E Diel, 1 Nëntor 2026

Korrupsioni, Basha: Arrestuam 55 zyrtarë



ADI SHKEMBI

Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha tha dje se lufta kundër korrupsionit është përparësi e qeverisë shqiptare. Duke folur në ceremoninë e dorëzimit të certifikatave të trajnimit të zyrtarëve publikë për "Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Administratën Publike", ai theksoi se gjatë vitit 2009 u arrestuan 55 zyrtarë të lartë për korrupsion. "Si rezultat i kësaj lufte, Shqipëria doli të shkëputej nga fundi i listës së vendeve jo transparente, ku niveli i korrupsionit kishte kapur dimensionin e kapjes së shtetit dhe të gëzonte një ngjitje konstante dhe të vazhdueshme, që vazhdon edhe sot me të gjitha listat e hartuara jo vetëm mbi bazën e perceptimit, por edhe mbi bazën e ekspertëve evropianë dhe euroatlantik, të cilët ndihmuan dhe vazhdojnë të ndihmojnë Qeverinë shqiptare në këtë luftë jetike për progresin e vendit", tha Basha. Nga ana e saj Prezenca e OSBE vlerëson se korrupsioni mbetet një problem madhor në Shqipëri. Duke iu referuar raportit të vitit të kaluar të "Transparency International", zv.ambasadorja e OSBE në vendin tonë, Renate Herrmans tha se ky fenomen pengon thithjen e investimeve të huaja. "Disa raporte ndërkombëtare të kohëve të fundit si Indeksi i vitit 2009, i "Transparency International" për perceptimin e korrupsionit, tregojnë se korrupsioni mbetet një problem madhor në Shqipëri. Si i tillë, ai konsiderohet me të drejtë një prioritet kryesor i Qeverisë. Korrupsioni e frenon zhvillimin ekonomik të këtij vendi. Ai vepron si një pengesë për investitorët e mundshëm, prezanton një imazh negativ për vendin jashtë shtetit, i largon fondet nga programe të rëndësishme të asistencës sociale dhe dënon me varfëri shtresat më të dobëta të shoqërisë", theksoi zv.ambasadorja. Sipas saj gjatë kësaj periudhe janë ndërmarrë masa të guximshme kundër korrupsionit si miratimi i Strategjisë Kombëtare për Parandalimin dhe Luftën kundër Korrupsionit dhe për Qeverisje Transparente në tetor 2008; dhe që prej dhjetorit 2007, është futur në përdorim procedura elektronike për tatimet, prokurimet publike, licencimet dhe regjistrimin e bizneseve. "Megjithatë, këto angazhime të rëndësishme shpeshherë pengohen nga zbatimi jo i mirë dhe jo konsekuent i legjislacionit ekzistues. Duhet të krijohet një regjistër bindës verdiktesh, dënimesh dhe gjobash të ashpra në rastet e korrupsionit. Do të ishte një zhgënjim i madh nëse gjithë ky zhvillim i madh social, ekonomik dhe politik që ka bërë Shqipëria në procesin e reformave të çalonte për shkak të mos ecjes përpara në fushën e adresimit të korrupsionit", theksoi më tej zyrtarja e lartë e Prezencës të OSBE-së në Tiranë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›