E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohen dy zyrtarë të OSSH-së në Lezhë

26/09/2009  Drejtori Ujka dhe faturisti Prenga e kapën në flagrancë

Policia: I morën një biznesmeni 8 milionë lekë për energjinë

TIRANE- Operacioni i koduar “Energjia e ndërprerë” ka çuar në qeli dy punonjës të OSSH-së, në degën e Lezhës, pasi ata akuzohen për ryshfete. Aksioni i organizuar dje nga Drejtoria kundër Krimit-Financiar, në Drejtorinë e përgjithshme të Policisë së Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë e rrethit gjyqësor Lezhë dhe Drejtorinë e Policisë së qarkut Lezhë u finalizua me prangosjen e Viktor Ujkës, 45 vjeç me detyrë Kryetar i Degës së Shitjes së OSSH, dega Lezhë, me arsim të lartë dhe Gjovalin Prengës, 57-vjeç me detyrë faturist dhe specialist për ndërprerjen e energjisë. Burime zyrtare nga Policia e Shtetit thanë se dy të arrestuarit e sipërcituar për një periudhë prej rreth dy vjetësh e kanë detyruar një subjekt tregtar që t’u jepte ryshfet në një shumë prej 800.000 lekë të reja në çdo muaj. Kjo shumë merrej nga Ujka dhe Prenga në këmbim të faturimit afrofe të energjisë elektrike për një vlerë më të vogël nga sa konsumonte. Sipas policisë, e cila deklaron dëshminë e të dëmtuarit, subjekti tregtar kërcënohej se në rast se nuk do të paguante 800 mijë lekë (8 milionë) ryshfet, do t’i ndërpritej energjia elektrike dhe do të kishte faturime shumë të larta. I ndodhur në këto kushte biznesmeni, i ishte drejtuar Drejtorisë së Policisë Tiranë, në të cilën ka kryer kallëzimin penal në ngarkim të dy punonjësve të OSSH-së. Menjëherë pas këtij sinjalizimi, agjentët e policisë kanë filluar veprimet hetimore, ku kanë mbledhur një sërë provash në ngarkim të të ndaluarve. Arrestimi i tyre u krye në zyrën e OSSH, dega Lezhë, pasi i kanë marrë subjektit tregtar shumën e 500 mijë lekëve të reja si ryshfet për muajin gusht, ku disa ditë më parë i kishin marrë edhe 300 mijë lekë të reja, në këmbim të lidhjes së energjisë elektrike. Ndaj Viktor Ujkës dhe Gjovalin Prengës u mor masa e arrestit për veprën penale të “Korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike” e kryer ne bashkëpunim.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›