Oketa, Goma: Shqipëri - Egjipt, bashkëpunim ushtarak
Ministri i Mbrojtjes, z. Gazmend Oketa, priti dje ambasadoren e Egjiptit në Tiranë, Amina Goma. Ministri Oketa, pasi i uroi mirëseardhjen në këtë takim ambasadores Goma, e falënderoi atë sidomos për bashkëpunimin midis dy vendeve tona. Më tej, ministri Oketa i bëri diplomates egjiptiane një pasqyrë të shkurtër mbi ecurinë e reformave në Forcat tona të Armatosura, arritjet e shënuara në këtë proces dhe angazhimin e strukturave ushtarake për plotësimin e të gjitha standardeve me qëllim që vitin e ardhshëm Shqipëria të pranohet si anëtare me të drejta të plota në NATO. Nga ana e saj, ambasadorja e Republikës së Egjiptit në Tiranë, Amina Goma, e përgëzoi z. Oketa për arritjet e FA-ve shqiptare në rrugën drejt integrimit euroatlantik. Ajo u ndal veçanërisht në forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve midis dy vendeve tona, duke e fokusuar më shumë këtë në kuadër të “Dialogut të Mesdheut”. “Marrëdhëniet tona në fushën ushtarake, - nënvizoi kryediplomatja egjiptiane në Tiranë, - duhet të forcohen më shumë, sidomos në bashkëpunimin ushtarak në nivele teknikësh”.