E Shtunë, 31 Tetor 2026

Korrekt me FMN-ne Berisha Rrisim rrogat ulin borxhin

Shqipëria nuk ka asnjë përplasje me Fondin Monetar Ndërkombëtar për rritjen e rrogave dhe pensioneve. Në mbledhjen e përjavshme të kabinetit qeveritar, kryeministri Berisha, duke i cilësuar të shkëlqyera marrëdhëniet me FMN-në, tha se Shqipëria nuk po shkel asnjë nga rekomandimet e këtij organizmi, pasi borxhi i brendshëm vazhdon të mbetet 59.4%, pa pësuar asnjë rritje.

“Luajaliteti dhe vendosmëria e qeverisë është absolute, për t’ju përmbajtur me rigorozitetin më të madh treguesve të shpallur. Ne nuk rrisim borxhin, ndaj do të bëjmë një rishqyrtim të buxhetit. Borxhi nuk do të rritet në asnjë lloj mënyre. Kemi një marrëveshje me FMN-në dhe kjo marrëveshje është mosrritja e borxhit. Ne nuk kemi firmosur kurrë marrëveshje për mosrritje rrogash. ndaj nuk kemi shkelur e nuk po shkelim asnjë lloj premtimi. Ne nuk kemi marrëveshje me FMN-në për rritjen e taksave”-tha Berisha.
Kreu i qeverisë ka premtuar rritje rrogash dhe pensionesh, por kjo me një kosto në administratë.

“Zotërinj ministra, shkurtimet do të bëhen. Propozimi i Ministrisë së Financave është shumë i studiuar. Unë  e kuptoj që është e dhimbshme, por më e dhimbshme është të lësh pa rritje pensioni pensionistin, më e dhimbshme është të mos rritësh rrogat e administratës e t’i ngrish ato. do të bëhet indeksimi i pagave të larta. Ky është një lajm shumë i veçantë, sepse ky vendim merret në një kohë kur jo rritja, por ulja e madhe e rrogave është rregulli i kësaj kohe, për shkak të krizës ekonomike financiare”-theksoi ai.

Më herët, në forumin e biznesit Shqipëri-Izrael, shefi i qeverisë  ftoi bizneset izraelite për të shfrytëzuar potencialet që ofron vendi ynë. Berisha në prani të Avigdor Lieberman, Zv/Kryeministrit të Izraelit dhe njëkohësisht Ministrit të Jashtëm bëri një panoramë të mundësive për të investuar në energjetikë, industri minerare, bujqësi dhe infrastrukturë.

Elona Gjylmi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›