E Shtunë, 31 Tetor 2026

Korrupsioni, Berisha kërkon ndihmën e OJF-ve

 

Qeveria kërkon ndihmën e shoqërisë civile në luftën kundër korrupsionit. Kryeministri Sali Berisha në mbledhjen e djeshme të qeverisë deklaroi se do t'i jepet përparësi aktivizimit më të gjerë të shoqërisë civile në monitorimin e korrupsionit. "Ne duhet të mendojmë për një sistem të fortë e të konsoliduar të monitorimit dhe ky sistem kalon nëpërmjet shoqërisë civile. Ajo ka meritën e zhvillimit të aftësive të domosdoshme për të përmbushur misionin, ka meritën e dytë të madhe që ka dialogun, hapjen dhe pavarësinë", u shpreh Kryeministri. Sipas tij, aktivizimi më i gjerë i shoqërisë civile në monitorimin e korrupsionit do ta bëjë luftën kundër tij më efikase. "Vendosja e një bashkëpunimi të ngushtë me shoqërinë civile do të konsolidojë mekanizmin e monitorimit të institucioneve të shtetit", deklaroi Berisha. Ai shtoi se, "shteti e ka jetik monitorimin e luftës kundër korrupsionit. Faktohet se nuk ka monitor më të mirë sesa media dhe shoqëria civile". "Ne kemi vendosur raport të veçantë me median. Pavarësisht se çfarë ato shkruajnë, me të drejtë apo të padrejtë, nuk u kërkohet asnjëherë burimi dhe kjo është shumë normale, por problemi në media është shumë serioz. Siç faktojnë të gjitha raportet, mediat, jo të gjitha, janë në kontrolle optuze. Kjo është fatkeqësi për vendin. Ndaj duhet të orientohemi drejt shoqërisë civile. Mediat të shkruajnë dhe ne jemi shumë të hapur. Por ne duhet të bëjmë çdo përpjekje që shoqëria civile të ketë të gjitha kapacitet për monitorimin e luftës kundër korrupsionit. Shteti e ka jetik monitorimin e luftës kundër korrupsionit. Ne duhet të bëjmë çdo përpjekje për të ridimensionuar mbikëqyrjen ndaj të gjithë veprimtarive publike dhe gradualisht, duke u aftësuar shoqëria civile, bëhet edhe monitori më i mirë edhe i korrupsionit në sektorin privat, gjë të cilën një farë mënyre ajo e bën", deklaroi kryeministri. Qeveria do bëjë disponibël fondin e përcaktuar për shoqërinë civile në këtë drejtim. "Në qoftë se ka një fushë ku qeveria duhet të financojë kundër vetës së saj, është kjo fushë. Qeveria duhet të financojë për ta mbajtur nën vëzhgim të rreptë, sepse ky është interesi më i mirë i saj dhe i publikut dhe vëzhgim të rreptë mund të vendosë shoqëria civile", u shpreh kreu i Ekzekutivit. Ai e cilësoi si të rëndësishme shtrirjen e monitorimit deri në fshat. Kryeministri tha se në qoftë se krijohet një rrjet i gjerë monitorimi i veprimtarive, rezultatet do të jenë të mahnitshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›