Suedia mbështet aplikimin e Shqipërisë
Suedia, e cila do të pasojë presidencën çeke në Bashkimin Evropian, premton mbështetje të plotë për integrimin evropian të Shqipërisë. Këtë siguri dha dje në Varshavë Kryeministri suedez, Fredrik Reinfeldt. “Suedia mbështet perspektivën e Shqipërisë për në Bashkimin Evropian”, - theksoi z. Reinfeldt gjatë kongresit të jashtëzakonshëm të PPE-ve që zhvilloi punimet dyditore në Poloni. Kreu i qeverisë suedeze, Reinfeldt, pohoi qartë: “Ne do ta shqyrtojmë kërkesën e Shqipërisë për vend kandidat dhe Shqipëria do ta ketë mbështetjen tonë për anëtare në BE”. Kjo garanci iu dha dje Kryeministrit të vendit, Sali Berisha, ku mëngjesin e djeshëm mori pjesë në panelin "Të jetosh Evropën" të drejtuar nga Presidenti i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso. Edhe Presidenti Barroso shprehu mbështetjen e tij për Shqipërinë. Ai theksoi se do të punojnë ngushtë me qeverinë shqiptare për të marrë sa më parë statusin e vendit kandidat. "Ne do të punojmë ngushtë me qeverinë shqiptare që të ndodhë sa më parë marrja e statusit vend kandidat", - tha Barroso. Gjatë qëndrimit në Varshavë Kryeministri u takua me Presidentin e Komisionit Evropian, Hose Manuel Baroso. “Po punojmë shumë mirë me Shqipërinë. Është e rëndësishme të bëni progres. Nuk dua të jem specifik për data, por po punojmë në mënyrë specifike me Shqipërinë”, - theksoi z. Barroso. Me datën 28 prill, Shqipëria dorëzoi në Pragë të Çekisë kërkesën zyrtare për statusin e vendit kandidat për në BE. Ky vendim i qeverisë shqiptare erdhi pasi ishte marrë konsensusi i partive anëtare të Bashkimit Evropian. Ata mbështetën aplikimin e Shqipërisë duke i dhënë qeverisë “Berisha” konsensusin e gjerë për këtë vendim që e çon Shqipërisë drejt integrimit të plotë në Bashkimin Evropian. Nga ana e tij, Kryeministri Sali Berisha ka garantuar BE-në se qeveria e tij do të vazhdojë rrugën e reformave, duke dhënë siguri të plotë se më 28 qershor shqiptarët do të zhvillojnë zgjedhjet më të lira dhe më demokratike në historinë e tyre. Pikërisht, zgjedhjet e lira, është një prej kushteve të BE-së që Shqipëria të fitojë shumë shpejt statusin e vendit kandidat për anëtare me të drejta të plotë në BE.