Fondi i Mijëvjeçarit, pse dështoi deklarimi elektronik i të punësuarve
Ervin KOÇI
Subjektet e biznesit përveç deklarimit elektronik për të gjitha taksat dhe tatimet, duhet të bënin edhe deklarimin po në këtë rrugë, për të gjithë të punësuarit ose të larguarit nga puna. Ky ishte një program i ri po i bashkangjitur me atë të deklarimit on-line të taksave dhe tatimeve, që Ministria e Financave duhet ta kishte realizuar prej një viti. Sipas një fondi të akorduar nga “Fondi i Mijëvjeçarit” për Shqipërinë në fazën II, i cili kapte shumën e 15.7 milionë dollarëve dhe që do të administrohej si projekt nga USAID-i, Administrata Tatimore në bashkëpunim me Institutin e Sigurimeve Shoqërore, duhet të krijonin një sistem të përbashkët për të gjithë subjektet private. Këta të fundit nëpërmjet këtij sistemi, duhet të bënin ashti si dhe me taksat, deklarimin për çdo individ që punësonin ose largonin nga puna, me qëllim që të bazë të këtij sistemi të llogariteshin edhe kontributet e sigurimeve që subjektet duhet të derdhnin në shtet. Krijimi dhe realizimi i këtij rrjeti, do t’i kursente shtetit miliona lekë të cilët sot harxhohen për kostot e punonjësve që bëjnë inspektimet dhe verifikimet e dokumenteve për të punësuarit dhe të larguarit nga puna në ndërmarrjet dhe kompanitë private. Burime nga Ministria e Financave të pyetura nga gazeta “Albania” për këtë projekt thanë se, ai mund të konsiderohet si i dështuar dhe fondet tashmë janë djegur. “Fondet për deklarimin on-line të të punësuarve tashmë janë djegur, pasi ISSH-ja nuk mundi të koordinonte punën me DPT-në për të përfituar nga projekti i USAID-it, duke bërë që ky projekt të dështonte”, - thanë burimet nga MF-ja që nuk donin të identifikoheshin.
Projekti
Pjesë e projektit “Programi i Pragut i KSM-së, Faza II”, synonte të përmirësonte aftësitë e sistemit gjyqësor për të zgjidhur ankesat administrative, për të zvogëluar korrupsionin dhe mungesën e eficiencës në administratën tatimore, për të ngritur një qendër kombëtare për licencimin e biznesit duke përdorur modelin “one stop shop” (me një sportel të vetëm), për të krijuar një sistem transparent për dhënien e lejeve të ndërtimit, si dhe për të krijuar një Njësi të Përbashkët Hetimore Antikorrupsion në gjashtë qytete për të hetuar çështjet korruptive. Por në pjesën e projektit të deklarimit elektronik të të ardhurave në tatime, pjesa tjetër e projektit për deklarimin nga biznesi e të punësuarve, nuk mundi që të realizohej. Tatimet dhe MF-ja bëjnë përgjegjëse për këtë projekt të mbetur në tentativë ISSH-në, e cila nuk ishte e gatshme në kohën e duhur për të formatuar pjesën e saj të projektit.
Avantazhet e deklarimit
Deklarimi elektronik si për Tatimet ashtu dhe për bizneset, kursen kosto financiare, kohë, si dhe burime njerëzore, duke reduktuar numrin e vizitave në zyrat e tatimeve. Më anë të këtij sistemi subjektet mund të plotësojnë deklaratat tatimore në kompjuter dhe t’i dorëzoni ato nëpërmjet internetit. Ata kanë gjithashtu mundësinë që të bëjnë pagesën elektronike nëpërmjet sistemit e-banking, ose të shkojnë në bankë për të bërë veprimet e nevojshme. Të gjithë tatimpaguesit në të gjithë Shqipërinë kanë mundësinë të deklarojnë elektronikisht detyrimet e tyre tatimore. Të gjitha komunikimet që kryhen në sistemin e deklarimit elektronik të tatimeve janë të “enkriptuara” (të mbrojtura) në bazë të standardeve ndërkombëtare. Informacioni që futet në këtë sistem është i njëjtë me atë të dërguar në mënyrën tradicionale shkresore, por niveli i sigurisë është shumë më i lartë, kjo për arsye se ekzistojnë rregulla të qarta dhe të prera për sa i përket procedurave të hyrjes në serverin ku ai ndodhet. Për më tepër, të gjitha veprimet që kryhen lenë gjurmë dhe mund të kontrollohen në çdo kohë. I gjithë informacioni që ndodhet në sistem ruhet në një kopje të dytë për raste problemesh.
Shkurt////////////////////////////////////
Ministria e Transporteve, fushatë sensibilizuese kundër aksidenteve
Ministria e Transporteve ka iniciuar fillimin e një fushatë sensibilizuese ndaj qytetarëve, me qëllim uljen e numrit të shtuar të aksidenteve. Kjo është ajo që kanë ndërmarrë autoritete të larta të ministrisë së Transporteve, duke bërë me dije se kjo fushatë do të shtrihet në të gjithë vendin. Duke u bërë apel drejtuesve të automjeteve të respektojnë sinjalistikën rrugore, përfaqësues nga ministria e Transporteve thanë se, ky është një detyrim për të gjithë shoferët, në mënyrë që rrugët tona të mos bëhen më pre e aksidenteve fatale, të shoqëruara me dhjetëra viktima. Një i tillë ka qenë ai që tronditi para gati dy javësh zonën veriore të vendit, ku 14 persona mbetën pa jetë në vendngjarje, ndërsa 10 të terë ndodhen aktualisht në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Nis asfaltimi i aksit Bajram Curri-Valbonë, Olldashi inspekton punimet
Ministri i Transporteve, Sokoll Olldashi, ka inspektuar punimet për ndërtimin e rrugës turistike Bajram Curri-Valbonë, një investim i buxhetit me vlerë prej 1 miliardë lekësh.
Rruga ka një gjatësi totale prej 27 kilometrash, ndërkohë që ka përfunduar asfaltimi për 16 kilometrat e parë. Duke vënë në dukje ecurinë e mirë të punimeve, ministri Olldashi tha se ndërtimi i kësaj rruge ka një rëndësi të madhe për zhvillimin e turizmit malor të kësaj zone. Pas rrugës Bajram Curri-Valbonë, kreu i Transporteve ka inspektuar punimet edhe në një aks tjetër, atë Kukës-Krumë, pjesë e unazës lindore të vendit, si segment alternativ në rastin kur aksi Qafë Mali-Fierzë bllokohet nga dëbora dhe ngrica.
Shqipëri-Zvicër, marrëveshje për zhvillimin e bujqësinë organike
Ministria e Bujqësisë dhe qeveria zvicerane nënshkruan dje një marrëveshje të re bashkëpunimi për zhvillimin e bujqësisë në Shqipëri. Ky program i qeverisë zvicerane synon të mbështesë prodhimin bujqësor organik. Ministri i Bujqësisë, Genc Ruli, tha se produktet organike janë një mundësi shumë e mirë për prodhimin bujqësor shqiptar për t’u bërë konkurrues në tregjet ndërkombëtare. Gjatë fazës së parë të këtij projekti janë ngritur institucione që japin shërbime dhe mbështesin bizneset siç është “Albinspekt” për të prodhuar produkte organike. Gjatë kësaj faze, synohet rritja e eficencës së shërbimeve ndaj biznesit për prodhimin e produkteve organike cilësore, si dhe për ndërgjegjësimin e konsumatorit shqiptar për rritjen e konsumit të produkteve vendase.
Interesat bankare
Përditësimi i fundit: 28.07.2010
TRIBID 'Interesi i kërkuar për pranimin e depozitave'
o/n njëditor 4.68%
12M 12-mujor 7.04%
6M 6-mujor 6.16%
3M 3-mujor 5.37%
1M 1-mujor 5.16%
1Ë njëjavor 5.04%
TRIBOR 'Interesi i ofruar për vendosjen e depozitave'
1M 1-mujor 6.75%
1Ë njëjavor 6.43%
o/n njëditor 6.19%
12M 12-mujor 8.55%
6M 6-mujor 7.85%
3M 3-mujor 7.09%
30 Korrik 2010