Tirana, kualifikim me vuajtje
Leonard Karaj
Tirana është kualifikuar për në turin tjetër të Kupës, ashtu sikundër edhe gjithë elitaret e Kategorisë Superiore.Kampionët në fuqi kthyen në favorin e tyre, nga 1-3 në 3-0, ndeshjen ndaj Luzit të vogël, skuadër që u themelua vetëm vitin e kaluar. Për të mos rrezikuar, Tirana luajti me formacionin e saj më të mirë. Miqtë luajtën pjesën më të madhe të lojës në mbrojtje, duke menduar më shumë se si të shkatërronin aksionet sulmuese të kampionëve, se sa të ndërtonin lojën e tyre. Përballë një strategjie të tillë, Tirana hasi në vështirësi dhe mungesa e golit për shumë minuta bëri që ekipi të stresohet jo pak. Madje për bardheblutë u ndëshkua me karton të kuq edhe Devolli, pas një dueli me një kundërshtar.
Në takimet e tjera ra në sy fitorja mjaft e thellë e Skënderbeut të Korçës ndaj Skraparit. Vendasit fituan 9-5 në një takim që në fund të lojës, po t’i pyesje futbollistët nuk e dinin sesa gola ishin shënuar. Kjo përballje prodhoi shumë gola edhe në ndeshjen e parë, përfunduar 5-3. Në total, në dy ndeshjet e këtij çifti, si asnjëherë tjetër në Kupën e Shqipërisë u realizuan 23 gola. Ndeshje me shumë gola ishte edhe ajo e luajtur në Shkodër, ku vendasit shkatërruan Tomorrin e Beratit falë shënjestrave të Shtubinës (tripletë) Ardit Beqirit dhe Nikës. Edhe në takimin e parë kuqeblutë kishin fituar 4-0, duke treguar një supermaci të konsiderueshme ndaj beratasve. U kualifikuan për në turin e dytë edhe Dinamo, Kastrioti, Shkumbini, Besa, Flamurtari, Gramozi si dhe Bylis, Lushnja e Kamza, nga skuadrat e Kategorisë së Parë. Është eliminuar Elbasani, i cili nuk ka mundur të shënojë në ndeshjen e dytë ndaj kamzalinjëve, duke i dhënë lamtumirën këtij kompeticioni. Ndërsa dy ndeshjet e tjera Laçi-Besëlidhja dhe Partizani-ADA, të shtyra për shkak të mungesës së fushave do të luhen javës tjetër. Porsa i përket turit të dytë, përballjet më të forta janë Bylis–Dinamo, Kastrioti–Shkumbini dhe Gramozi-Flamurtari.