Partitë opozitare çojnë statutet e tyre në Gjykatën Kushtetuese
Partia Socialiste dhe pesë subjektet e tjera politike dorëzuan dje në përfundim të afatit kohor në Gjykatën Kushtetuese, sipas kërkesës së kësaj të fundit, statutet e funksionimit të tyre. Në këtë mënyrë partitë politike plotësuan dokumentacionin për shpalljen si antikushtetuese të marrëveshjes për kufijtë detarë me Greqinë. Burime nga Gjykata Kushtetuese pohuan dje se statutet u dorëzuan në këtë gjykatë nga deputeti i PS, Sajmir Tahiri. Që prej ditës së sotme, gjykata do të ketë 30 ditë në dispozicion për të vendosur nëse do të pranojë ose jo, kërkesën e depozituar nga 6 partitë politike. Pas shqyrtimit të të gjithë dokumentacionit, do të jetë kolegji i gjykatës që do të vendosë nëse partitë legjitimohen për t’iu drejtuar kësaj gjykate për çështjen e kufirit detar mes Greqisë dhe Shqipërisë. Por si rregull, nëse kolegji i kësaj gjykate nuk pranon në mënyrë unanime, pra tre vota pro legjitimitetit të kërkesës, çështja shkon në gjykim nga nëntë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, të cilët duhet të shprehen fillimisht për legjitimitetin e partive politike për këtë kërkesë. Xhezair Zaganjori është relatori i kërkesës së partive opozitare, një nga specialistët më të mirë të së drejtës ndërkombëtare, ndërsa dy anëtarët e tjerë të kolegjit të Gjykatës janë Fehmi Abdiu dhe Sokol Berberi. Problematika e kësaj çështjeje qëndron në faktin se partitë politike mund t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese, vetëm nëse ajo lidhet direkt me interesat e partive. “Partitë politike mund t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese vetëm për çështje që kanë të bëjnë me interesat e tyre si parti”, përcaktohet në nenin 134 pika 1/f të Kushtetutës së Shqipërisë.