Gafat në atlasin e ri Gjeografik të Shqipërisë
zirina llambro
Aparenca gënjen, thotë një shprehje e vjetër. E ashtu siç ndodh rëndom tek ne, ku shpesh kopertinat e bukura të librave apo botimeve kanë brenda një përmbajtje “për tokë”, ka të ngjarë të jetë edhe këtë radhë. Nuk mundemi kurrsesi t’i lejojmë vetes që të bëjmë analiza prej historianësh e gjeografësh, por në optikën e një qytetari të thjeshtë, që ca vite shkollë i ka bërë, disa gjëra nuk mund të kalojnë pa rënë në sy. Departamenti i Gjeografisë në Universitetin e Tiranës së fundmi ka botuar Atlasin Gjeografik të Popullsisë së Shqipërisë. Drejtuesit e projektit për realizimin e këtij botimi janë: Eqerem Yzeiri e Gjovalin Gruda, profesorë të njohur në Fakultetin e Histori-Filologjisë. Një përmbledhje voluminoze dyqindfaqëshe, që të grish kuriozitetin ta shfletosh e të marrësh informacion. Kjo dëshirë të vjen sapo në faqen e parë të tij sheh të shkruar përkatësisht: “Se atlasi ka si mision “t’u përgjigjet me vërtetësi dhe saktësi kërkesave të shumta të shoqërise”. Deri këtu gjithçka në rregull. Por teksa e shfleton këtë botim përballesh me disa të dhëna që nuk i përkojnë aspak realitetit të sotëm. Në hartën fizike të Shqipërisë (faqe 35)lexon se Tirana ka 150 mijë banorë, Durrësi mbi 30 mijë, Berati mbi 10 mijë, Kruja mbi 5 mijë. Janë ende të dhënat e vitit 1985, ndonëse gjithkush e di që popullsia e sotshme në këto qytete nuk është kjo. Pra nëse në vitin 2008 të duhet një informacion i freskët, harroje. Nuk ke shanse ta marrësh. Paskërkësh qenë tepër e vështirë që për gati çerekshekulli historianët dhe gjeografët të përpilonin një hartë të re. Një fakt që tingëllon i çuditshëm e gjen në rreshtat e para të faqes 52. “Lindshmëria e përgjithshme, shënoi rritje të shpejtë gjatë viteve ’50 të shekullit të kaluar, por kulmin e arriti në vitin 1960, kur çdo grua në moshë riprodhimi kishte lindur rreth 7 fëmijë. Ky tregues ra në 5 fëmijë në vitin 1970, në më pak se 4 fëmijë në vitin 1980 dhe në 3,3 fëmijë në vitin 1990", thuhet në atlas. Sipas kësaj logjike, në vitin 1960 në Shqipëri kanë lindur mbi 488 mijë fëmijë, ndërkohë që vjetarët e kohës shkruajnë për rreth 70 mijë të lindur gjallë. “Tirana dhe Durrësi kanë pasur ndryshime të dukshme në rritjen e popullsisë: 4 herë më shpejt në rrethin e kryeqytetit se sa në atë fqinj (plus 41 % kundrejt plus 10 %),kjo sepse emigrimi i jashtëm goditi më fort Durrësin se Tiranën”.(f.60). Por në f.61 e 63, legjenda e hartës i ka të gjithë tregues negativ. Pra i bie që në intervalin kohor 1989-2001 rrethi i Tiranës të ketë pasur emigrim neto minus 37598 persona në vit. Por nëse e merr për të mirëqenë këtë shpjegi, sot në Tiranë nuk do të kishte këmbë njeriu.
Harrohen Bektashinjtë
Në pasthënësin e atlasit, në faqe 187, shkruhet: “Me vlerë të veçantë në këtë atlas janë hartat historike..., të cilat tregojnë të vërtetën”. Pra mund t’i referohesh atyre pa frikë.
Sakaq në faqen 103 jepet harta e “Strukturës fetare e popullsisë sipas prefekturave, 1927”. Informacioni i bie t’i përkasë kohës së Baba Qemos. Por edhe këtu kemi të bëjmë me një harresë të madhe. Në shpjeguesin e hartës thuhet: myslimane, ortodoks, katolike. Mungon komuniteti Bektashian. Por në fakt në Shqipëri qysh prej një shekulli ka pasur dhe ka selinë Kryegjyshata Botërore Bektashiane.
Ndërkaq në hartën “Struktura etnike e popullsisë, 1989”atlasi nuk jep asnjë të dhënë të “certifikuar”, që lexuesi i shkretë të mësojë diçka reale. “Harta e strukturës etnike të Shqipërisë është bazuar në të dhënat zyrtare të vitit 1989, të cilat janë në koherencë me shumë të dhëna të tjera të Arkivit Qendror të Shtetit për një periudhe kohore gati njëshekullore”.. Por në fakt, se cilat janë këto të dhëna nuk ke shans t’i gjesh kurrkund brenda në atlas. Përpos kësaj, edhe përsa i përket pakicave kombëtare dhe atyre etno-kulturore ka paqartësi. “Në Shqipëri hasen edhe pakica gjuhësore, si vllehtë e romët. Këto pakica, pas një procesi të gjatë historik, kushtëzuar nga faktorë të ndryshëm gjeografikë e socialë, tashmë janë pjesë e kombit shqiptar”. (f.104). Ndërkohë që sipas raporteve të dërguara në OKB, pakicat kombëtare janë: greke, maqedonase, malazeze, si dhe për pakicat etno-kulturore: arumunët e romët. Botimi konkludon me fjalët: “Atlasi Gjeografik i Popullsisë së Shqipërisë është një vepër me interes të gjerë e vlera të shumëfishta”. Padiskutim janë të tilla. Por në vitin 2008 të kesh vetëm të dhënat e “freskëta” të 20 a më shumë viteve më parë, me shumë pak prurje të reja, vlerat humbin shpejt.