E Shtunë, 31 Tetor 2026

Legalizimet, harta e 4600 tapive të reja

Brenda kësaj jave, ALUZINI do të miratojë 4 600 ndërtime pa leje të cilat do të përfitojnë tapinë e legalizimit. Gazeta publikon sot zonat ku janë këto ndërtime në të gjithë vendin. Brenda kësaj jave do të publikohen edhe emrat e kryefamiljarëve të këtyre 4 600 ndërtimeve pa leje. Kjo listë do të dërgohet në qeveri për miratim, dhe pas këtij miratimi, kryefamiljarët do të përfitojnë lejen e legalizimit. Në bazë të verifikimeve, ka përfunduar dokumentacioni tekniko-ligjor për 200 mijë ndërtime pa leje në të gjithë vendin. Mbeten për t’u verifikuar më tej 150 mijë ndërtime të tjera. Legalizimet do të prekin edhe qytetet e Vlorës, Elbasanit, Shkodrës, Lezhës etj. Shlyerja e tarifës së shërbimit për legalizim do të bëhet brenda 30 ditëve nga pajisja me formularin e pagesës së tarifës së shërbimit, proces, i cili kryhet pas publikimit të listave emërore të subjekteve, ndërtimet e të cilave janë kualifikuar për legalizim. Qeveria ka përcaktuar dhe taksën e ndikimit në infrastrukturë, të cilën banorët e zonave informale duhet ta paguajnë pranë njësive të qeverisjes vendore. Kjo do të llogaritet duke iu referuar kostos mesatare vjetore të ndërtimit të banesave për metër katror, të publikuar nga Enti Kombëtar i Banesave. Taksa do të paguhet në llogari të bashkive dhe komunave ku ndodhet objekti pa leje. Fondi i saj që do të krijohet e do të përdoret për financimin e studimeve urbanistike dhe realizimin e tyre në këto territore informale, si dhe në përmirësimin e infrastrukturës. Të dhënat paraprake tregojnë se një e treta e ndërtimeve pa leje janë mbi tokë private të personave të tretë, ndërsa pjesa tjetër janë mbi tokë shtetërore, si dhe mbi tokë private. Aktualisht, numërohen mbi 200 mijë ndërtime informale të deklaruara, të cilat kanë gati dokumentacionin tekniko-ligjor, nga të cilat rreth 80 mijë janë ndërtuar mbi truallin e personave të tretë, të cilët do të përfitojnë dëmshpërblim. Hartimi i kësaj liste, që parashikohet të jetë rreth 80 mijë ish-pronarë, do të kalojë në Këshillin e Ministrave. Më pas, qeveria brenda afatit ligjor prej 30 ditësh do të miratojë listën, duke ia kaluar Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, e cila do të dëmshpërblejë brenda këtij viti të gjithë këta ish-pronarë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›