E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shitja e makinave, si të tregoni kujdes për të mos mbartur taksat e vjetra



Ervin KOÇI

Pas futjes në fuqi të taksave të reja për shitjen e makinave, të gjithë qytetarët që kërkojnë të blejnë një automjet duhet të tregohen të kujdesshëm. Kjo gjë duhet të bëhet sidomos në ato raste kur ata blejnë dhe përdorin një makinë me targa të huaja. Makinat me targa të huaja mund të jenë një “thikë me dy presa” për pronarët që i posedojnë, pasi në rastin më të parë që ata do të përballen me autoritet shtetërore, mund t’u duhet të paguajnë të gjitha detyrimet e prapambetura që ka pasur mjeti. Sipas ekspertëve të doganave, makinat që vijnë nga vendet e huaja në Shqipëri, në momentin e hyrjes në pikat tona kufitare, si detare ashtu dhe tokësore, u regjistrohet numri i shasisë. Kjo bëhet me qëllim që për çdo rast të konfirmohet nëse automjeti rezulton i vjedhur ose jo. Skedimi i këtij numri (nr. shashisë), të cilin çdo automjet e ka unik, bëhet në sistemin e ri elektronik që doganat shqiptare përdorin “Asicuda ++”, që sipas specialistëve është një nga sistemet më të mira elektronike në botë për doganat. Ky sistem hedh në regjistrin e të dhënave çdo automjet që futet në territorin e Shqipërisë, në një kohë që nëse automjeti del përsëri pas afatit të përcaktuar me ligj për qëndrimin e mjeteve me targa të huaja (deri në 6 muaj brenda një viti), ai çregjistrohet pas pagesës së taksës së qëndrimit. Por nëse automjeti qëndron dhe përdoret në vend dhe pronari i automjetit nuk ka bërë pagesat e taksave, atëherë këtij automjeti i llogariten dhe i mbarten të gjitha taksat. Këtu duhet të tregohen të kujdesshëm ata që kërkojnë të blejnë dhe të mbajnë një automjet me targa të huaja, ose t’ia ndryshojnë atij duke bërë pagesën e doganës së automjetit.

Si procedohet
Në se jeni duke blerë një autoveturë ose një automjet të përdorur që ka ardhur nga jashtë dhe mban targa të huaja, më parë duhet të pyesni pronarin e mjetit nëse ai i ka paguar ose jo taksat, apo e ka bërë çregjistrimin e mjetit në pikën hyrëse doganore. Kjo duhet bërë menjëherë, pasi në të kundërt, kur të shkoni për të pajisur automjetin tuaj me targa shqiptare, do t’u duhet t’i paguani edhe taksat për kohë qëndrimin në Shqipëri, të cilat i janë bartur sapo ka hyrë në territorin e vendit tonë. Kjo gjë vlen edhe për të gjithë ata individë që kërkojnë të blejnë një automjet të ri, por që automjetit të vjetër nuk i kanë hequr dhe nuk i kanë dorëzuar pranë zyrave të DTRR-së, targat e vjetra. Mos heqja nga një automjet i vjetër i targave dhe mos çregjistrimit i tyre (në rast se automjeti nuk do të përdoret më), bën që pronari i tij megjithëse nuk e ka më në përdorim, t’i llogaritet sikur e ka dhe për këtë arsye atij i barten e taksat e automjetit. Në rastin më të parë, nëse ky individ kërkon të lërë automjetin e tij në një varrezë, në rast të mospërdorimit më apo të ndonjë aksidenti, më parë duhet t’i heqë atij targat dhe t’i dorëzojë ato në institucionet shtetërore. Në të kundërt atij do t’i llogaritet sikur ka në posedim dhe përdor të dyja automjetet, edhe të riun edhe të vjetrin dhe për këtë duhet të paguajë për të dy.

Shitja
Një qytetar ka në vitin 2009 një makinë me naftë, të vitit 1996. Makina ka një cilindratë prej 2500 kubikësh. Ai e ka zhdoganuar makinën në bazë të formulës së vjetër dhe ka paguar 300 mijë lekë. Në rast se ky qytetar do të dojë të shesë makinën, ai do të paguajë taksën e shitjes së mjeteve të përdorura që është 437500 lekë, pra 137500 lekë shtesë. Në rastet e shitjes brenda vendit të automjetit, taksa nuk vilet më nga doganat, por nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor. Për mjetet që kanë paguar taksën në doganë dhe pësojnë shitje të tjera brenda vendit, ligji parashikon që taksa të jetë diferenca ndërmjet taksës së llogaritur në çastin e shitjes brenda vendit dhe asaj të paguar në doganë. Sipas këtij ligji do të ndryshojë edhe taksa që do të paguhet për makinat që importohen në Shqipëri. Sipas këtij ndryshimi, shuma që importuesi i një automjeti do të duhet të paguajë do të jetë produkt i një shumëzimi të madhësisë së motorit, vjetërsisë së automjetit dhe llojit të karburantit që ai përdor. Për sa i përket vitit të prodhimit, është propozuar që ato të shumëzohet me një koeficient fiks, ku për rastin e autoveturave për çdo vit përdorimi do të jetë 0.5.

Ndryshimet
Ndryshimet e këtij ligji përfshijnë në vetvete taksa të reja që quhen "Taksa e mjeteve të përdorura të transportit" dhe "Taksa e karbonit", çka do të thotë rritje automatike të parave që duhet të paguajnë qytetarët. Ligji prek qytetarët që blejnë një makinë si kur paguajnë në doganë, ashtu edhe kur shesin, pasi do të kenë një detyrim të ri. Për automjetet deri në 5 vite përdorimi, taksa do të ketë një ulje të lehtë. Për ato nga 6 deri në 10 vite përdorimi, taksa ka një rritje të vogël, ndërsa ato mbi 10 vite përdorimi, taksa rritet në proporcionalitet me rritjen e viteve. Referuar ligjit që tashmë ka mbërritur në Kuvend, parashikohet taksimi për të gjitha shitjet e njëpasnjëshme që mund të pësojë një mjet. Formula e përllogaritjes së taksës në këtë rast është: “cilindrat në cm3 x koeficient fiks për çdo vit përdorimi x taksë fikse për llojin e karburantit”. Taksa fikse do të jetë 25 lekë për naftën dhe 20 lekë për benzinën, koeficienti për vitet e përdorimit, 0.5 për autoveturat për çdo vit përdorimi dhe 0.25 për mjetet e tjera.

BOX////////////////////////////////
Sigurimet në gjysmën e parë të vitit, bien me 2%

Tregu i sigurimeve është në rënie. Të dhënat zyrtare nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare konfirmuan se për 6-mujorin e parë të këtij viti, tregu i sigurimeve ra me 2.15%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Rënia është më e theksuar në aktivitetin e jo-jetës, që ka pësuar një rënie vjetore me 3.3%, ndërkohë që aktiviteti i sigurimit të jetës është rritur me 7.8%. I vetmi sektor që ka pësuar një rritje të ndjeshme, me rreth 86%, është veprimtaria e risigurimit, por për shkak të peshës së ulët specifike nuk ka ndikuar shumë në rezultatin e përgjithshëm të tregut. Akoma më negative janë të dhënat për sa i takon numrit të kontratave, që për gjashtë muajt e parë të vitit pësuan rënie me 15.4% krahasuar me gjysmën e parë të vitit 2009. Edhe në numrin e policave, rënia më e theksuar vërehet në aktivitetin e jo-jetës, ku tregu ka rënë me afro 18%, ndërkohë që në veprimtarinë e sigurimit të jetës numri i kontratave është rritur me 13%. Ndërsa vlera e primeve bie, ajo e dëmeve rritet. Për gjashtë muajt e parë të këtij viti, vlera e dëmeve ishte pak më e lartë se një miliard lekë, me një rritje prej 30.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në aktivitetin e jetës dëmet u rritën me 28%, ndërsa në atë të jo-jetës me 30.5%. Raporti mes dëmeve dhe primeve është rritur ndjeshëm dhe ka arritur në 25%, nga 19% që ishte në gjysmën e parë të vitit të kaluar.

Mosdeklarimi i falimentit, 400 biznese rezultojnë borxhlinj te tatimet

Rreth 400 subjekte të biznesit të madh në Fier janë debitorë ndaj drejtorisë rajonale tatimore. Debia e këtij numri të lartë biznesesh shkon në 276 milionë lekë (të reja). Ajo është akumuluar në vite si rezultat i mospagimit të detyrimeve nga subjektet. Sipas drejtuesit të drejtorisë së mbledhjes së borxhit në drejtorinë rajonale, Bujar Jazaj, debia e krijuar rezulton në mospagimin e detyrimeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, si dhe në gjoba. Duke qenë se kjo debi nuk është shlyer edhe pas paralajmërimeve të shumta, drejtoria e tatimeve ka nisur aplikimin e sanksioneve. Këto të fundit përkojnë në vendosjen e gjobave të rënda deri dhe bllokimin e aktivitetit apo dhe të numrave të llogarisë të bizneseve debitore. Rreth 2646 subjekteve u është aplikuar masa e bllokimit të llogarive bankare. Një masë tjetër ndëshkimore është ajo e bllokimit të doganës, masë që ka prekur 67 subjekte. Por nuk mungon si masë ndëshkimore dhe ndjekja penale. Për tetë subjekte drejtoria e borxhit pranë tatimeve të Fierit është duke përfunduar procedurat e ndjekjes penale. “Vetëm për periudhën janar-qershor, me masë ndëshkimore të bllokimit të llogarive bankare, janë penalizuar 2646 subjekte të biznesit të madh dhe të vogël. Si rrjedhojë shuma kap vlerën prej 276,5 milionë lekësh. Nga borxhi i madh janë arkëtuar pas këtyre masa ndëshkimore 39 milionë lekë, që përfaqësohen nga 426 raste”,- pohon drejtori Jazaj. Ai sqaron se, “në rast të mosgjetjes së shumave të bollshme të lekëve në llogaritë bankare të administratorëve të firmave debitore, tatimet kanë ndërhyrë me bllokimin e doganave për këto biznese. Kjo masë ka ardhur si rezultat i nënshkrimit të një marrëveshjeje midis Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe asaj të Doganave”.
Sipas të dhënave zyrtare të Drejtorisë së Tatim-Taksave të Fierit gati 60% e këtij borxhi premtohet të vilet brenda vitit 2010.

30 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›