E Hënë, 2 Nëntor 2026

Zhvatja e pronave, Prokuroria e Tiranës në hetim 5 dosje “të rënda”



Habjon Hasani

Tiranë - Anarkia dhe abuzimi me pronat po lulëzon në Shqipëri. Ndërsa Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave është kthyer në “delen e zezë” të punës së Antikrimit Ekonomik në Tiranë. Vetëm gjatë muajit nëntor në Prokurorinë e Tiranës kanë mbërritur 23 denoncime të ndryshme për abuzimet me pronat. “Albania” është informuar dje pranë organit të akuzës lidhur me dosjet më të rëndësishme të pronave që ky institucion po trajton, ndërsa burime nga ky organ kanë bërë të ditur se hetimet shtrihen në një hartë të larmishme, ku disa syresh përfshijnë abuzime dhe zhvatje të dyshuara të qindra hektarëve. Duket se dosja më e nxehtë aktualisht është dosja “Gjiri i gjeneralit” ku bëhet fjalë për më shumë se 450 hektarë tokë shtetërore (ish-bazë ushtarake), që nëpërmjet një procesi të dyshuar si i falsifikuar i ka kaluar e gjithë sipërfaqja shtetërore në pronësi një familjeje të vetme, duke ia “kthyer” këtë pronë nëpërmjet një trashëgimie të pretenduar me dokumente false. Hetimi i prokurorit të çështjes është ezauruar, ndërsa dosja është në zyrën e kryeprokurorit të Tiranës, Genti Xholi. Kjo dosje implikon zyrtarë shumë të lartë të AKKP-së si dhe disa biznesmenë dhe juristë që janë implikuar në këtë histori.
Maskarada
Një sërë hetimesh (të sapofilluara) lidhen me një sipërfaqe prej 700 hektarësh, pronë në fushën e Novoselës, pranë Vlorës. Sërish precedenti i falsifikimit të dokumenteve është prezent, ndërsa dhjetëra familje kanë pretenduar zhvatjen e tokës në mënyrë të paligjshme nga një dorë e vetme që ka kryer gjithë procedurën. Çështja sapo ka filluar, ndërsa burime nga prokuroria i thanë dje “Albania”-s se “të dhënat paraprake tregojnë se sërish AKKP-ja e Tiranës ka mbështetur, madje në disa raste ka iniciuar disa procedura tërësisht të pakontrolluara dhe të paligjshme. Sipërfaqja e tokës është shumë e madhe dhe për nga mënyra dhe shpejtësia me të cilën është kryer procesi i dyshuar si antiligjor dyshohet se në të mund të jenë të implikuara interesa të fuqishme, si në rastin e “Gjirit të gjeneralit”. Por sërish nuk mund të mungonte zona e Kasharit nga lista e hetimeve. Të tjera falsifikime dokumentesh dhe tjetërsime pronash janë evidentuar (përveç rasteve që kanë kaluar në gjykatë), ndërsa sërish zyrtarë lokalë dhe biznesmenë ndërtues janë evidentuar në procese falsifikimi.
“Fazlliç”
Një tjetër “peshë e rëndë” në hetim (jo vetëm për pastrim parash) është Damir Fazlliçi. Përveç pronave të tij në Porto Romano dhe në Gjirin e Lalëzit, së fundi prokuroria ka pikasur dhe disa troje që kanë qenë më parë në pronësi shtetërore, të cilat Fazlliçi i ka blerë në qytetin e Durrësit, ku do të ndërtohet parku energjetik, tokë shtetërore. Prokuroria e Tiranës ka marrë në dorëzim dokumentacionet e ardhura nga Hipoteka e Durrësit, ku rezulton se Fazlliçi, krahas blerjes së tokës nga banorët e zonës, ka marrë me çmime qesharake edhe tokën shtetërore. Prokuroria pritet të marrë në pyetje zyrtarët e shtetit që kanë firmosur shitjen e tokës shtetërore. Pritet që në ditët në vijim në Prokurorinë e Tiranës të paraqiten personat që kanë miratuar procedurat që i kanë lejuar Fazlliçit të shtinte në duar këto prona me çmime shumë të ulëta. Sakaq, një tjetër dosje që po shqyrtohet nga prokuroria lidhet me disa dhjetëra hektarë tokë në zonën e Darzezës në Fier, ku sërish falsifikimet e biznesmenëve dhe abuzimet e zyrtarëve qendrorë të AKKP-së dyshohet se kanë shkaktuar një tjetër zonë nevralgjike të korrupsionit me trojet.

“Pensionet false”, Gjykata lë në qeli vetëm njërin nga katër të arrestuarit

TIRANË - Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë vendosi të hënën të lërë në qeli vetëm njërin nga katër personat e arrestuar pak ditë më parë për abuzime me pensionet. Gjykata caktoi masën e sigurisë së “arrestit me burg” për shtetasin Agim Mema, 57 vjeç, punonjës i Albminierës pranë Ministrisë së Ekonomisë dhe funksionar pranë Sindikatës së Minatorëve, masën “arrest shtëpie” për Zija Memën, 70 vjeç, ish-inspektor pranë Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore Tiranë, “detyrim paraqitje” për Fatbardha Selën, 57 vjeçe, ish-përgjegjëse e zyrës së Sigurimeve Shoqërore në Tiranë dhe Flora Cekën, 41 vjeçe, ish-inspektore e Verifikimit të Pensioneve në Institutin e Sigurimeve Shoqërore Tiranë. Gjatë ballafaqimit të parë me Gjykatën, të pandehurit nuk kanë pranuar akuzat e ngritura ndaj tyre nga prokuroria. Këta persona u arrestuan të shtunën gjatë operacionit të koduar “Dosja e hapur” si të dyshuar për abuzime me detyrën lidhur me skemën e dhënies së pensioneve të pleqërisë dhe të parakohshme. Nga të dhënat e prokurorisë rezulton se pas plotësimit të dokumentacionit të falsifikuar për personat e interesuar, të dyshuarit u lidhnin pension sikur ishin të punësuar pranë minierës së Mushqetasë dhe këtë aktivitet të paligjshëm e kryenin kundrejt shumave të parave 150 000 lekë për çdo shtetas.

25 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›