E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kanadaja brenda javës bën ratifikimin e Protokollit të NATO-s

Kanadaja do të ratifikojë Protokollin e Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO brenda një jave. Zv.presidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, deputeti i Partisë Demokratike, Aleksandër Biberaj, gjatë vizitës në Ukrainë, zhvilloi takime të veçanta me ministrin kanadez të Emigracionit, z. Xhezën Keni (i dërguari i Kryeministrit kanadez, Harper). Prej tij ai mori konfirmimin se brenda javës, Parlamenti kanadez (Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati) do të ratifikojnë Protokollin e Anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO. Gjatë qëndrimit në Kiev, në kuadër të Forumit Ndërkombëtar për 75-vjetorin e Holodomorit, z. Biberaj është takuar me Presidentin e Ukrainës, z. Jushenko, me Kryeministren, znj. Timoshenko, me ministrin e Jashtëm, z. Ogrizko, si dhe me Presidentin e Polonisë, z. Kaxinski, me Presidentin e Letonisë, z. Zatlers, me Presidentin e Lituanisë, z. Adamkus, me zv.presidentin e Parlamentit Evropian, z. Adam Bilan, me kryetaren e Parlamentit të Estonisë, znj. Enë Ergma, si dhe me kryetarë të delegacioneve nga vende të ndryshme, pjesëmarrëse në forum. Në këto takime z. Biberaj ka diskutuar për marrëdhëniet e KE-së me këto vende si dhe për marrëdhëniet e dyanshme të Shqipërisë me këto vende. Në përfundim të Forumit Ndërkombëtar për 75-vjetorin e Holodomorit, në qendër të Kievit, është përuruar një memorial madhështor në nderim të viktimave të komunizmit, ku z. Biberaj vendosi një kurorë në emër të KE-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›