E Shtunë, 31 Tetor 2026

Korrupsioni, Berisha sulmon Topin

Prishet ekuilibri i marrëdhënieve mes Presidentit Bamir Topi dhe Kryeministrit Sali Berisha. Në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, shefi i qeverisë ka sulmuar në mënyrë të drejtpërdrejtë performancën e kreut të shtetit në drejtimin e Kontrollit të Lartë të Drejtësisë. Beteja e Kryeministrit antikorrupsion, ka ndjekur nga kritikat edhe numrin një të shtetit. "Kreu i KLD nuk ka bërë reforma të mjaftueshme deri tani. Kërkohet një punë më intensive nga ana e tij", mësohet të jetë shprehur Kryeministri Berisha në mbledhjen e grupit, sipas deputetëve të Partisë Demokratike që kanë qenë prezent në mbledhjen e PD-së. Shefi i ekzekutivit ashpërson gjuhën ndaj Presidentit, duke kërkuar nga ky i fundit një përqendrim total në këtë sfidë të vetëshpallur nga Kryeministri kundër abuzimeve me detyrën për të zhdukur rrënjët e korrupsionit, duke filluar nga rrëzimi i murit të imunitetit. Sipas burimeve nga grupi i PD-së, mësohet gjithashtu se në qendër të kritikave të Kryeministrit ishte edhe Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama. Një ditë më parë, Berisha deklaroi se asnjë prokuror dhe asnjë gjykatës nuk ka ulur prapanicën në bankën e të akuzuarit, ndërkohë që një zv/ministër i kabinetit të tij ka parë hekurat e burgut, nën akuzën për abuzim me detyrën.

Marrëdhëniet e ftohta

Vazhdojnë të jenë të ftohta marrëdhëniet mes kreut të shtetit dhe Kryeministrit. Beteja politike e dy institucioneve më të rëndësishëm të shtetit, ka bërë që drejtuesit e tyre, Berisha dhe Topi t`i shtojnë njëri-tjetrit vështirësitë për gjuhën e bashkëpunimit. Marrëdhëniet Topi-Berisha kanë kohë që janë të brishta. Mosmarrëveshjet mes dy drejtuesve të lartë të shtetit nuk janë më probleme brenda partisë, por probleme mes dy institucioneve, që herë pas herë kanë sjellë një konflikt të hapur mediatik. Kthimi mbrapa nga PD-ja për emrat e parë të 5 anëtarëve të Gjykatës së Lartë, ka treguar hapur përplasjen e madhe mes Presidentit dhe Kryeministrit. Deputetët që ndihmuan Bamir Topin drejt karriges presidenciale janë treguar të pafuqishëm për të sfumuar zërin e mazhorancës, duke kthyer mbrapa dekretet. Vlen të theksohet se në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar kanë qenë një numër i reduktuar i deputetëve, të cilët njihen si mbështetës të Presidentit, ku Kryeministri ka përfituar për të hedhur hapur shashkën e radhës në drejtim të institucionit më të lartë të vendit. Brishtësia e marrëdhënieve Berisha-Topi duket se do të mbaj pezull edhe emrin e rekomanduar nga PBDNJ-ja për të zëvendësuar Kosta Barkën në Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta. Ftohja e marrëdhënieve mes Presidentit dhe Kryeministrit është vënë re që nga përplasja e dekreteve për anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe është pasuar më pas për ofensivat që Presidenti ka bërë në drejtim të Prokurorisë së Përgjithshme nga ‘kritikat‘ e njëpasnjëshme nga organet e larta drejtuese të Partisë Demokratike.

Kryeministri

Berisha: Të çlirohemi nga muri i imunitetit

Kryeministri Berisha paralajmëroi një ditë më parë heqjen e imunitetit të gjykatësve dhe prokurorëve. Në shënjestër të deklaratës së shefit të qeverisë ka qenë edhe imuniteti i Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama, e cila gëzon simpatinë profesionale të Presidentit të Republikës. Shembja e murit që mbron nga hetimi dhe prangat e drejtësisë deputetët, prokurorët, gjykatësit dhe drejtuesit e institucioneve të tjera të pavarura duket se ka çuar Kryeministrin në gjetjen e gjuhës së përbashkët për sigurimin e votave të mjaftueshme në Kuvend për të miratuar këtë kërkesë që çliron zyrtarët nga imuniteti. "Të shembet muri i imunitetit. Ka shenja pozitive. Unë jam optimist se një ujdi është e mundshme për shembjen e këtij muri", theksoi një ditë më parë Berisha. Sipas tij, "në bankën e të akuzuarit nuk e kanë ulur prapanicën asnjë gjykatës dhe prokuror, edhe kur kanë falsifikuar dosje dhe kanë liruar trafikantët e drogës, kjo është e papranueshme". Berisha sqaroi gjatë fjalës së tij se lufta kundër këtij kanceri ka rëndësi edhe nga të gjitha institucionet e këtij vendi.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›