Korrupsioni, PD: Rama, ryshfete me lejet e ndërtimit
Demokratët iu kundërpërgjigjën dje deklaratave të kryesocialistit Edi Rama, lidhur me korrupsionin e lartë në vend, duke e akuzuar atë për ryshfetin me lejet e ndërtimit. Gjatë një konference për shtyp në selinë blu, zëdhënësi i Partisë Demokratike, Gerti Bogdani, kritikoi “kryetarin me korrespondencë të Bashkisë së Tiranës, për mohimin që po u bën rezultateve të Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit, të cilat i kanë vlerësuar të gjithë raportet e ndërkombëtarëve”. Sipas tij, “me deklaratën e tij, Edi Rama, doli vetëm për të bërë shpifjet, trillimet dhe sulmin e radhës ndaj Kryeministrit”. “Lidhur me këto shpifje dhe trillime të z. Rama, detyrohemi t’i kujtojmë se kampion dhe shtyllë e korrupsionit në Shqipëri është personalisht z. Rama, pasi ryshfetet për lejet e ndërtimit apo tenderimet që i bën nga 3-4 herë një objekti, atë e bëjnë të njohur në botën e korrupsionit jo vetëm në Shqipëri, por në Ballkan dhe në botë”, - tha Bogdani.