E Diel, 1 Nëntor 2026

Tre kuqezinj, me një këmbë tek inferiorët

Bogdani, Skela dhe Kapllani janë në "hall" me ekipet e tyre, që rrezikojnë rënien nga kategoria

Në kombëtare janë të padiskutueshëm, por kur bëhet fjala për klubet ku aktivizohen, ka vetëm një çështje: "Ishalla qëndrojmë në kategori edhe këtë sezon". Bëhet fjalë për tre titullarët e kombëtares: Ervin Skela, Erion Bogdani dhe Edmond Kapllani. Ekipet ku ata aktivizohen janë kandidate kryesore për të zbritur nga kategoria. Megjithatë, për të treja klubet ku aktiziohen shqiptarët, rënia një kategori më poshtë një eksperiencë që nuk përbën risi. Por tashmë çdo gjë ka ndryshuar dhe trekëndëshi Kievo-Kotbus-Karlsruhe nuk është çudi që sezonin tjetër ta gjejë veten tek inferiorët. Nga tre kuqezinjtë, vetëm Ervin Skela ka qenë më i aktivizuari, pra një titullar i padiskutueshëm për Kotbusin. Ndërsa sulmuesit Bogdani dhe Kapllani, jo vetëm që nuk kanë luajtur me kohë të plotë, por deri më tani nuk kanë shënuar asnjë gol. Lojtarët kanë dhënë nga një arsye."Eshtë e vështirë të shënosh në Serinë A, aq më tepër me një ekip të vogël si Kievo, që bën një lojë thuajse si kombëtarja jonë. Objektivi ynë është modest, në një kampionat kaq të fortë,"- ka thënë Bogdani për "Sportin shqiptar". Nga ana tjetër, Skela, i mësuar me këto situata te Kotbusi, është më realist. "Unë bëj pjesë në një ekip ku duhet luftuar shumë për të qëndruar në Bundesligë. Nëse mund të bëj një krahasim të vogël me Hanoverin e Lalës, është e kotë, sepse edhe ata janë shumë më lart se ne. Por duke parë që gjithnjë kemi shpresuar deri në fund, edhe këtë kampionat kjo na mban "gjallë","- pohon mesfushori 32-vjeçar, një lider te Kotbusi. Për Karlsruhen e Kapllanit, ky sezon duket se është në "rënie të lirë". "Kemi probleme në të gjitha repartet. Faji nuk është vetëm te sulmuesit,"- tregon durrsaku, që bëri emër në Gjermani, pas 17 golave në Bundesligën 2, gjatë sezonit 2006-2007. Por cila është gjendja aktuale e tri ekipeve ku luajnë kuqezinjtë dhe statistikat e tyre?

Kievo e Bogdanit - Ekipi veronez renditet në vendin e fundit në Serinë A, me vetëm nëntë pikë. Pas disa rezultateve negative arriti para dy javësh të fitonte në transfertë me Udinezen, por si për koincidencë pa sulmuesin kuqezi. Në javën e fundit me Romën, përsëri humbi, ndërkohë që shtatlarti shqiptar mungoi për shkak dëmtimi. Me lëndime të shpeshta dhe jorezultativ, kur i është dhënë mundësia, Bogdani në 15 ndeshje të këtij sezoni, ka luajtur vetëm tetë prej tyre. Gjithsej 350 minuta në fushë, ku vetëm dy herë e ka nisur lojën nga fillimi. Asnjë gol dhe dy kartonë të verdhë, plotësojnë shifrat negative të 32-vjeçarit. Edhe sezonin e kaluar me Livornon, Bogdani shënoi vetëm dy gola, por fati i keq i tij bëri që ekipi të zbriste në Serinë B.

Karlsruhe e Kapllanit - Nga vendi i fundit në Serinë A, shkojmë tek i 15-ti në Bundesligë, ku nuk ka shumë ndryshime në statistika. Aty është katapultuar Karlsruhe, me 13 pikë. Ekipi i Edmond Kapllanit, pas fitores së fundit, që datonte më 3 tetor, në fushën e Arminias së Bielefeldit, mori të shtunën një tripikësh me vlera, teksa mundi Verderin. Ky është sezoni i dytë që sulmuesi kuqezi luan për ngjyrat e Karlsruhes në Bundesligë. Por si në debutim, ashtu dhe tani, gjërat për Kapllanin nuk kanë shkuar mirë. Nga 16 ndeshje të zhvilluara, 25-vjeçari durrsak është aktivizuar në dhjetë prej tyre, ku nuk ka shënuar asnjë herë. Vetëm tri herë si titullar dhe 320 minuta lojë gjithsej, janë shumë pak për sulmuesin, që nuk u ka shpëtuar edhe dy kartonëve të verdhë.

Kotbusi i Skelës - Në ndryshim nga Kievo, ndoshta edhe nga Karlsruhe, përpjekjet e ekipit të fantazistit shqiptar për të qëndruar në Bundesligë kanë qenë më të mëdha. Me 12 pikë, në vendin e 16-të, Kotbusi është ngritur pak në tabelë, falë dy fitoreve me vlerë në javët e fundit. Kthesa u bë me Karlsruhe, për të vazhduar në fitoren jashtë fushe me Borusian e Mynshengladbahut, por të shtunën ndaj Shtutgartit përsëri u mund. Edhe këtë sezon, loja e ekipit gjerman është bazuar te Skela, që deri më tani nuk ka treguar atë formë të fundit të kampionatit të kaluar. Gjithsesi, në pikët e Kotbusit një meritë të madhe kanë edhe asistet e vlonjatit. Skela ka luajtur gjithnjë si titullar, teksa ka munguar vetëm në një ndeshje. 32-vjeçari ka shënuar një gol kundër Bajernit të Mynihut dhe ka qenë deciziv në kupë. 1234 minuta në fushë deri më tani, është një shifër e lartë për shqiptarin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›