Të dhënat që duhen deklaruar për të përfituar kredi me 0 për qind
Laureta Rryçi
Në një udhëzim të posaçëm që mban firmën e ministrit Sokol Olldashi thuhet se shtohen numri i përfituesve të kredive me zero për qind, duke përfshirë disa kategori të reja familjesh në nevojë. Udhëzimi sjell ndryshime në dokumentacionin që dorëzonin aplikuesit në bashki për të përfituar këtë kredi, si dhe zgjeron numrin e dokumenteve që duhet të dorëzojnë familjet që nuk kanë marrë miratimin nga bashkia. Sipas këtij udhëzimi këtyre familjeve nuk iu humbet mundësia nëse nuk marrin statusin në bashki. Këto familje duhet të paraqiten në Entin Kombëtar të Banesave duke i shtuar dosjes edhe një sërë dokumentesh. Udhëzimi ka përcaktuar gjithashtu vlerat maksimale të banesave të cilat do të merren për bazë për përllogaritjen në 12 qarqet e vendit.
Të dhënat
Lista emërore duhet të jetë e shtypur (jo e shkruar me shkrim dore).Çdo faqe e listës emërore duhet të ketë vulën e Këshillit Bashkiak. Shkresa përcjellëse dërgohet me firmë të kryetarit të bashkisë në adresë të: BKT, Banka Kombëtare Tregtare
Bulevardi “Zhan D’Ark”, Tiranë Shkresa përcjellëse duhet të përmbajë numrin total të listës së familjeve që i dërgohen bankës si dhe faktin, nëse kjo është listë përfundimtare apo pjesore. Kopje e shkresës përcjellëse, pa listën emërore, i dërgohet edhe Ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit. Në kolonën 2 vihet emri, emri i babait dhe mbiemri i kryefamiljarit. Në kolonën 3 përbërja e familjes sipas certifikatës së gjendjes familjare. Në kolonën 4 struktura e apartamentit që përfiton sipas normave të strehimit. Në kolonën 5 me status social të familjes dhe/ose profesionin kuptohet.
Përfituesit
Skema për përfituesit e kredive me interes 0 për qind ka përfshirë disa kategori të reja. Sipas udhëzimit më të fundit thuhet se përfitojnë kredi me interes 0% edhe: Familjet që kanë qenë qiramarrës në ish-pronë private, të cilët vazhdojnë të banojnë në po të njëjtën shtëpi pronar, por që për arsye ekonomike janë ndarë nga trungu familjar para vitit 1992; Familjet që banojnë në banesat e emigrantëve politikë dhe ekonomikë; Familjet qiramarrëse banuese në ish-pronë private në qiramarrje me pronarin, para vitit 1992. Për familjet qiramarrëse në ish-pronë private, në të cilat njëri nga pjesëtarët e familjes
së certifikatës së 1992 është shkëputur nga trungu familjar dhe ka përfituar pronë, struktura që do të përfitojë kjo familje të llogaritet vetëm për pjesëtarët e tjerë që mbeten në certifikatën e 1992. Për familjet e divorcuara përfitojnë të dy familjet e krijuara mbas divorcit, por përllogaritja e përfitimit do të bëhet referuar certifikatës familjare të vitit 1992, duke pasur parasysh edhe ndarjen e familjes. Enti Kombëtar i Banesave, në dosjet që krijon për çdo qytetar që i është shtuar skemës së përfitimit, krahas dokumentacionit ekzistues dhe dokumentacionit shtesë që është përfshirë në udhëzimin e fundit, duhet të depozitojë edhe formularin e verifikimit në vend, të bërë nga komisionet e ngritura prej tij. Listat e familjeve të cilat kanë plotësuar dokumentacionin e plotë dhe janë miratuar nga Enti Kombëtar i Banesave për përfitimin e kredisë me interes 0%, i
dërgohen nga ky i fundit bankës me të cilën është nënshkruar marrëveshja me Ministrinë e Financave dhe MPPT. Pas konfirmimit nga banka për lidhjen e kontratave, EKB njofton menjëherë
bashkitë respektive dhe pronarin e banesës. Listat do të përmbajnë emrin, atësinë, mbiemrin e kryefamiljarit, strukturën e
apartamentit që përfiton, vlerën e kredisë që përfiton, sipas certifikatës familjare të muajit dhjetor 1992, e normave të strehimit referuar vendimit të Këshillit të Ministrave nr.814, datë 3.12.2004. Lista e familjeve që përfitojnë kredi me interes 3%, e miratuar me vendim të këshillit bashkiak, brenda kuotave që përcakton MPPT, bazuar në buxhetin vjetor, i dërgohet bankës me të cilën është nënshkruar marrëveshja me Ministrin e Financave dhe Ministrin e Punëve Publike dhe Transportit. Për llogaritjen e numrit të familjeve, për çdo bashki, që përfitojnë kredi me interes 3% MPPT bazohet në numrin total të përfituesve dhe në përqindjen që zënë aplikimet për strehim në një bashki
në raport me totalin. Kjo ndarje përditësohet sa herë ka informacione nga bashkitë dhe publikohet në faqen zyrtare të internetit të MPPT. Informacioni në faqen e internetit të MPPT përbën njoftim zyrtar dhe mund të përdoret nga bashkitë dhe banka e përzgjedhur. Për çdo qytet, kufiri maksimal i kreditimit për familje llogaritet sa 80% e vlerës së apartamentit të blerë në treg sipas çmimeve kufij që jepen në tabelën nr.2. Në rast se familja kërkon të kreditohet për një vlerë më të madhe, diferenca e kredisë paguhet me interesin e bankës. Të dhënat sipas tabelës nr.2 përditësohen çdo vit sipas vlerave të tregut të lirë të banesave që miratohen me udhëzimin e Këshillit të Ministrave dhe publikohen në faqen e internetit të MPPT”.
Procedurat që duhet të ndjekin ata që nuk kanë marrë statusin
Qytetarët të cilët nuk janë përfshirë në listat e dërguara nga bashkitë përkatëse, e respektivisht nuk kanë përfituar statutin me vendim të këshillit bashkiak, për t’u përfshirë në programin e kreditimit me interes 0% duhet që, përveç dokumentacionit të mësipërm, duhet të depozitojnë pranë zyrave përkatëse të Entit Kombëtar të Banesave dokumentacionin shtesë të mëposhtëm: Kopje të kontratës së qiramarrjes (me ish-ndërmarrjen komunale banesa) ose/autorizim apo vendim të lëshuar nga ish-Komiteti Ekzekutiv (origjinale ose të noterizuara); Vendim gjykate për kthim prone pronarit të ligjshëm, ose/dokument të lëshuar nga ish- NK Banesave për kalim prone në favor të pronarëve;/ose/vendim i kthimit të pronës nga Komisioni i Kthimit të Pronave pronarit të ligjshëm (origjinale ose të noterizuara)”.
30 Korrik 2010