E Shtunë, 31 Tetor 2026

Marrëveshja për kufijtë detarë shtyhet për Kuvendin e ri

Nënkryetari i Kuvendit, Ceka, shprehet se nuk ka më kohë për të kaluar marrëveshjen. Mungesa e transparencës dënohet nga deputetët e opozitës.


TIRANË- E vërteta mbi marrëveshjen për kufijtë detarë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë, do të zbardhet vetëm legjislaturën tjetër.
Nënkryetari i Kuvendit, Neritan Ceka, ka deklaruar dje se një marrëveshje e kësaj rëndësie kërkon kohë të konsiderueshme për t'u shqyrtuar nga administrata e Kuvendit, ndërkohë që ka mbetur vetëm një seancë plenare. "Është një marrëveshje që do të kalojë në komisionet përkatëse. Nuk është në planin e Parlamentit për komisionet, kështu që është një procedurë e gjatë. Çdo marrëveshje që kalon nga qeveria, do të kalojë nga Parlamenti",- tha dje Ceka. Nënkryetari i Kuvendit ka theksuar se puna për arritjen e marrëveshjes është e bazuar mbi traktatet dhe marrëveshjet ndërkombëtare. Ndërkohë, krejt të painformuar mbi këtë marrëveshje janë edhe të gjithë deputetët e Kuvendit të Shqipërisë. Kjo sepse marrëveshja e nënshkruar pak ditë më parë nuk ka mbërritur ende në Kuvend, dhe Ministria e Jashtme, nga ana e saj, nuk ka bërë publike një kopje të kësaj marrëveshjeje. Edhe nënkryetari i grupit parlamentar socialist, Erion Braçe, duke parë se seanca tjetër është më 11 maj, parashikon se nuk ka më kohë. "Në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë nuk ka asnjë dokument të tillë. Në momentin që ky dokument do të vijë në Parlamentin e Shqipërisë, do të duhet t'u nënshtrohet të gjitha procedurave parlamentare që parashikon rregullorja e Kuvendit dhe në rast se do të respektohen procedurat parlamentare, atëherë nuk ka më kohë për ta shqyrtuar këtë marrëveshje nga kjo trupë parlamentare,"- tha Braçe. Ndërsa kreu i grupit parlamentar i LSI-së, Pëllumb Xhufi, shtoi se, marrëveshja me Greqinë mund të jetë lënë qëllimisht për t'u ratifikuar Kuvendin e ardhshëm. "Me moszhvillimin e seancës së sotme, mazhoranca ka dashur të evitojë debatin për këtë problem, që është çështje e ditës dhe që preokupon më shumë shqiptarët. Është lënë vetëm një herë të mblidhet Kuvendi dhe natyrisht dy marrëveshjet e kufirit dhe e varrezave, do t'i ngelen Parlamentit të ardhshëm. Këtu ka një llogari tinëzare të keqe të bërë nga Berisha, i cili do t'i përdorë këto dy marrëveshje për të mos kompromentuar fushatën elektorale dhe, me shpresën se në rast se do të fitojë, atëherë mund të justifikohet me faktin që populli na e dha votën. Janë llogari të zgjuara që Berisha i bën me mendjen e vet, por jo me partnerët e tjerë",- tha Xhufi.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›