Nënshkruhet Protokolli i MSA me KE-në
Ministria e Punëve të Jashtme njoftoi dje se u nënshkruan Protokollet e MSA-së mes Komunitetit Evropian dhe vendeve anëtare nga njëra anë dhe Republikës së Shqipërisë, Rumanisë dhe Bullgarisë nga ana tjetër. Ministria e Punëve të Jashtme e përshëndet aktin duke shprehur rëndësinë e madhe që ka ky nënshkrim në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian. Nga pala shqiptare nënshkrimi u krye nga ambasadorja jonë në BE, Belgjikë dhe Luksemburg, Mimoza Halimi, ndërsa nga Presidenca e BE-së, Pierre Sellal, ambasador i Francës në BE, si dhe zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i DG Enlargement në Komisionin Evropian, Jan Truszczynski. Ky nënshkrim vjen pas një progres-raporti objektiv dhe pozitiv nga BE-ja, për zhvillimet dhe reformat që po bën Shqipëria. Nënshkrimi i protokolleve të MSA-së tregon edhe njëherë se Shqipëria vazhdon të zhvillojë një marrëdhënie bashkëpunimi të gjithanshëm dhe të ngushtë me Bashkimin Evropian në rrugën e saj drejt integrimit të plotë në familjen evropiane.