E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovarët në Fier, me komedinë "Dejzilend"

Trupa profesioniste e Teatrit të Prishtinës shfaqi në skenën e teatrit "Bylis" komedinë "Dejzilend" ("Baby with the Bathwater"). Aktorët prishtinas kanë dalë para publikut fierak mbrëmjen e së enjtes, në kuadër të festivalit të aktrimit "Apolon ‘09". Loja zhvendoset nga parku ku njihen dy të rinjtë, te një dhomë ku duhet të përballojnë jetesën dhe të rritin fëmijën e tyre, të cilin e quajnë thjesht bebe, e më pas dado. Në rrjedhën e jetës së bashkëshortëve të dështuar futet dadoja, një tjetër mysafire, një vajzë e re, e cila kërkon ta marrë fëmijën pasi aty askush nuk kujdesej për të. "Dejzilend", komedia e dramaturgut amerikan Kristofer Durang, ka në qendër jetën e një djali të ri në kërkim të identitetit, me përpjekjet e tij të mëdha për të mbijetuar dhe mbi të gjitha për t‘i zgjidhur misteret dhe problemet e jetës, probleme këto, të cilat vijnë si rrjedhojë e ndikimit të mbrapshtë dhe papërgjegjshmërisë së prindërve të tij.

Aktorët Ilrire Çelaj, Ernest Malazogu, Yllka Gashi, Adriana Matoshi harmonizohen mes kujtimeve dhe përditshmërisë, duke ripohuar dhimbshëm se ajo që jetojmë sot është një zgjedhje e detyruar. Varfëria është gjithnjë e më tepër e marrëdhënieve prindërore të dështuara, me modele fikse apo trajtimi i vogëlushit si objekt pas një modeli që ata duan një fëmijë apo duke zgjidhur problemet e vetes në trajtimin me fëmijën. Fëmija jeton i trishtuar, nuk qesh, imiton të ëmën e fiksuar mbi një roman që kurrë nuk botohet, apo të atin që fshihet pas frigoriferit me shishen e alkoolit. Derisa personazhi Dejzi reagon me hartimin e tij, i cili nuk trondit askënd tjetër veç mësueses në pak çaste. Dejzi zgjedh vetëvrasjen. Po shoqëria nuk ka kohë të reagojë. Në fund të fundit, shumë autobusë shtypin njerëz. Ndërsa Dejzin fatmirësisht jo, edhe kur ai tenton vetëvrasjen. Minutë pas minute ngjarjet sjellin detaje të marrëdhënieve jetësore mes të rriturve dhe raporti me të vegjlit. Por mesazhi i shfaqjes vjen besueshëm. Përmes zërit të psikologut në dialog me Dejzin, fëmijën djalë, të rritur si vajzë kapërcehen plot 10 vite, të nevojshme për t‘u pjekur pavarësisht kujtimeve nga prindërit e dështuar dhe për të mos i fajësuar më, por për të ribërë personalitetin ashtu siç qenia dëshiron. Regjisori Agron Myftari thotë se një nga mesazhet e shfaqjes tregon se pavarësisht se nuk mund të ndryshojmë dot shumë gjëra, sërish duke ndjekur instinktin e shëndoshë, e mira të triumfojë e pangarkuar nga ndikimet e mbrapshta. "Të përpiqemi të shohim në horizont mundësinë e një jete të re, duke mos i përsëritur gabimet e të parëve tanë", shton regjisori, për të cilin ka qenë emocionues konkurrimi në Fier. Komedia "Dejzilend" është shfaqur premierë në muajin shkurt, ndërsa pritet të shfaqet edhe në skenën e Teatrit Kombëtar në Tiranë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›