Rritja e çmimit të energjisë, Rama: Gati protestat me qytetarët
Kryetari i Partisë Socialiste paralajmëron protesta për rritjen e çmimit të energjisë dhe të keqqeverisjes, që sipas Edi Ramës e kanë burimin te vota e vjedhur në zgjedhjet e 28 qershorit. Në një prononcim të shkurtër për median, pak pas mbledhjes së kryesisë së PS-së, kryetari socialist deklaroi se socialistët do të protestojnë pa u ndalur dhe bëri thirrje "çdo shqiptar që nuk është i gatshëm të pranojë keqqeverisjen, të bëhet gati për protestë". Rama deklaroi dje se PS kishte paralajmëruar një rritje të tillë të çmimit të energjisë dhe akuzon Qeverinë se nuk po mbron qytetarët e saj pavarësisht se është aksionere e kompanisë së OSSH-së. "Shqiptarët po paguajnë edhe më shtrenjtë edhe më shumë, sepse i janë faturuar edhe ditë të dhjetorit.. Sot dy javë pas shpërthimit të pakënaqësisë legjitime të qytetarëve dhe denoncimit të kësaj grabitjeje në media por edhe në foltoren e opozitës, zoti Berisha hesht edhe pse Qeveria ka 25 % të aksioneve të kompanisë që u faturon shqiptarëve dhe më shumë lekë që parashikon rritja skandaloze e çmimit të energjisë" deklaroi Rama. Kreu socialist paralajmëroi për protesta pa u ndalur kundër grabitjes se zgjedhjeve dhe keqqeverisjes aktuale të Kryeministrit Berisha. "Ne nuk kemi ndërmend të paguajmë koston e grabitjes së zgjedhjeve në faturën e energjisë, të ujit, të ushqimeve, ilaçeve dhe me radhë. Do protestojmë për këtë kosto pa u ndalur. çdo shqiptar që nuk është i gatshëm të pranojë kokulur keqqeverisjen që buron nga kutitë e mbyllura të votave të vjedhura të bëhet gati për protesta", u shpreh Rama. Sipas tij, ky është rast tipik, skandaloz, kuptimplotë, për atë që fshehin kutitë e mbyllura të 28 qershorit. Një qeveri që grabit popullin e vet, sepse votën e merr me pahir edhe nëse populli nuk ia jep. Duke dhënë vlerësimet e tij se si po u ofrohet shqiptarëve furnizimi dhe faturimi me energji, kreu opozitar tha se shqiptarët po përballen me një shërbim mizerabël. "Shërbimi mizerabël, me faturim abuziv të kilovatëve të energjisë, shpesh aforfe dhe larg çdo transparence, në shkelje flagrante të së drejtës elementare të çdo familjeje shqiptare për të mos paguar çfarë nuk konsumon, po paguhet sot duke u marrë njerëzve lekë jo vetëm më shumë, po edhe në mënyrë të paligjshme!", u shpreh Rama. Pak ditë më parë deputeti socialist Erion Braçe i kërkoi Prokurorisë të nisë procedim penal ndaj kompanisë "CEZ", të energjisë elektrike. Sipas tij, shqiptaret po paguajnë çmimet e rritura dhe energjinë e pakonsumuar, të faturave të vëna afrofe. "PS i kerkon prokurorisë të nisë procedimin penal për këtë vjedhje të madhe që po i bëhet qytetarëve shqiptarë", u shpreh Braçe. a.l
ERE, monitorim faturimit të janarit
Faturimi i energjisë me çmimin e ri të janarit që në dhjetor nga ana e OSSH-së, ka bërë që Enti Rregullator i Energjisë të nisë një monitorim të situatës. Prej më shumë se një jave ERE ka filluar të bëjë një studim të faturimit që është kryer nga ana e Operatorit të Shpërndarjes për të verifikuar se si qëndron problemi dhe nëse ka abuzim, deri në çfarë mase është ai. Burime nga Enti bëjnë të ditur se kanë përfunduar monitorimet në një sërë qytetesh dhe shumë shpejt kjo do t'i paraqitet Bordit të Drejtuesve, të cilët do të gjykojnë dhe vendosin masat që do të merren. Ndërkohë që nga ERE konfirmohet se problematika e faturimit të energjisë së dhjetorit me çmimin e ri të janarit ekziston, por jo në masën që po lakohet. Nëse Enti bindet se OSSH-ja ka abuzuar atëherë ai do të kërkojë nga kjo e fundit që të bëjë kompensim të qytetarëve. Për sa i përket problemit të mbifaturimit, ERE nuk po bën ndonjë verifikim pasi nuk ka të dhëna që OSSH ka abuzuar në këtë aspekt, duke sugjeruar se nëse ka të tilla raste qytetarët fillimisht duhet të bëjnë verifikimet pranë vetë Operatorit.