimin e kërkesës për nisjen e procedurës për shkarkimin nga detyra të Kreshnik Spahiut, zëvendëskryetar i KLD”, u shpreh Gumi.
Deputeti Gumi sqaroi se pas paraqitjes së kërkesës së deputetëve demokratë, Spahiu është lajmëruar për mundësinë që kishte për të qenë i pranishëm në seancën e Komisionit të Ligjeve, ku do të shqyrtohej kërkesa, si dhe për të paraqitur vlerësimin e tij për respekt të anës formale juridike.
“Spahiu u paraqit në mbledhjen e Komisionit, ku iu bë e ditur roli i tij, por për shkak të akteve dhe sjelljeve tendencioze, fyese dhe të papranueshme për Komisionin e Ligjeve dhe Kuvendit, mungesën e theksuar të respektit institucional dhe etikës në komunikim, vijimësinë e sjelljeve të padenja, ndonëse ato kryheshin pas paralajmërimeve, Spahiu u dëbua nga salla”, tha Gumi.
Ai sqaroi se kërkesa përmban shkaqet të mjaftueshme, për të cilat kërkohet masa e shkarkimit dhe motivacioni përkatës; respektivisht pasi janë kryer më shumë se një herë sjellje që diskreditojnë rënë figurën e anëtarit të një organi kushtetues.
“Ka të dhëna të mjaftueshme për shkelje të Kushtetutës”, theksoi Gumi.
Ndërkaq, as socialistët nuk i kursejnë kritikat dhe mosvlerësimin ndaj Kreshnik Spahiut si drejtues në KLD, por me demokratët ndajnë qëndrime të kundërta në interpretimin e Kushtetutës, vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe ligjit organik të KLD-së, lidhur me procedurën e shkarkimit.
Ndërkaq, ligjvënësi demokrat, Enkelejd Alibeaj sqaroi se “ky komision hetimor nuk i drejtohet shtetasit Kreshnik Spahiu, jo, është 1/15 e një organi Kushtetues, ka marrë dhe postin e zëvendëskryetarit. Ajo që ky komision hetimor kërkon, është përgjegjshmëria politike e Kuvendit të Shqipërisë, do duhet të marrë ndaj Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Opozita nuk do të jetë pjesë e komisionit hetimor dhe votoi kundër ngritjes së tij, por për demokratët kur drejtuesit e një organi kushtetues devijojnë detyrën, për të cilën Kuvendi i ka votuar, ligjvënësi nuk duhet t’i shmanget qëndrimit të tij politik.
Komisioni hetimor do të drejtohet nga Enkelejd Alibeaj, me anëtarë Gerti Bogdanin, Ledina Alollin, Paulina Hotin dhe Ramiz Çobajn.
Kreshnik Spahiu është ankuar se i është refuzuar kërkesa për të folur në seancë dhe si përgjigje nga administrata e Kuvendit ka marrë ftesën për të lexuar rregulloren e Kuvendit. Procedura në të vërtetë nuk i lejon zotit Spahiu të paraqitet në seancë. Te vetmen mundësi që kishte dhe e shpërdoroi ishte në komisionin e ligjeve, kur po shqyrtohej kërkesa. Spahiu tentoi të nxirrte debatin jashtë procedurës, duke marrë si përgjigje dëbimin nga komisioni.
Ky Komision Hetimor Parlamentar ka për objekt dhe detyrë të verifikojë të dhënat, faktet dhe rrethanat për aktet dhe sjelljet që diskreditojnë rëndë pozitën dhe figurën e postit të lartë kushtetues të Zëvendëskryetarit të KLD-së dhe që përbëjnë shkak ligjor për shkarkimin e tij nga detyra. Komisioni do ta zhvillojë veprimtarinë e tij brenda afatit 3-javor nga data e miratimit të këtij vendimi.
Gjithashtu, kuvendi shqyrtoi dhe u miratoi me konsensus dy projektligje dhe me shumicë votash, një akt normativ: projektligji “Për ratifikimin e konventës rajonale për rregullat preferenciale Pan-Euro-Mediteriane të origjinës”, projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr. 8951, datë 10. 10. 2002 “Për numrin e identitetit të shtetasve”, akti Normativ nr. 5, datë 28. 12. 2011, “Për një ndryshim në ligjin nr. 10418, datë 21. 04. 2011, “Për legalizimin e kapitalit dhe faljen e një pjese të borxhit tatimor dhe doganor”.
Deputetët miratuan gjithashtu projektvendimin: “Për numërimin e ligjeve dhe vendimeve të Kuvendit”.
Në përfundim, deputetët miratuan kërkesën e deputetit Kastriot Islami, për kalimin si anëtar i komisionit të Politikës së Jashtme.
Komisioni hetimor, 9 anëtarë
Mazhoranca – 5 anëtarë
Opozita – 4 anëtar
Kryetar – Enkelejd Alibeaj
Relator i çështjes – Viktor Gumi