PDK-ja i shtrin dorën Berishës: Gati për reformën në drejtësi
Partia Demokristiane ka ndryshuar strategji, ku kësaj here i ka shtrirë dorën mazhorancës për bashkëpunim. Deputeti i kësaj partie, Frrok Gjini, tha dje në Kuvend se PKD-ja është e hapur që të bashkëpunojë për reformën në drejtësi. Sipas Gjinit, Rama braktisi Berishën për këtë reformë, por deputetët e PDK-së do të jenë të gatshëm të japin votën e tyre për këtë reformë. “Deputetët e Partisë Demokristiane janë të gatshëm të bashkëpunojnë për reformën në drejtësi”, - tha Gjini, i cili e vlerësoi si të domosdoshme këtë reformë. Ndryshimi i qëndrimit të PDK-së duket se ka ardhur pas dështimit të grevës së urisë. Ndonëse deputetët e kësaj partie kanë qenë agresivë me mazhorancën për shkak të largimit nga qeveria të kryetarit Nard Ndoka, qëndrimi duket se ka ndryshuar. “Pavarësisht se PDK-ja është përjashtuar nga qeveria, ne do të bashkëpunojmë për reformën në drejtësi”, - tha më tej Gjini. Kryetari i PDK-së, Nard Ndoka, e ka cilësuar si të njëanshëm largimin e tij nga posti i ministrit të Shëndetësisë dhe ka kërkuar rikthimin. Ndonëse ai ka vendosur kushte të herëpashershme, si dhe nuk ka mbështetur mazhorancën me vota në Kuvend, Ndoka ka ndryshuar taktikë. Një tjetër ambicie e Ndokës ka qenë edhe “krijimi i polit të tretë të djathtë”, por që me sa duket, miratimi i Kodit të ri Zgjedhor si dhe mjedisi politik krejt i papërshtatshëm për krijimin e kësaj lëvizjeje politike, i kanë kthyer mendjen strategjisë së PDK-së.