Korrupsioni, Hasa: I hapur ndaj hetimit
Fatos Mahmutaj
“Jam i hapur të hetohem për çfarëdolloj akuze, pasi jam i pastër nga ç’më akuzojnë. Ndodhem në dispozicion të hetimit”. Gjykatësi i Elbasanit Qani Hasa, i akuzuar për “korrupsion pasiv” nga prokuroria, të cilit Këshilli i Lartë i Drejtësisë i hoqi dy ditë më parë imunitetin, e quan dashakeqësi akuzën ndaj tij. Ai thotë se do jetë në çfarëdo momenti në dispozicion të hetimit. Duke pretenduar se gjithçka bëhet për të zhvendosur vëmendjen nga problemet reale në Gjykatën e Elbasanit, ai dha dje një prononcim për “Panorama”.
Prokuroria e Përgjithshme ju akuzon për “korrupsion” dhe KLD-ja ju hoqi imunitetin, si qëndron çështja?
U njoha nga mediat se KLD-ja më kishte hequr imunitetin për t’i lënë rrugë të lirë prokurorisë që të kryente hetime ndaj meje. Kërkesa ishte shqyrtuar në mënyrë urgjente, rreth një rasti që sipas prokurorisë kishte të bënte me marrje ryshfeti. Gjithçka ka të bëjë me një çështje të gjykuar nga unë rreth katër vjet më parë për të pandehurin Geron Ocka, mbi të cilin rëndonin tre akuza. Dua të them që në atë çështje është respektuar në mënyrë korrekte ligji. Nëpër media sot (dje) është thënë se gjykata favorizoi të pandehurin, duke i dhënë gjysmën e dënimit të kërkuar nga prokurori, kjo nuk është e vërtetë. Masa e dënimit e kërkuar nga prokurori ishte 10.5 vjet burg, ndërsa gjykata dha 9 vjet. Duke llogaritur faktin se në këtë proces ishte pranuar kërkesa për aplikimin e gjykimit të shkurtuar, Ocka u dënua përfundimisht me 6 vjet burg. E thënë ndryshe prokurori kërkoi përfundimisht 7 vjet burg për të, ndërsa ne i dhamë 6 vjet. Jam i hapur të hetohem për çfarëdolloj akuze. Nuk kam bërë asnjë vepër penale.
Çfarë dini për hetimet ndaj jush?
Kallëzimi është bërë nga një shtetas me emrin Ibrahim Hoxha, i cili e ka depozituar fillimisht në Prokurorinë e Elbasanit dhe më pas në Prokurorinë e Përgjithshme. Nga verifikimet e bëra nuk ekziston ky person me këtë identitet, çka do të thotë që është bërë një kallëzim anonim, që mund të jetë pjesë e luftës së brendshme në Gjykatën e Elbasanit, apo spostim i vëmendjes nga problematika reale e kësaj gjykate dhe njëkohësisht spostimi i vëmendjes nga vendimmarrja që kishte në rend të ditës KLD-ja në mbledhjen e djeshme.
Thoni që ka një lloj dashakeqësie ndaj jush, përse?
Unë nuk mund të them ku qëndron problemi, por përderisa kemi të bëjmë me një kallëzim anonim, nga një person që nuk njihet dhe me identitet jo real, del se kemi të bëjmë me një veprim dashakeqës.
Thatë që në gjykatën e Elbasanit ka probleme të tjera, nga të cilat po spostohet vëmendja, cilat janë këto probleme?
Problemet e gjykatës së Elbasanit tashmë janë të njohura, si rezultat i konflikteve që unë kam pasur personalisht me ish-kryetarin Bujar Musta, të cilat kanë mbërritur në këtë lloj situate. Në sajë të drejtimit dhe trajtimit që ai u bënte problemeve, dhe mua personalisht, kam të drejtë të mendoj se janë veprime dashakeqe.