E Shtunë, 31 Tetor 2026

NALAS: Kriza globale mbërrin tek qeverisjet vendore

Vendet e Evropës Juglindore ndihen të rrezikuara nga kriza globale. Specialistët evropianë u mblodhën dje në Tiranë, në Asamblenë e Përgjithshme të Rrjetit të Shoqatave të Autoriteteve Vendore të Evropës Juglindore (NALAS), nga ku diskutuan për masat e menjëhershme që duhen marrë nga qeveritë vendore ndaj këtij rreziku. Presidenti i NALA-s, Tarzan Milloshevic, evidentoi faktin se efekti i krizës globale ka prekur pak qeverisjet vendore të Evropës Juglindore. Ai apeloi se qeverisjet vendore duhet të jenë të përgatitura dhe të përfitojnë nga rreziqet që mund të vijnë. Sipas tij, qeverisja qendrore duhet të besojë në qeverisjet vendore, duke sjellë sa më shpejt politika që ndikojnë në ekonomi. Kurse presidenti i Kongresit të Autoriteteve Lokale në KE, Javuz Mildon, vuri në dukje se nuk është vetëm Shqipëria vendi i cili nuk është prekur nga kriza globale. “Por, ajo që është e rëndësishme, është të merren masat për të gjitha vendet që nuk janë prekur. Dhe Këshilli i Evropës është gati për të ndihmuar. I ftuar në panelin e mbledhjes së djeshme, të organizuar nga shoqata kombëtare e bashkive, ishte dhe Kryeministri Sali berisha, i cili renditi disa nga etapat e kaluara të qeverisë që ai kryeson për decentralizimin e pushtetit lokal, duke kërkuar mbështetje të të gjitha forcave politike për hartën e re dhe zvogëlimin e qarqeve në vend. “Ne jemi të vendosur të marrim një ndarje konsensuale që kërkon konsensus, por të gjitha forcat kryesore të vendosura janë të bindura se duhet të bashkëpunojmë për kompletimin e kësaj reforme në një kohë sa më të shkurtër”, - u shpreh Berisha. Po në këtë linjë, qeveria do të përgatisë një projektligj të ri për të siguruar një sistem të ardhurash progresive në favor të qeverisjes lokale. Këtë bëri të ditur Kryeministri Berisha gjatë fjalës së mbajtur në konferencën e shoqatës së autoriteteve lokale të Evropës Juglindore. Kryeministri foli për hapat që ka marrë në drejtim të decentralizimit të pushtetit vendor me qëllim rritjen e cilësisë së shërbimeve për komunitetin. Z. Berisha foli edhe për nevojën e ndarjes administrative të vendit, reformë e cila natyrisht kërkon konsensusin e të gjitha forcave kryesore politike të vendit për kompletimin e saj në një kohë sa më të shkurtër.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›