E Diel, 1 Nëntor 2026

Korridori 8 sjell liderët e rajonit në Tiranë



Ndërtimi dhe e ardhmja e Korridorit 8 sjell në Tiranë disa nga personalitetet më të njohura të rajonit. Kështu në vendin tonë do të mbërrijë kryeministri italian, Silvio Berluskoni, presidenti bullgar, Georgi Parvanov dhe kryeministri maqedonas, Nikolla Gruevski. Në fillim të dhjetorit, tre ministrat e transporteve të Italisë, Bullgarisë dhe Maqedonisë do të takohen me ministrin shqiptar Sokol Olldashi, pikërisht për çështjen e Korridorit 8. Italia e konsideron si prioritare ndërtimin e Korridorit 8, fakt ky që u konfirmua edhe nga shefi i diplomacisë italiane në Tiranë, Franko Fratini.

Britanikët: Pesë arsyet për të blerë pronë në Shqipëri

Disa faqe britanike interneti, të specializuara për biznes dhe ekonomi, kanë nisur të publikojnë një lajmërim të titulluar “Pesë arsyet për të blerë në Shqipëri”. Sipas tyre, Shqipëria është tërheqëse për investitorët, pasi ka inflacion të ulët, buxhet shtesë dhe qeveri stabël. Gjithashtu nënvizohet fakti se ndihma e BE-së për paraanëtarësimin do t’i mundësojë vendit të përfitojë 11 miliardë euro për periudhën 2007-2013. Si arsye e tretë përmendet rritja e mundësisë për të hyrë lehtësisht në Shqipëri, përmes terminalit të ri të aeroportit të Rinasit dhe rrugës së re drejt Vlorës. Në këtë njoftim nënvizohet, se prodhimi i përgjithshëm bruto rritet me 6 për qind në vit, me tendencë shtimi, por edhe fakti, se Shqipëria gjendet vetëm 2-3 orë larg Europës Perëndimore.

Qeveria e SHBA-veë, 20 miliardë dollarë për “Citigroup”

Qeveria amerikane do të ofrojë 20 miliardë dollarë për të ndihmuar gjigantin bankar “Citigroup”. Javën e kaluar aksionet e kompanisë ranë në 60 për qind. Qeveria do të garantojë gjithashtu rreth 300 miliardë dollarë hua dhe kredi që konsiderohen me shkallë të lartë rrezikshmërie. Marrëveshja u arrit pas bisedimeve që u zhvilluan në fundjavë mes qeverisë, Rezervës Federale dhe përfaqësuesve të “Citigroup”. Këto fonde janë pjesë e paketës 700 miliardë dollarëshe që u miratua nga Kongresi muajin e kaluar. Ndërkohë, këshilltarë të lartë të presidentit të sapozgjedhur Obama, thonë se paketa që po përgatitet nga administrata e re për të inkurajuar ekonominë, duhet të jetë shumë më e madhe nga çfarë u parashikua në fillim. Gjatë fushatës presidenciale, Obama, tha se do të nevojiteshin 175 miliardë dollarë për krizën.

25 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›