E Diel, 1 Nëntor 2026

Kodi, Klosi: Nuk do e lejojmë Berishën të rrezikojë zbatimin

 

Partia Socialiste e konsideroi si plotësim të detyrës së saj miratimin e Kodit të ri Zgjedhor dje në Parlament. Në një prononcim për mediat sekretari organizativ i kësaj partie Blendi Klosi, e cilësoi si një “proces ku PS investoi energji dhe besueshmëri në të mirë të Shqipërisë dhe shqiptarëve”. Për Partinë Socialiste dje u mbyll pjesa e parë e procesit, ndërsa sot hapet pjesa e dytë, e cila ka të bëjë me garantimin e Kodit të ri Zgjedhor dhe të një Regjistri Kombëtar zgjedhësish dhe pajisjen me karta identiteti për çdo votues. “Përgjegjësia jonë deri dje ishte të realizonim Kodin, sot e deri në zgjedhje është të mos e lejojmë Sali Berishën dhe qeverinë e tij ta rrezikojë vënien në jetë të tij, duke iu shmangur përgjegjësisë kushtetuese e ligjore për të garantuar infrastrukturën zgjedhore”, tha Klosi. Në emër të Partisë Socialiste, sekretari organizativ Blendi Klosi, nëpërmjet disa pyetjeve i bëri apel qeverisë për të dhënë një përgjigje konkrete për çështjet më poshtë: Kur Regjistri Kombëtar Elektronik i Gjendjes Civile do të konsiderohet i përfunduar? Kur çdo zyrë e gjendjes civile do të nxjerrë nga ky regjistër listat paraprake të zgjedhësve për çdo qendër votimi? Kur do të fillojë prodhimi i kartave të identitetit dhe cila do të jetë dinamika e shpërndarjes së tyre? Si do të veprohet konkretisht në praktikë për të pajisur me prioritet me karta identiteti ata zgjedhës që nuk kanë pasaporta?

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›