E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protestat krijojnë kaos në Orikum, stepen investitorët



VLORE/ QEMAL BIRAKU

Pas protestave të vazhdueshme të banorëve për pronat e përfituara nga ligji 7501, qyteti i Orikumit ka kaluar në kolaps. Prej disa muajsh në këtë zonë turistike janë bllokuar ndërtimet. Kjo pasi ndërtuesit kanë frikën e përplasjes me banorët, të cilët kërkojnë shfuqizimin e miratuar së fundmi për ligjin 7501. Alarmin e dha dje kreu i kësaj bashkie, Kanan Braho. Teksa renditi pasojat sociale të këtyre protestave, ai i bëri thirrje politikës së majtë, deputetëve të saj, por edhe kreut të PS-së Edi Rama që të rrinë larg Orikumit. Sipas tij, ata po e përdorin politikisht këtë situatë. Kreu i bashkisë së Orikumit doli dje në një konferencë për shtyp, duke marrë shkak nga protestat disa mujore të banorëve të zonës së Dukatit dhe Orikumit. Sipas Brahos, në qytezën bregdetare situata është rënduar me protesta dhe kërcënime të vazhdueshme ndaj institucionit të bashkisë dhe kryetarit të saj, por edhe investitorëve të kësaj zone. Kjo ka bërë, sipas tij, që Bashkia e Orikumit të bllokohet. Më tej Braho theksoi se PS-ja do që të përfitojë politikisht me vizitat e fundit në zonën e Orikumit me banorët që kanë përfituar tokë me ligjin 7501. "Deputetët socialistë vizitojnë rregullisht Orikumin, madje edhe vetë kreu i tyre Rama ka ardhur dy herë dhe është takuar me banorët protestues. Atyre nuk iu intereson realisht Orikumi apo hallet e këtyre banorëve, por kërkojnë që të shkaktojnë trazira në këtë zonë. U bëj thirrje të mbajnë duart larg nga Orikumi", u shpreh kryebashkiaku Braho. "Ka një dekret që duhet respektuar. Pavarësisht kërcënimeve dhe protestave ne do të respektojmë ligjin, dhe për çdo shkelje apo kërcënim ndaj institucionit të bashkisë si dhe kryetarit të saj do të drejtohemi në prokurori", tha ai. Braho u bëri thirrje qytetarëve të Orikumit që të mos bien pre e provokimeve. Në këtë qytezë prej shumë muajsh nuk ndërpriten protestat e banorëve që kanë qenë punonjës së ish-NB-së së Orikumit. Ata kanë bllokuar herë pas here rrugën nacionale Vlorë-Sarandë, por kanë bllokuar edhe punën e bashkisë. Gjithashtu nuk kanë munguar as përplasjet me policinë. Sipas Brahos, banorët që kanë përfituar tokën në përdorim me ligjin 7501, do të marrin në pronësi nga 300 deri në 750 metra, duke u bërë pronarë të kësaj prone me certifikatë. Ndërsa aty ku ka pronar të ligjshëm, atyre do iu jepet toka në pronësi në vend tjetër në bregdet. "Ky proces do të fillojë sa më shpejt, mbas përfundimit të disa procedurave ligjore", u shpreh Braho. Ish-punonjësit e NB-së nuk pranojnë të marrin mesatarisht nga 300 deri në 750 metra m2, por aq sa u ka dhënë ligji 7501.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›