Reagimi; Familjarët e viktimave të Gërdecit, gati padinë për në Strasburg
Familjarët e prekur nga tragjedia e 15 marsit të vitit të kaluar në Gërdec kanë gati aplikimin për në Strasburg, ku do paditet shteti shqiptar për një proces jo të rregullt ligjor. Gjithashtu, fillimjava është gjetur si dita më e përshtatshme nga familjarët e viktimave të Gërdecit, të cilët do të depozitojnë 26 kallëzime penale ndaj ministrit Fatmir Mediu, si dhe ndaj personave që kishin në posedim “fabrikën e vdekjes”. Këta persona do të kallëzohen, sipas familjarëve të prekur nga tragjedia dhe përfaqësuesve të tyre ligjorë, si shkaktarë të vdekjes së 26 personave. “Kjo mënyrë është gjetur si më e përshtatshmja për të nxitur organin qendror të akuzës të rihapë çështjen për Mediun dhe të kërkojnë heqjen e imunitetit në Kuvend”, - janë shprehur familjarët dhe avokatja e tyre, Blerta Kraja. Mbrojtësit ligjorë të familjarëve të 26 viktimave të tragjedisë së Gërdecit kanë konfirmuar një fakt të tillë për mediat, por edhe në prani të diplomatëve dhe ekspertëve të njohur ligjorë, gjatë një takimi të zhvilluar dje në hotel “Tirana Internacional”. Në këtë takim janë diskutuar detaje të strategjisë së mbrojtjes që do të ndiqet pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, ku po zhvillohet procesi gjyqësor ndaj të pandehurve të kësaj tragjedie. Gjithashtu, pranë Prokurorisë së Tiranës pritet kallëzimi penal ndaj ministrit Mediu, ish-drejtorit të MEICO-së, Ylli Pinari, administratorit të kompanisë "Albademil", shtetasit Mihal Delijorgji dhe kunatit të tij, me detyrë drejtues teknik në fabrikën e çmontimit në Gërdec, Dritan Minxholli.