Zaneti: Mourinjo, më mirë se Mançini!
Një krahasim midis Mourinjos dhe Mançinit? Nuk është politikisht korrekt, por nuk ka dyshime se me teknikun luzitan kemi të bëjmë me një Inter tjetër: "I ka dhënë një fytyrë të re skuadrës. Janë të ndryshëm. Nuk e di, nëse Mourinjo është më konkret, por i trajton më mirë ndeshjet". Krahasimin, që deri tani është bazuar vetëm te puna e teknikut portugez dhe te batutat me disa gazetarë gjatë konferencave për shtyp dhe intervistave të ndryshme, por tani e ka bërë edhe kapiteni zikaltër Havier Zaneti. Përtej krahasimeve të sikletshme, kampioni argjentinas shprehet optimist për vazhdimin e sezonit. Interi mund të realizojë dyshen e madhe, të fitojë kampionatin dhe Champions Ligën. Kjo bindje ka ardhur në ambientin interist, pas fitores së arritur kundër Juventusit, e cila konsiderohet nga të gjithë si përballja e kthesës për kampionët në fuqi të Itlaisë. "Po, sepse ishte një ndeshje shumë e rëndësishme. Me fitoren e këtij takimi kemi bërë një hap tjetër përpara, si dhe kemi konfirmuar forcën tonë," - ka thënë kapiteni i zikaltërve. Javën e ardhshme do të jetë përballja e madhe midis Juventusit dhe Milanit, por Zaneti nuk mendon për këtë. "Cili do të ishte rezultati më i mirë për ne? Të fitonim kundër Kievos në "San Siro". Jemi të parët dhe gjithçka varet nga ne. Nuk na interson se ç'bëjnë të tjerët. Në luftën për titull u frikësohem si bardhezinjve ashtu edhe kuqezinjve; është një kampionat shumë i ekulibruar. E rëndësishme është që Interi të vazhdojë në këtë rrugë dhe gjithçka do të shkojë mirë për ne." Argjentinasi nuk synon vetëm kampionatin e tretë radhazi në Itali, por ëndërron të ngrejë lart edhe trofeun e shumëdëshiruar të Champions Ligës, që i mungon klubit prej më shumë se 40 vitesh. "Ka shumë rëndësi për mua ta fitoj Championsin, pasi kjo do të më lejonte të qëndroja më gjatë në historinë e kësaj skuadre. Shpresoj t'ia dalim mbanë; do të ishte e mrekullueshme, e meriton klubi, lojtarët dhe tifozët," - ka deklaruar Zaneti. Ndërkohë, Hulio Sezar e shpreh me fjalë të qarta ndjesinë e sigurisë që po përjeton skuadra e tij në këto momente, sidomos pas fitores bindëse të arritur ndaj Lacios në Olimpiko 3-0. "Këtë vit kampionati është më i fortë se në sezonet e kaluara, - ka thënë portieri brazilian, - por ne jemi duke u paraqitur mirë dhe jemi sërish të parët në renditje. Duhet të vazhdojmë kështu, duke menduar vetëm për veten tonë, dhe jo për ata që kemi mbrapa. E kemi të qartë që të gjithë duan të fitojnë, që duan të na e heqin nga duart titullin kampion, por ne nuk kemi ndër mend të dorëzohemi dhe do të luftojmë deri në fund, siç kemi bërë gjatë këtyre viteve. Do të ishte e mrekullueshme të përfundonim të parët edhe për këtë sezon." Ndërsa në Chmapions Ligë zikaltrit e kanë siguruar kualifikimin për në fazën tjetër, por duhet të sigurojnë akoma vendin e parë në grup. "Duhet të jemi të kujdesshëm ndaj goditjeve të dënimit të Naldos, - ka shtuar Hulio Sezar. - Eshtë një mbrojtës shumë i mirë dhe ka një goditje të fortë. Për këtë arsye, duhet të evitojmë faullat afër zonës së rreptësisë."