“Raporti mjek-prind,çelësi që fëmijët të trajtohen si duhet”
zirina llambro
Nëse me pacientët e rritur mjekët kanë kontakt të drejtpërdrejtë, me fëmijët gjithçka vështirësohet edhe më. Prindërit janë gjithnjë në mes. Trajtimi mjekësor, por edhe komunikimi me bluzat e bardha, më parë kalon nga ata. Shpesh bëhen vetë kuruesit e fëmijëve të tyre e nuk arrijnë të vendosin raportet e duhura me stafin mjekësor. Disa, madje neglizhojnë simptomat e sëmundjeve të të vegjëlve, çka ka kosto direkte mbi shëndetin e tyre. Vendosja e sistemit të referimit ka krijuar edhe një tjetër ngërç. Të mësuar që për shqetësimin më të vogël i drejtoheshin spitalit "Nënë Tereza", një pjesë e prindërve nuk arrijnë të kuptojnë ende rolin e mjekut të familjes. Në një intervistë për gazetën "Panorama", Raida Petrela, mjekja pediatre infeksioniste në QSU e njëkohësisht pedagoge në Fakultetin e Mjekësisë, shpjegon sa i rëndësishëm është raporti prindër-mjek në trajtimin e fëmijëve.
Te mjekët pediatër, ndryshe nga specialistët e tjerë, trajtimi i fëmijëve kalon domosdoshmërisht përmes prindërve, pra deri diku përgjegjësia është dyfish. A hasni vështirësi në punën tuaj të përditshme në raport me ta?
Padiskutim që për të arritur deri te kurimi i një fëmije të sëmurë, primar është komunikimi me prindërit. Nuk do doja të përgjithësoja, pasi ka prindër që kanë bashkëpunim të shkëlqyer me ne, por në fluksin e vizitave nuk mungojnë deri te rastet më flagrante, që shpesh na vendosin në një pozitë të vështirë. Me futjen e sistemit të referimit, është rikthyer roli i mjekut të familjes. Në vendet e tjera të Evropës e botës, prindërit edukohen që pa sjellë në jetë një fëmijë me këtë rol. Tek ne kjo pjesë ka munguar, çka bën që shumë prindër të vijnë në spital edhe atëherë kur fare mirë trajtimin mund ta marrin në ambulancë. Disa nuk arrijnë të kuptojnë që janë disa rregulla që duhen zbatuar. Në qendrat terciare si "Nënë Tereza", nuk mund të trajtohesh pa rekomandim, e pa një vizitë te mjeku i familjes. Ka sëmundje të thjeshta që nuk shtrojnë nevojën e trajtimit këtu tek ne. Ndaj në këtë aspekt doja të theksoja se nuk ka vend për konflikte, as të bërtitura dhe kryeneçësi. Prindërit duhet të jenë sa më social me mjekët. Vetëm kështu mund të arrihet vendosja e një marrëdhënieje që është në dobi të fëmijëve të tyre. Dhe kjo është çështje edukimi e kulture, të cilën ka ardhur koha ta kuptojnë të gjithë. Duhen zbatuar oraret e vizitave, dokumentacioni i fëmijëve duhet të jetë në rregull. Nuk duhen bërë fajtorë mjekët për vizitën e një fëmije që vjen direkt në spital pa zbatuar hallkat e tjera.
Ju jeni mjeke në një pavijon, ku trajtohen edhe sëmundje mjaft të rënda, a ka raste kur prindërit neglizhojnë dhe i sjellin fëmijët e tyre të përkeqësuar?
Situata është përmirësuar ndjeshëm me kalimin e viteve. Por gjithsesi raste të tilla nuk mungojnë. Siç e thashë më sipër nëse një fëmijë ka temperaturë, prindërit duhet patjetër t'i bëjnë një konsultë tek mjeku i familjes. Më pas nëse gjendja rëndohet, për më shumë se 4 ditë temperatura e fëmijës nuk ulet do të thotë që situata është serioze. Atëherë fëmija me rekomandim të mjekut të familjes i drejtohet spitalit. Dua të theksoj se ky proces është mjaft i rëndësishëm të kuptohet dhe zbatohet. Prindërit nuk duhet të neglizhojnë, sepse nganjëherë ata bëhen vetë mjekë të fëmijëve të tyre. Vendosin madje edhe t'u japin antibiotikë nga ndonjë këshillë e dhënë prej farmacistit, çka është absolutisht e gabuar. Recetën me medikamente e japin vetëm bluzat e bardha, askush tjetër.
Cilat janë disa nga sëmundjet infektive, të cilat kanë simptoma që mund të ngatërrohen nëse nuk kontaktohet me mjekët?
është një gamë e gjerë sëmundjesh që jep temperaturë te fëmijët, që nga pneumonitë e deri te forma të ndryshme të meningiteve, infeksionet urinare apo leshmanjoza. Sëmundjet infektive lënë pasoja të rënda dhe kanë nevojë për trajtim të specializuar. Psh: për sëmundjen që quhet Sepsisi Meningoksik (formë mengiti), vetëm një vizitë te pediatri mund të shpëtojë fëmijën që e ka, i cili prej saj mund të shkojë në vdekje edhe për 24 orë. Janë disa shenja të lëkurës shumë të vogla, që mund t'i dallojë vetëm një specialist. Prandaj fëmija duhet vizituar gjithnjë i zhveshur dhe prindërit madje duhet të insistojnë për këtë pjesë, pasi shpesh vetëm për një vizitë të kryer jo mirë simptomat mund të ngatërrohen dhe fëmijës t'i jepet mjekim tjetër për tjetër.