E Diel, 1 Nëntor 2026

Uidhers rrëfen jetën në Shqipëri: Jam në fund të mandatit tim si ambasador



Alfred Peza

Ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Xhon Uidhërs flet në një intervistë për "Ora News" lidhur me tre vitet e mandatit të tij në Tiranë. Në prag të përfundimit të misionit në Shqipëri, ai nuk do të komentojë situatën politike, por flet sërish për pavarësinë e institucioneve, duke bërë një paralelizëm edhe me përvojën e afro-amerikanëve në vendin e tij.
Si është të jesh ambasador i SHBA në Tiranë, në raport me një vend tjetër, në përmbushje të detyrës suaj, por dhe në raport me klasën politike, me shoqërinë shqiptare, me mediat, me aktorë dhe faktorë të ndryshëm të jetës së vendit? është të jesh më i privilegjuar apo më i vlerësuar?
Nëse kam kuptuar pyetjen, ajo që dëshironi të thoni është jo thjesht ndjesia profesionale se çfarë do të thotë të jesh ambasador i Amerikës në Shqipëri, por ndoshta në sensin personal. Ndërsa unë jam pranë përfundimit të mandatit tim si ambasador në Shqipëri, unë e gjej veten time ndoshta duke filluar të reflektoj më thellë, mund të mendosh ndoshta për gjëra të ndryshme, ndoshta për gjëra të tjera që unë dëshiroj të bëj dhe më duhet të bëj përpara se unë të largohem. Mund të mendosh për gjëra të tjera që më kanë mbetur të papërfunduara dhe që dëshiroj që të mbarojnë, njëra prej atyre është që të mund të ndihmoj në ndërtimin e një memoriali për të gjithë ata shqiptarë, të cilët kanë shpëtuar hebrenjtë gjatë holokaustit, ne po punojmë për këtë. Ndoshta, ndjesia më e fuqishme që unë kam marrë, është aftësia e shqiptarëve për të bërë të ndihesh si në shtëpinë tënde, jo për shkak se ke një titull, jo për shkak se janë faktorë të tjerë të jashtëm, por për shkak se shqiptarët i trajtojnë miqtë me kaq ngrohtësi dhe mikpritje, saqë unë nuk e kam ndeshur askund tjetër. Të qenit në gjendje që të ulem me të rinjtë dhe të flasim për librat, të shkëmbejmë idetë rreth tyre, mundësia që të mund të ulesh me persona dhe të flasësh për poezinë, ose të dëgjosh muzikë, kam pasur mundësi që të ndjek një festival kulturor të jashtëzakonshëm në Gjirokastër, "festivalin folklorik". Aftësia e shqiptarëve që më kanë ndihmuar të kuptoj njerëzit, mënyrën se si funksionon jeta, ndjesitë që ata mbartin nga jeta dhe kjo bashkëngjitje, kjo bashkësi mes personave, kjo ka qenë gjëja më e bukur dhe më e mrekullueshme që unë kam ndeshur këtu.
Ju sapo përmendet përfundimin e mandatit tuaj, ka një kohë të caktuar?
Jo, në fakt nuk ka një datë të përcaktuar në kalendar. Do të ketë një person të ri, i cili do të emërohet dhe ka për të ecur gjatë të gjithë procesit të emërimit. Kur të ndodh kjo dhe kur të informohet publiku, atëherë ne do të kontaktojmë njëri-tjetrin dhe do të gjejmë një kohë të përshtatshme për këtë person që të mbërrijë në vend, kur do të jetë e përshtatshme për mua që të largohem nga Shqipëria. Ne dëshirojmë sipas traditës diplomatike, ne na pëlqen që të lemë një interval mes largimit të ambasadorit dhe ardhjes së ambasadorit të ri. Këto gjëra diskutohen mes palëve dhe bëhet gjëja që funksionon më mirë për të dyja palët. është shumë e rëndësishme që të kesh një ambasador në një vend sepse kjo është një shenjë e respektit dhe miqësie midis dy vendeve. Ne do të punojmë që të ketë një vazhdimësi dhe të mos ketë një largësi mes këtyre zëvendësimeve, sikurse ka pasur një vazhdimësi mes ndërrimit tim me ambasadoren Ris, duhet të ketë vazhdimësi në këtë.
Ju keni ardhur në gusht të 2007, ka lidhje kjo edhe me gushtin e 2010 apo gushtin e 2011, të përfundimit të mandatit, apo nuk është e thënë?
Gushti ndoshta mund të shërbejë si një pikënisje, si një direktivë. Nëse do të kishte diçka shumë të rëndësishme që do të zhvillohej dhe do të kishte kuptim që personi i ri që do të vinte në vend duhej të vinte, atëherë unë mund ta aranzhoj largimin tim që ky person i ri të mund të merrte pjesë në këtë veprimtari të rëndësishme. Ka pasur raste gjithsesi kur ambasadori që ishte caktuar ka pasur ndoshta një vajzë që do të martohej gjatë kohës që ishte përcaktuar dhe ndërkohë është shtyrë largimi i ambasadorit paraardhës në mënyrë që të akomodohej kjo kërkesë e ambasadorit pasardhës. Pra, është ndoshta një sistem kolegjial midis diplomatëve.
Vetëm emrin nuk i keni thënë ambasadorit të ri...
Nuk kam njohuri mbi emrin e personit që do të përcaktohet si ambasador i ri në Shqipëri. Ajo që di unë është fakti kur unë hyj në ambasadë çdo mëngjes, ne kemi një mur ku ndodhen të gjithë fotografitë e të gjithë ambasadorëve të mëparshëm në Shqipëri, duke nisur që nga vitit 1920. Tradita është, fotografia ime nuk është varur ende në atë pjesë të murit, por sipas traditës nuk do të vendoset aty derisa të largohem nga Shqipëria. Por, ajo që kam vënë re ndërsa kam parë ambasadorët e kohëve të fundit që kanë qenë në Shqipëri, ata kanë qenë miqtë e mi të ngushtë. Për shembull, Jozef Leik. Ai më ka kërkuar të jem zëvendës i tij kur ai ka qenë ambasador, që të shërbeja si zëvendësambasador i Shqipërisë shumë vite më parë, ai është një mik shumë i mirë i imi. Marisa Lino është një mike e mirë e imja, Xhejms Xhefri, Marsi Ris, gjithashtu kanë qenë miqtë e mi të mirë. Ajo që është e rëndësishme për këtë është që Shqipëria gjithmonë ka marrë ambasadorë shumë të mirë dhe unë jam tërësisht besimplotë se kushdo që do të përzgjidhet, ka për të qenë personi të cilit i është dhënë nderi për të shërbyer në Shqipëri, ka për të qenë një person i shkëlqyer dhe e them këtë pa pikë dyshimi.
Pas një ambasadori kaq të shkëlqyer sa jeni ju... Po për ju a ka një ide se ku mund të shkoni pas Shqipërisë?
Jo, nuk e di, ndryshe nga ju që po festoni ditëlindjen e 43-të. Unë jam shumë pranë moshës së daljes në pension. Ju patë bashkëshorten time, është shumë e vështirë që ne të dy të mund qëndrojmë bashkë, të shërbejmë në vende jashtë Amerikës, për shkak të rangut që ne kemi. Unë kam marrë parasysh mundësinë që të mund të dal në pension, përfshirë mundësinë e të shkruarit të disa librave, por kemi për ta marrë këtë vendim kur të vijë koha e duhur. Mua më janë ofruar disa pozicione të tjera pune dhe do të shikojmë, do të marr vendimin e duhur në kohën e duhur.
Do të na vini privatisht pas përfundimit të misionit diplomatik?
Sigurisht. Po, dua të kthehem dhe më duhet të shikoj se si do të jetë e ardhmja. Në fakt unë dua të ta parathem se si do të jetë e ardhmja e Shqipërisë.
Para se të shkoni tek e ardhmja a mund të na thoni diçka se si është e tashmja, sidomos e tashmja politike...
E tashmja politike në Shqipëri, sikurse ju e dini më mirë se sa unë, është e komplikuar. Por unë mendoj që gjëja më e rëndësishme është që e ardhmja e Shqipërisë është shumë e shndritshme, është e ndritur, është një nga gjërat që unë admiroj më shumë për Shqipërinë dhe shqiptarët, është që ju keni kaluar një histori të tmerrshme gjatë sistemit totalitar komunist. Unë konsideroj këto vite si vite të humbura, si vite gjatë të cilave Shqipëria në rrethana të tjera mund të ecte përpara shpejt. Gjithsesi ajo që është domethënëse, mbresëlënëse për Shqipërinë, është që gjatë këtyre viteve Shqipëria ka ecur kaq shpejt në kaq shumë mënyra të ndryshme dhe mendoj që ndërsa gjërat vazhdojnë, dhe zhvillohen, dhe rriten avantazhet e gjeografisë së Shqipërisë, me gjithë këto porte të bukura, me daljet në det, me gjithë këtë infrastrukturë të zhvilluar që ka për ta lejuar Shqipërinë edhe njëherë sikurse ka qenë në të shkuarën, që të mund të bëhet një udhëkryq për tregtinë dhe kulturën, dhe për njerëzit të cilët do të mund të pohojnë edhe njëherë begatinë e madhe të kombit këtu. Por, kam përshtypjen që po largohemi pak nga historia afrikano-amerikane.
Nën shembullin e historisë kombëtare afriko-amerikane, pyetja e fundit e imja përpara se t'ia kalojmë të ftuarve në studio, është një shprehje që thotë se çdo popull ka klasën politike që meriton. A e meriton populli shqiptar këtë klasë politike që ka?
Nuk jam tejet i sigurt për vërtetësinë e kësaj thënie. Pasi mua më duket sikur në një formë apo në një tjetër, shqiptarët kanë merituar perandorinë otomane, ose ilirët kanë merituar pushtimin romak. Nuk e shikoj kështu. Mendoj që shoqëritë lindin, dalin në pah dhe pastaj zhvillohen, dhe politika ndjen të njëjtën përqasje. Por, pjesa kritike në atë se si do të jetë e ardhmja e Shqipërisë do të jetë fakti, do të jenë të rinjtë e Shqipërisë sepse e ardhmja qëndron tek të rinjtë dhe ajo që të rinjtë që dëshirojnë për këtë rajon, që dëshirojnë për mbarë botën, është ajo që ka për të qenë. Ndërsa unë shikoj këta rinj dhe ndërsa unë bisedoj me ta, dhe kam pasur mundësi që t'i njohë, mendoj që e ardhmja e Shqipërisë është në duar të sigurta, në duar tejet të sigurta.
Duke e njohur pasionin tuaj për letërsinë, shkrimtari më i madh i kohëve moderne sot në Shqipëri është Ismail Kadare. Nëse do të ishte e mundur ta krahasonit me një shkrimtar afro-amerikan që mund të ketë të njëjtat vlera, si zoti Kadare për letërsinë...
Së pari, më lejoni t'ju them që kam lexuar shumë prej romaneve të Kadaresë dhe madje një pjesë të poezisë së tij. Dëshiroj ta nis me këtë, që ai është i veçantë, ai është tërësisht unik. Por, unë mbaj mend me sa kujtohet kam lexuar një libër të tillë, e cila titullohej "Kështjella", fliste për rrethimin e Krujës gjatë periudhës së Skënderbeut. Ajo që më preku mua dhe më goditi për këtë ka qenë e gjithë thellësia e këtij romani, gjithë gjerësia që përmbante ai. Nëse mendohet për romanët afrikano-amerikanë, ato në një farë mënyrë janë shumë personal dhe në këtë pikëpamje ndoshta kishte një autor afrikano-amerikan i cili mund të realizonte këtë gjë sikurse Kadareja. Kam lexuar dhe "Kronikë në gur", e cila ka folur mbi fëmijërinë e tij në Gjirokastër gjatë periudhës parë të luftës botërore dhe ne kemi një autor Riçard Vajt, i cili ka shkruar mbi gjithë mundimet dhe vuajtjet e përpjekjet e afrikano-amerikanëve ndërsa ata rriteshin. Ndoshta këtu mund të gjejmë një paralele të ngjashme. Por, Kadare është gjeni edhe është unik. Jam në mëdyshje nëse mund të bëj një krahasim të duhur për të.
Ju keni shprehur gjithmonë qëndrimin për pavarësinë e institucioneve në Shqipëri. A keni parë ju ndonjë tentativë nga ana e mazhorancës për të ndërhyrë në këto pushtete dhe a mendoni se kjo e rrezikon seriozisht demokracinë në Shqipëri?
Nuk do t'i përgjigjem kësaj pyetje. Ajo që dëshiroj të them është kjo, ju përmendet faktin që unë kam folur për institucionet e pavarura në Shqipëri për një periudhë shumë të gjatë kohe dhe ju do të dëshironit të dini pse, pse vazhdoj t'i kthehem dhe t'i rikthehem kësaj teme në mënyrë të përsëritur. Unë mendoj që kjo mund të ketë lidhje me origjinën dhe përvojën time afrikano-amerikane. Presidenti Obama mbajti një fjalim kohët e fundit kur ai po diskutonte mbi sistemin gjyqësor në Amerikë dhe ai kishte bërë gati fjalimin, por kur filloi të fliste për sistemin gjyqësor në Amerikë, ai e la mënjanë fjalimin dhe ajo që tha ishte tejet e thjeshtë. Ai tha: Unë nuk do të isha pa sistemin e drejtësisë në Amerikë, pa pavarësinë e tij, pa përmbajtjen e tij ndaj ligjit. Dhe për të gjitha gjërat për të cilët folëm, duke nisur që nga periudha e vuajtjeve, që nga periudha e aparteidit, e trajtimit si të ishte një person i klasës së dytë në vendin tonë të lindjes. Në atdheun tonë, në një situatë ku mund të kesh një Kolin Paul, Kondoleza Rajs dhe një Barak Obama, të qendërzuar në faktin që sistemi gjyqësor në fund mundi që t'i përmbahet Kushtetutës, e bëri këtë pavarësisht nga presionet e ndryshme politike, nga njerëzit që kanë dashur të ruajnë sistemin e mëparshëm. Faktin që unë flas për institucione të pavarura dhe për rëndësinë e tyre, është për shkak se unë e kam parë këtë në veprim dhe të gjithë personat të cilët adhurojnë Presidentin Obama, dhe gjithsecili që admiron aftësinë e popullit amerikan për të zgjedhur një President afrikano-amerikan për pozicionin më të rëndësishëm të kombit amerikan. Nënkupton dhe pohon që unë e respektoj një sistem të pavarur gjyqësor, ndoshta me këtë pjesë do të doja të lidhja pyetjen tuaj sonte.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›