Vangjeli-Hyka, "të harruar" në klube
Nga lojtarët e kombëtares, Kristi Vangjeli dhe Jahmir Hyka duket se janë më "të harruarit" në klube. Statistikat për ta, duke pasur parasysh se janë pjesë e rregullt e kuqezinjve, janë vërtet të frikshme. Mbrojtësi Vangjeli, prej vitesh i Arisit, këtë sezon përveç stolit, disa herë ka parë edhe tribunën. Ai ka luajtur për herë të fundit me Arisin në ndeshjen e 18 tetorit kundër Panioniosit. 30 minuta në këtë sfidë gati kujtohen me mall nga futbollisti korçar, sepse më pas gjithçka është e errët, edhe pse iu rikthye fushës dy minuta në fundjavë ndaj OFI-t. "Nuk e kuptoj pse nuk aktivizohem. Asnjë nga drejtuesit e klubit nuk më ka dhënë një arsye,"- ka thënë Vangjeli para pak javëve. Edhe pse mbrojtësi ka pritur që gjërat të ndryshonin, përsëri ai i ka parë ndeshjet nga stoli. Në fund të sezonit edhe kontrata me ekipin selanikas i përfundon dhe largimi është i sigurt. Këtë e ka pohuar vetë futbollisti korçar. Ndërkohë, edhe për Jahmir Hykën, ecuria në këtë sezon nuk është ajo që pritej. Pasi kaloi me plot bujë te Mainci, madje si një nga blerjet më të shtrenjta, talenti shqiptar, as më pak e as më shumë, por ka luajtur vetëm tri ndeshje këtë sezon në Bundesligën 2. Trajneri i Maincit, Jorn Andersen, përdor një variant taktik, i cili nuk i përshtatet lojës së Hykës. 20-vjeçari ka nënshkruar një kontratë trevjeçare, ndërkohë që drejtuesit e klubit i kanë premtuar disa herë se do të vijë edhe momenti i tij. Lojtari ka ngelur shumë i zhgënjyer, madje edhe ndeshjen e fundit ndaj Geurther Furthit, nuk luajti asnjë minutë.