E Diel, 1 Nëntor 2026

Zhduket Ibrahim Hoxha personi që denoncoi gjykatësin për korrupsion

 

TIRANE - Prej një javë qytetari Ibrahim Hoxha, i cili depozitoi kallëzimin penal ndaj gjyqtarit të Elbasanit Qani Hasa rezulton i zhdukur. Lajmin e pohojnë burime pranë hetimit të kësaj çështjeje, sipas të cilëve ndaj Hoxhës është ngritur akuza e “korrupsionit aktiv”. Sipas prokurorisë, ky është personi që i ka ofruar paratë gjykatësit Hasa për të përfituar një dënim më të lehtë për të afërmin e tij Geron Ocka. Por ndryshe nga çfarë priste, Hoxha është zhgënjyer dhe ka paditur në prokurori. Për më tepërt organi i akuzës pretendon se disponon një CD me materiale audio dhe video, që në fakt janë përgjime që i janë bërë gjykatësit Hasa. Tashmë kjo po analizohet dhe në bazë të saj është ngritur akuza ndaj gjykatësit të Elbasanit. Mendohet se ngritja e akuzës nga Hoxha është arsyeja për të cilën ai është larguar në drejtim të paditur, në mënyrë për t’i shpëtuar prangave. Dy ditë më parë Prokuroria e Përgjithshme pohoi zyrtarisht se Këshilli i Lartë i Drejtësisë pranoi kërkesën e këtij institucioni për heqjen e imunitetit të gjykatësit Qani Hasa, i akuzuar për “korrupsion pasiv”. Sipas prokurorisë, Hasa, disa vite më parë ka konsumuar akuzën duke përfituar një shumë prej 3 milionë lekësh të vjetra nga të afrimit e një personi që po gjykonte për akuzat “kultivim narkotikësh” dhe “armëmbajtje pa leje”. Sipas prokurorisë, në fund të procesit gjykata kishte dhënë 5 vjet burg, nga 10.5 që kishte kërkuar prokuroria për të pandehurin Geron Ocka. Kurse vetë gjykatësi Hasa pohoi se trupi gjykues që ai kryesonte kishte dhënë 9 vjet burg për Ockën, pra një vit e gjysmë më pak nga ç’kishte kërkuar prokuroria. Procesi ndaj Ockës është përfunduar në Gjykatën e Elbasanit në vitin 2006, ndërsa pak muaj më vonë është shqyrtuar edhe nga Gjykata e Apelit të Durrësit, e cila ka lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë. Sipas prokurorisë në këtë kohë është bërë edhe kallëzimi i qytetarit Ibrahim Hoxha ndaj gjykatësit Qani Hasa. Ende nuk dihet arsyeja pse kallëzimi në ngarkim të gjyqtarit nuk është më parë në lëvizje nga drejtësia.          fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›